Zgjerimi i turizmit në Shqipëri po ushtron presion edhe mbi tregun e qirave, duke u kthyer në një nga faktorët që ndikojnë në rritjen e kostos së jetesës. Banka Botërore vlerëson se kërkesa e lartë e lidhur me turizmin, së bashku me shtrenjtimin e ushqimeve dhe karburanteve, do ta mbajnë inflacionin mesatar në 3.4% gjatë vitit 2026, mbi objektivin prej 3% të Bankës së Shqipërisë.
Në raportin e fundit ekonomik për Ballkanin Perëndimor, Banka konstaston se presionet mbi çmimet u shtuan gradualisht gjatë pjesës së parë të vitit. Inflacioni në Shqipëri u rrit nga 2.6% në janar në 3.4% në korrik 2026, një diferencë prej 0.8 pikësh përqindjeje.
Mes faktorëve që kontribuuan në këtë zhvillim, Banka Botërore veçon çmimet e ushqimeve, karburantet dhe qiratë që mbeten të larta për shkak të kërkesës së fortë turistike. Edhe rritja e shpejtë e pagave ka shtuar presionet mbi çmimet.
Raporti thekson se tensionet në Lindjen e Mesme kanë ndikuar në shtrenjtimin e produkteve të importuara, veçanërisht të energjisë dhe karburanteve. Megjithatë, forcimi i lekut ka zbutur pjesërisht ndikimin e këtyre zhvillimeve në tregun vendas.

Presionet inflacioniste vijnë në një periudhë kur ekonomia shqiptare po mbështetet në rritjen e pagave, pensioneve dhe konsumit të familjeve. Sipas Bankës Botërore, këto të ardhura shtesë pritet të mbështesin shpenzimet e qytetarëve gjatë vitit 2026, por rritja e çmimeve do të dobësojë fuqinë e tyre blerëse.
Kjo do të thotë se një pjesë e përfitimit nga rritja e të ardhurave do të kufizohet nga shpenzimet më të larta për mallra dhe shërbime. Presioni i qirave është një element shtesë për familjet që nuk zotërojnë banesën ku jetojnë, megjithëse raporti nuk jep një vlerësim të veçantë për rritjen e qirave apo numrin e familjeve të prekura.
Banka Botërore parashikon që inflacioni mesatar të ulet në 3% gjatë vitit 2027 dhe të qëndrojë në këtë nivel edhe në vitin 2028. Ky skenar mbështetet në supozimin se efektet e çmimeve më të larta të naftës do të zbehen dhe presionet në tregun e qirave do të lehtësohen.
Në këtë mënyrë, turizmi po shfaq dy ndikime të ndryshme në ekonominë shqiptare: nga njëra anë mbështet aktivitetin ekonomik dhe investimet, ndërsa nga ana tjetër kërkesa e shtuar për shërbime dhe pasuri të paluajtshme po kontribuon në mbajtjen e çmimeve në nivele më të larta./ekofin.al
