Komisioni i Ligjeve miratoi vetëm me votat e mazhorancës një projektligj që i hap rrugën, lidhjes së kontratës së energjisë dhe të ujit edhe për objektet në proces legalizimi, apo për pallatet për të cilat ende nuk ka një certifikatë përdorimi.
Banesat individuale të ndërtuara përpara 1 tetorit 2025, që janë në proces legalizimi apo regjistrimi nga Agjencia Shtetërore e Kadastrës, do mund të lidhin kontratë për furnizim me energji dhe uji.
Përmes një akti normativ të vitit të kaluar, u ndalua lidhja me rrjetin publik të ujit dhe të energjisë për ato banesa që nuk kishin certifikatë pronësie, gjë që ka shkaktuar shumë probleme për qytetarët, të cilëve u janë mohuar këto shërbime.
Por me ndryshimet që propozon projektligji, “Për Kontrollin dhe Disiplinimin e Punimeve të Ndërtimit”, zhbllokohet edhe ky proces.
“Procedurat për këto objekte mund të jenë ende në fazë legalizimi, mund të jenë në fazë regjistrimi nga ana e agjencisë shtetërore të kadastrës, por në tërësi janë procedura të cilat nuk varen nga aplikanti”, tha deputetja e PS, Besa Spaho, propozuese e kësaj nisme.
Gjithashtu do të përfitojnë edhe qytetarët që jetojnë në pallate, por që ende nuk janë pajisur me certifikatë pronësie, për arsye që nuk varen nga pronarët e këtyre njësive por nga ndërtuesit apo zhvilluesit, që duhet të kryejnë aplikimin për certifikatën e përdorimit.
“Në këto ndërtesa shumëkatëshe pjesa më e madhe e njësive janë të furnizuara me energji elektrike dhe ujë e ndërsa një numër i kufizuar njësish kanë mbetur ende të palidhura. Pronarët e këtyre njësive disponojnë dokumentacionin ligjor që vërteton marrëdhënien juridike mbi pasurinë, por nuk disponojnë certifikatën e pronësisë. Arsyet e mos-pajisjes me certifikatë e pronësisë nuk varen nga pronarët e njësive, por nga zhvilluesi apo zbatuesi. Në rastet kur zhvilluesi apo zbatuesi i punimeve ka pushuar aktivitetin e tij, është çregjistruar, është likuiduar ose nuk ekziston më si një subjekt aktiv, të gjitha së bashku pamundësojnë lidhjen e njësisë individuale me rrjetin publik të energjisë elektrike apo ujin, pasi pronari i njësisë nuk ka kujt subjektit i drejtohet për të ndjekur procedurën për pajisje të objektit me certifikatë përdorimi”, sqaron deputetja.
Nga nisma do të përfitojnë vetëm objektet e ndërtuara dhe të përdorura para 1 tetorit 2025, kohë kur hyri në fuqi edhe akti normativ i qeverisë, ndërsa për objektet pas kësaj date lidhja me ujin dhe dritat do të bëhet vetëm pas marrjes së certifikatës së pronësisë. /Shqiptarja.com
