Qeveria parashikon të zbatojë gjatë vitit 2027 dy skema të reja kreditimi të lehtësuar për blerjen e banesave. Skema e parë parashikon kredi deri në 6 milionë lekë me interes zero për përfituesit, ndërsa e dyta kredi deri në 200 milionë lekë, me një normë interesi prej 3%. Për të dyja skemat synohet gjithashtu heqja e detyrimit për parapagim nga qytetarët.
Modalitetet e zbatimit të këtyre instrumenteve ishin në fokus të një takimi konsultues që ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, dhe Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, zhvilluan me përfaqësues të bankave të nivelit të dytë.
Përmes skemës së parë parashikohet dhënia e deri në 2 mijë kredive, me një vlerë maksimale prej 6 milionë lekësh secila. Qeveria do të mbulojë tërësisht normën e interesit, ndërsa qytetarët përfitues do të shlyejnë principalin e kredisë.
Nëse të gjitha kreditë do të jepen në vlerën maksimale, portofoli i financimit përmes kësaj skeme mund të arrijë në 12 miliardë lekë.
Ministrja Ibrahimaj ka propozuar përcaktimin e një norme të përbashkët interesi me bankat, me qëllim që qytetarët të kenë mundësi të përfitojnë nga programi pranë të gjitha bankave, pa qenë e nevojshme përzgjedhja e vetëm një ose dy institucioneve financiare përmes një procedure konkurrimi.
Skema e dytë parashikon kredi deri në 200 mijë euro ose rreth 200 milionë lekë, me një normë interesi fikse për përfituesit prej 3%. Diferenca ndërmjet kësaj norme dhe normës së interesit që do të përcaktohet në marrëveshje me bankat do të mbulohet nga buxheti i shtetit.
Një nga lehtësitë më të rëndësishme që synohet të ofrohet për të dyja skemat është mundësia e financimit pa parapagim nga qytetarët. Për këtë qëllim, Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit do t’i drejtohet Bankës së Shqipërisë me kërkesën për ndryshimin e kuadrit rregullator, në mënyrë që këto dy produkte kreditimi të përjashtohen nga ky detyrim.
Gjithashtu, qeveria po shqyrton mundësinë e përfshirjes së Bankës Shqiptare të Zhvillimit përmes një instrumenti garancie, që do të mbulonte diferencën ndërmjet vlerës së banesës të përcaktuar nga vlerësimi bankar dhe çmimit të saj të shitjes.
Një tjetër çështje që synohet të marrë zgjidhje është përdorimi si kolateral i banesave që janë ende në proces ndërtimi dhe nuk janë regjistruar në kadastër. Për këtë po punohet për ndryshime në legjislacionin për zhvillimin e territorit, që do të mundësonin certifikimin dhe regjistrimin përkatës që në momentin e marrjes së lejes së ndërtimit.
Ministrja Ibrahimaj ka ftuar bankat të paraqesin propozimet e tyre për kushtet e kreditimit, normat e interesit dhe aspektet teknike të zbatimit të dy skemave. /ekofin.al

