Nga Ilir Pilku
Paketa fiskale 2027 mbart një qasje kontradiktore. Qeveria e paraqet si rishpërndarje në favor të familjeve, ndërsa rritja e disa normave rrezikon të rëndojë konsumin, prodhimin vendas dhe planet e investimit. Për bujqësinë dhe agropërpunimin, kjo bie në sy sidomos tek ndarja mes produkteve që marrin TVSH 6% dhe atyre që do të tatohen me 21%.
Rritja e TVSH-së së përgjithshme në 21%. Rritja nga 20% në 21% mund të ushtrojë presion mbi çmimet e mallrave dhe shërbimeve me normën standarde. Nëse rritja i kalon e gjitha konsumatorit, një produkt prej 120 lekësh bëhet 121 lekë. Edhe Dhoma Amerikane e Tregtisë paralajmëron se efekti mund të zbehë një pjesë të lehtësimit të shportës.
Mbrojtja e gabuar e shportës. Qeveria propozon TVSH 6% për 54 produkte. Lista e raportuar përfshin qumështin dhe kosin natyral, ndërsa djathi dhe gjalpi mbeten jashtë. Lista përfundimtare pritet të caktohet me vendim të qeverisë. Sipas INSTAT-it, ushqimet dhe pijet joalkoolike zinin 39,8% të shpenzimeve familjare në vitin 2025 dhe grupi qumësht, djathë e vezë zinte 15,5% të shpenzimeve për ushqime dhe pije joalkoolike. Lënia jashtë e djathit dhe gjalpit e dobëson lehtësimin për familjet dhe mund të favorizojë shitjen pa faturë në dëm të përpunuesve vendas që punojnë në formalitet. Shoqata e Industrise se Perpunimit te Qumeshtit propozon qe norma 6% të përfshijë edhe djathin e gjalpin. Nderkohe qe Dhoma Gjermane e Tregtise, DIHA, mirëpret uljen për ushqimet bazë, por kërkon konsultim me biznesin.
Asimetria e TVSH-së në bujqësi. Skema e vitit 2026 parashikon kompensim 10% për fermerin e kualifikuar mbi shitjet e dokumentuara te grumbulluesit dhe përpunuesit. TVSH-ja që përpunuesi paguan varet nga tatimi mbi shitjen dhe nga zbritjet e lejuara në blerje. Kur këto zbritje janë të kufizuara, norma 21% në shitje mund të rëndojë likuiditetin dhe të shtojë presionin mbi çmimin e grumbullimit ose mbi çmimin në raftet e marketeve. Pra, kjo pakete krijon nje mungese balance midis TVSH ne blerje te lendes se pare dhe asaj ne shitje qe rezulton 21%.
Taksat mbi kapitalin dhe dividendi. Rritja nga 8% në 15% e tatimit mbi dividendin e ul kthimin neto të kapitalit të shpërndarë. Për 1 milion lekë dividend bruto, tatimi do të rritej nga 80 mijë në 150 mijë lekë. Kjo mund të ndikojë tek vendimet e investitorëve vendas dhe të huaj për investime të reja në Shqipëri.
Rritja e TVSH-së në turizëm nga 6% në 10%. Nëse rritja i kalon plotësisht klientit, çmimi i akomodimit shtohet me rreth 3,8%. Shqipëria do të ruante një normë më të ulët se ajo e zakonshme për hotelerinë në Greqi (13%) dhe Mal të Zi (15%), por avantazhi fiskal do të ngushtohej. Sipas prezantimit të qeverisë, rritja përjashton agroturizmin.
Tatimi mbi pagën. Fasha me normë 13% zgjerohet deri në 300 mijë lekë bruto në muaj, duke lehtësuar një pjesë të shtresës së mesme. Norma e re 30% zbatohet mbi pjesën e pagës mbi 700 mijë lekë. Efekti mbi të ardhurat neto duhet vlerësuar veçanërisht për profesionistët me pagat më të larta.
2). Komenti mbi Raportin e Progresit 2026 dhe fondet IPARD III
Mos-aktivimi i IPARD III është një nga çështjet më kritike për bujqësinë në Raportin e Progresit të Shqipërisë, të publikuar më 4 nëntor 2026. Ne vleresimin tim, vonesa pasqyron vështirësinë për të ndërtuar një sistem administrimi të fondeve që garanton integritet dhe kontroll financiar. Pasojat po i paguajnë fermerët, agropërpunuesit dhe sipërmarrjet e agroturizmit që kanë shtyrë investimet.
Hetimet e OLAF-it dhe pezullimi i fondeve. OLAF dokumentoi parregullsi serioze në IPARD II, përfshirë kërkesa ndaj aplikantëve për t’i kaluar një pjesë të grantit një kompanie konsulence, kontraktim pa konkurrencë reale dhe çmime të fryra. Në korrik 2023, Komisioni njoftoi ndërprerjen e përkohshme të rimbursimeve për IPARD II. OLAF rekomandoi që rreth 33 milionë euro të konsideroheshin të papranueshme për financim. Në shtator 2026, Komisioni konfirmoi se procedura për përcaktimin real të shumës që duhet kthyer është në proces vendimarrje. Për IPARD III, vendimi fillestar parashikonte deri në 112 milionë euro kontribut të BE-së, ndërkohe që ky fond vazhdon të jetë i bllokuar dhe koha e mbetur për zbatim është vetëm 1 vit, pra 6 vite të humbura nga problematika që AZHBR-ja dhe e gjithë struktura operative ka prodhuar.
Mosmbajtja e premtimeve të qeverisë. Në vitin 2024, autoritetet shqiptare deklaruan se programi IPARD III do të bëhej funksional në vitin 2025 dhe, në janar 2026, shprehën pritshmërinë që fondet të hapeshin në shtator të po atij viti, por të dy afatet kaluan pa u hapur aplikimet.Kjo pasiguri ka pasoja konkrete për sipërmarrësit që kishin përgatitur projekte dhe duhej të vendosnin për kreditë, porositë e pajisjeve dhe afatet e investimit.
Mungesa e profesionalizmit dhe formatimi i AZHBR-së sipas standardeve evropiane. Raporti njeh përparim në identifikimin e parcelave dhe në krijimin e rrjetit të të dhënave për fermat, por kërkon forcim të kapaciteteve administrative dhe plotësim të kushteve për menaxhim të shëndoshë financiar. Sipas vlerësimit tim, AZHBR-ja ende duhet të arrijë nivelin e kërkuar të profesionalizmit dhe të pavarësisë administrative, me rekrutim mbi bazë merite, ndarje të qartë të vlerësimit, kontrollit dhe pagesës, si dhe gjurmë të plota auditimi.
Sfida dhe kohëzgjatja e akreditimit. Shqipëria paraqiti prane DGAGRI (Ministria e Bujqesise se BE-së) kërkesat më 1 prill dhe 18 qershor 2026. Në praktikë, Komisioni vlerëson delegimin e detyrave të zbatimit të buxhetit për të gjithë sistemin e menaxhimit dhe kontrollit të IPARD III, ku bën pjesë edhe AZHBR-ja. Shqyrtimi i dokumentacionit, verifikimet e mundshme në terren dhe marrëveshja financiare që pason mund të kërkojnë kohë relativisht të gjatë. Për këtë arsye, hapja e aplikimeve varet nga provat se masat korrigjuese që struktura operative e IPARD Shqipëri ka zbatuar është garanci për një funksionim të besueshëm në praktikë. /ekofin.al
