Sipërfaqet bujqësore të deklaruara për subvencione do të mund të monitorohen përmes të dhënave satelitore, ndërsa fermerët që përfitojnë fonde pa të drejtë do të detyrohen t’i kthejnë ato së bashku me interesat.
Projektligji i ri “Për bujqësinë dhe zhvillimin rural”, i hedhur në konsultim publik, parashikon forcimin e kontrollit mbi financimet publike, duke përfshirë edhe mundësinë e rikuperimit të detyrimeve përmes ekzekutimit të detyrueshëm.
Gjithçka ndodh pas abuzimeve me fondet europiane IPARD II, që kanë çuar në bllokimin pa afat të programit të mbështetjes për Shqipërinë, si edhe vështirësive që po has AZHBR për rikuperimin e këtyre fondeve.
Drafti parashikon ngritjen e Sistemit të Integruar të Administrimit dhe Kontrollit (SIAK), i cili do të bashkojë të dhënat për parcelat bujqësore, aplikimet, përfituesit dhe rezultatet e kontrolleve.
Sistemi do të përfshijë monitorimin e tokës bujqësore përmes teknologjive të vëzhgimit dhe të dhënave satelitore, me qëllim ndjekjen e rregullt dhe sistematike të veprimtarive dhe praktikave bujqësore.
Sipas projektligjit, kontrollet në vend mund të kryhen edhe përmes teknologjive në distancë dhe, në raste të caktuara, të zëvendësohen nga monitorimi i tokës bujqësore, nëse ky garanton besueshmëri të barasvlershme.
Ky mekanizëm krijon mundësinë që një pjesë e verifikimeve për sipërfaqet e deklaruara dhe aktivitetet bujqësore të kryhen pa qenë e nevojshme prania fizike e inspektorëve në çdo fermë.
Sistemi do të ndërveprojë gjithashtu me Regjistrin e Fermave, Regjistrin e Kafshëve, Kadastrën e Vreshtarisë dhe Kadastrën e Ullirit, duke mundësuar shkëmbimin elektronik të informacionit ndërmjet strukturave përgjegjëse.
Projektligji përcakton se të dhënat e nevojshme për verifikim mblidhen vetëm një herë dhe ripërdoren nga autoritetet publike, të cilat i shkëmbejnë pa pagesë për qëllimet e zbatimit të ligjit.
Shtrirja e plotë e sistemit nuk do të jetë e menjëhershme. Sipas dispozitave kalimtare, Sistemi i Integruar i Administrimit dhe Kontrollit do të shtrihet gradualisht, jo më vonë se pesë vjet nga hyrja në fuqi e ligjit.
Deklarimet e pasakta sjellin reduktim të pagesave
Krahas monitorimit elektronik, projektligji forcon detyrimet e fermerëve që aplikojnë për mbështetje financiare.
Përfituesit duhet të deklarojnë të dhëna të sakta për sipërfaqet, numrin e kafshëve dhe elementet e tjera mbi të cilat llogaritet financimi. Ata duhet të ruajnë dokumentacionin, të lejojnë kontrollet dhe t’i përdorin fondet vetëm për qëllimet për të cilat janë dhënë.
Kur një fermer deklaron sipërfaqe ose krerë bagëtish më shumë sesa rezultojnë nga verifikimet, mbështetja do të rillogaritet dhe do t’u nënshtrohet zbritjeve administrative.
Kontrollet administrative do të kryhen për çdo aplikim, ndërsa verifikimet në terren do të bazohen në analizën e riskut dhe në një përbërës të përzgjedhur rastësisht.
Megjithatë, projektligji parashikon edhe një mekanizëm mbrojtës për aplikantët. Fermerët që kanë paraqitur aplikime në mirëbesim do të kenë të drejtë t’i korrigjojnë ato përpara se të njoftohen për kontrollin ose për parregullsinë.
Nuk do të përfitojnë avantazhe as personat për të cilët provohet se kanë krijuar artificialisht kushtet për të marrë mbështetje financiare.
Paratë mund të kërkohen mbrapsht edhe kur vendimi ankimohet
Një tjetër dispozitë me ndikim të drejtpërdrejtë financiar gjendet në nenin 38, i cili rregullon rikuperimin e pagesave të padrejta.
Sipas projektligjit, çdo pagesë e përfituar pa të drejtë duhet të kthehet së bashku me interesat e llogaritura sipas legjislacionit në fuqi.
Vendimi i Agjencisë së Pagesave për rikuperimin e shumës do të përbëjë titull ekzekutiv dhe do të ekzekutohet sipas procedurave ligjore. Nëse një përfitues nuk shlyen detyrimin, shuma mund të kompensohet me pagesat e ardhshme që Agjencia duhet t’i kryejë të njëjtit përfitues.
Dispozita ligjore parashikonn se paraqitja e një ankimi nuk e pezullon automatikisht detyrimin për kthimin e subvencionit.
Fermerët ruajnë të drejtën e ankimit administrativ dhe gjyqësor, por organi që shqyrton ankimin mund të vendosë pezullimin e ekzekutimit vetëm kur ekziston rreziku i shkaktimit të një dëmi të rëndë dhe të pariparueshëm ndaj përfituesit.
Kjo do të thotë se kundërshtimi i vendimit nuk mjafton, në vetvete, për të ndaluar procedurën e rikuperimit.
Projektligji parashikon gjithashtu që, në rastet kur një investim i financuar ndryshon në mënyrë thelbësore qëllimin, natyrën ose kushtet e zbatimit gjatë periudhës së detyrueshme pas pagesës përfundimtare, mbështetja të rikuperohet në përpjesëtim me periudhën e mbetur. Kohëzgjatja e këtij detyrimi do të përcaktohet në programin e mbështetjes.
Kontrolle edhe për mashtrimin dhe financimet e dyfishta
Agjencia e Pagesave do të ketë detyrimin të vlerësojë rregullisht rreziqet e mashtrimit dhe të marrë masa për parandalimin e parregullsive, konfliktit të interesit dhe financimit të dyfishtë të të njëjtave shpenzime.
Në rastet kur ka dyshime të arsyeshme për vepra penale, Agjencia do të njoftojë menjëherë prokurorinë.
Nga ana tjetër, projektligji përcakton se kontrollet duhet të jenë proporcionale me nivelin e riskut, të koordinohen për të shmangur përsëritjen e panevojshme të verifikimeve dhe të garantojnë mekanizma ankimi për përfituesit.
Ndryshimet krijojnë një kuadër më të detajuar për gjurmimin e fondeve të bujqësisë, kontrollin e deklarimeve dhe rikuperimin e pagesave të padrejta. Megjithatë, funksionimi real i monitorimit satelitor dhe zbatimi i procedurave të reja do të varen nga ngritja e sistemeve elektronike dhe miratimi i rregullave përkatëse. /ekofin.al
