Në fillim të vitit 2012, Greqia ishte vendi të cilit askush nuk dëshironte t’i jepte hua.
Ndërsa Athina përgatitej për ristrukturimin më të madh të borxhit sovran në histori, yield-i i obligacioneve greke 10-vjeçare u ngjit mbi 35%. Italia, e cila në atë kohë shihej si dominoja e radhës që mund të rrëzohej, kishte paguar më shumë se 7% në kulmin e krizës së saj, disa muaj më parë.
Katërmbëdhjetë vjet më vonë, renditja është përmbysur.
Të mërkurën, yield-i i obligacioneve greke 10-vjeçare ishte 4,15%, nën nivelin e Italisë prej 4,37% dhe dukshëm më poshtë se ai i Francës, prej 4,73%.
Kostoja e huamarrjes së Greqisë ra për herë të parë nën atë të Italisë në nëntor 2019 dhe ka qëndruar vazhdimisht më poshtë që prej 20 prillit. Ajo zbriti nën nivelin e Francës për herë të parë në janar 2025 dhe ka qëndruar nën të çdo ditë që prej 15 qershorit.
“Borxhi i saj është kryesisht me norma interesi fikse dhe me maturime shumë të gjata. Tregjet financiare e vlerësojnë shtetin grek shumë më pozitivisht se në të kaluarën, siç dëshmohet edhe nga diferencat e yield-eve të obligacioneve”, deklaroi Ken Egan, drejtor i lartë dhe drejtues i sektorit të vlerësimit të kreditit sovran në KBRA, në një prononcim ekskluziv për Euronews.

Më 20 nëntor, KBRA, një agjenci amerikane e vlerësimit të kreditit, e ngriti vlerësimin e Greqisë në BBB+ nga BBB, duke e vendosur atë dy nivele mbi kufirin më të ulët të kategorisë së investimit, me perspektivë të qëndrueshme.
“Vlerësimet e kreditit duhet të jenë të orientuara drejt së ardhmes dhe jo drejt së kaluarës, duke njohur momentin kur rreziqet e kreditit janë zvogëluar”, tha Joan Feldbaum-Vidra, drejtuese e lartë në sektorin e vlerësimit të borxhit sovran në KBRA.
Teprica buxhetore që ndryshoi historinë
Greqia regjistroi një suficit primar prej 5,1% të Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB) në vitin 2025. Kjo do të thotë se të ardhurat e shtetit tejkaluan shpenzimet me këtë masë, përpara pagesës së interesave të borxhit. Sipas KBRA-së, ky është rezultati më i mirë në Evropë.
Mbledhja e taksave është përmirësuar ndjeshëm.
Hendeku i përmbushjes së detyrimeve për Tatimin mbi Vlerën e Shtuar (TVSH), pra pjesa e TVSH-së që duhet të paguhet, por që nuk përfundon në arkën e shtetit, u ngushtua nga 24% në vitin 2019 në rreth 9% në vitin 2024, një nivel afërsisht i barabartë me mesataren e Bashkimit Evropian.
“Pamja është krejtësisht e ndryshme nga vitet e krizës së borxhit sovran”, tha Egan.
Edhe ekonomia ka ndjekur të njëjtën prirje. Rritja reale ekonomike ishte mesatarisht 4,1% në vit gjatë periudhës 2021–2025, dukshëm mbi mesataren e eurozonës.
Papunësia ra në 7,6% në shtator, nga 8,8% një vit më parë.
Edhe bankat greke, dikur hallka më e dobët e sistemit financiar, janë në gjendje më të mirë. Pesha e kredive me probleme ra nga 6,9% në qershor 2024 në 3,4% në qershor të këtij viti. /Përshtati nga Euronews, ekofin.al

