Fermerët mund të përfitojnë mbështetje financiare për tokën bujqësore edhe kur nuk realizojnë prodhim konkret, me kusht që sipërfaqja të mbahet në gjendje të përshtatshme për kultivim ose kullotje. Ndërkohë, për mbështetjen bazë të të ardhurave do të vendoset një tavan vjetor për çdo përfitues, duke kufizuar shumat që mund të përqendrohen te fermat më të mëdha.
Këto janë dy nga ndryshimet kryesore që parashikon projektligji i ri “Për bujqësinë dhe zhvillimin rural”, i cili përcakton një model mbështetjeje ku pagesat nuk lidhen domosdoshmërisht me sasinë e produkteve të prodhuara apo të shitura, por edhe me sipërfaqen bujqësore dhe nevojat ekonomike të fermerëve.
Sipas nenit 14, mbështetja bazë e të ardhurave do të jepet në formën e një pagese vjetore për hektar të pranueshëm, të palidhur me prodhimin. Përfitues do të jenë vetëm fermerët aktivë, ndërsa për marrjen e pagesës do të përcaktohet një sipërfaqe minimale ose një shumë minimale përfitimi.
Drafti zgjeron përkufizimin e veprimtarisë bujqësore. Projektligji njeh si të tillë jo vetëm kultivimin e bimëve dhe mbarështimin e kafshëve, por edhe mbajtjen e tokës në gjendje që të jetë e gatshme për kullotje ose kultivim me metodat dhe makineritë e zakonshme bujqësore, pa pasur nevojë për punime të veçanta përgatitore.
Kjo do të thotë se një sipërfaqe mund të konsiderohet e pranueshme për mbështetje edhe nëse nuk ka prodhim gjatë vitit, për sa kohë plotëson kushtet e përcaktuara për veprimtarinë bujqësore dhe përdorimin e tokës.
Megjithatë, mbështetja nuk do të jepet automatikisht për çdo tokë të lënë djerrë. Përfituesi duhet të ketë statusin e fermerit aktiv, të administrojë fermën dhe të mbajë përgjegjësinë ekonomike për të. Kriteret e hollësishme do të përcaktohen në Dokumentin Strategjik.
Projektligji parashikon gjithashtu që fermerët me veprimtari të pjesshme ose që ushtrojnë edhe aktivitete të tjera ekonomike të mos përjashtohen nga përcaktimi i fermerit aktiv vetëm për këtë arsye.
Vendoset kufi për subvencionet e mëdha
Projektligji parashikon gjithashtu mënyrën e shpërndarjes së fondeve. Mbështetja bazë e të ardhurave parashikohet të jetë regresive dhe t’i nënshtrohet një tavani vjetor për çdo përfitues.
Në këtë mënyrë, mbështetja bazë nuk do të mund të rritet pa kufi në varësi të sipërfaqes së fermës. Shkallët konkrete të reduktimit dhe shuma maksimale që mund të përfitohet nuk janë përcaktuar ende në projektligj dhe do të miratohen me udhëzim të ministrit përgjegjës për bujqësinë.
Projektligji parashikon edhe masa kundër ndarjes artificiale të fermave me qëllim përfitimin e më shumë fondeve. Për personat juridikë dhe grupet, tavani dhe rregullat e regresivitetit do të zbatohen mbi tërësinë e fermave që ndodhen nën kontrollin e të njëjtit person.
Kjo dispozitë synon të shmangë rastet kur një aktivitet i vetëm bujqësor ndahet formalisht në disa subjekte për të kapërcyer kufirin e mbështetjes.
Në të njëjtën kohë, projektligji përcakton se pagesat bazë duhet të orientohen në radhë të parë drejt fermerëve me nevojat më të mëdha, veçanërisht fermerëve të vegjël, fermave familjare dhe fermerëve në moshë të re.
Për fermerët e vegjël mund të parashikohet një pagesë e thjeshtuar në formën e një shume të përgjithshme vjetore, që zëvendëson format e tjera të mbështetjes së të ardhurave. Për këtë kategori parashikohet edhe përjashtimi nga mekanizmi i kushtëzimit mjedisor dhe bujqësor që zbatohet për pagesat e tjera vjetore.
Ndërsa fermerëve në moshë të re u parashikohet mbështetje plotësuese e të ardhurave, sipas kushteve që do të përcaktohen në Dokumentin Strategjik.
Projektligji ruan edhe mundësinë e mbështetjes së lidhur drejtpërdrejt me prodhimin, për sektorë që kanë rëndësi ekonomike, sociale ose mjedisore dhe përballen me vështirësi. Në këto raste, pagesat mund të jepen për hektar ose për krerë bagëtish.
Ndryshimet synojnë të vendosin një sistem mbështetjeje më të diferencuar, ku një pjesë e financimit shërben për qëndrueshmërinë e të ardhurave të fermerëve, ndërsa një pjesë tjetër lidhet me prodhimin dhe investimet. Megjithatë, ndikimi në shpërndarjen reale të subvencioneve do të përcaktohet nga shumat për hektar, kufijtë maksimalë dhe kriteret që do të miratohen më pas. /ekofin.al
