Qeveria synon të ndryshojë mënyrën se si bizneset kryejnë procedurat e importit, eksportit dhe tranzitit të mallrave, duke bashkuar në një sistem të vetëm elektronik dokumentacionin doganor dhe atë që kërkohet nga institucionet e tjera shtetërore.
Projektligji i ri për krijimin dhe funksionimin e Dritares së Vetme Kombëtare për Doganat parashikon që operatorët ekonomikë të dorëzojnë informacionin vetëm një herë, përmes portalit e-Albania, ndërsa verifikimet dhe shkëmbimi i dokumenteve ndërmjet institucioneve të kryhen automatikisht.
Nisma synon të reduktojë kohën e procedurave, dokumentacionin e përsëritur dhe kostot administrative për bizneset që tregtojnë me jashtë. Megjithatë, projektligji parashikon edhe mundësinë e vendosjes së tarifave për përdorimin e sistemit, të cilat do të miratohen nga qeveria. Zbatimi do të jetë gradual dhe do të varet nga ngritja e plotë e platformës dhe lidhja e sistemeve të institucioneve përgjegjëse.
Një aplikim për doganat dhe institucionet e tjera
Ndryshimi kryesor për bizneset është zbatimi i parimit “vetëm një herë”. Importuesit dhe eksportuesit nuk do të duhet të paraqesin në mënyrë të përsëritur të njëjtat të dhëna dhe dokumente pranë autoriteteve të ndryshme, për sa kohë ato janë të disponueshme përmes sistemit të integruar.
Portali e-Albania do të shërbejë si pika e vetme elektronike e kontaktit, nga ku operatorët ekonomikë do të dorëzojnë deklaratat doganore, dokumentet mbështetëse dhe informacionet e kërkuara për formalitetet jodoganore.
Këto të fundit përfshijnë procedurat e autorizimit, licencimit dhe kontrollit të mallrave që kryhen nga institucione të tjera, përveç administratës doganore.
Projektligji parashikon gjithashtu mundësinë e paraqitjes elektronike të të dhënave të integruara, përfshirë deklaratën doganore ose të rieksportit, përpara mbërritjes së mallrave.
Kjo nuk nënkupton heqjen e detyrimit për pajisjen me lejet apo autorizimet përkatëse, por thjeshtimin e mënyrës së paraqitjes dhe verifikimit të tyre.
Lejet dhe sasitë e mallrave do të verifikohen automatikisht
Një tjetër ndryshim i rëndësishëm lidhet me kontrollin e dokumenteve që shoqërojnë mallrat.
Sipas projektligjit, autoritetet doganore do të mund të verifikojnë automatikisht përmbushjen e formaliteteve jodoganore, nëpërmjet shkëmbimit elektronik të informacionit me institucionet që lëshojnë leje, licenca dhe autorizime.
Sistemi do të mundësojë edhe menaxhimin e sasive të mallrave të autorizuara. Kjo do të thotë se institucionet përgjegjëse do të mund të krahasojnë sasitë e miratuara me ato të deklaruara në doganë dhe të çliruara nga autoritetet doganore, duke përmirësuar kontrollin mbi përdorimin e autorizimeve.
Dokumentet mbështetëse do të konsiderohen të disponueshme për autoritetet doganore në momentin e depozitimit të deklaratës, me kusht që të dhënat të mund të merren elektronikisht nga sistemet përkatëse.
Platforma parashikohet të përdoret edhe për koordinimin e kontrolleve ndërinstitucionale dhe për një analizë më të mirë të riskut, me synimin që kontrollet të përqendrohen te operacionet me rrezik më të lartë.
Sistemi mund të ketë tarifa për bizneset
Megjithëse një nga qëllimet e projektligjit është ulja e kostove administrative, nisma parashikon mundësinë që përdorimi i Dritares së Vetme Kombëtare për Doganat të shoqërohet me tarifa.
Sipas nenit 20, Komiteti Mbikëqyrës do të propozojë periudhën e aplikimit të tarifave dhe kategoritë e përdoruesve që do t’u nënshtrohen atyre, pas fillimit të funksionimit të sistemit.
Tarifat do të miratohen me vendim të Këshillit të Ministrave, mbi bazën e parimit të mbulimit të kostove.
Projektligji nuk përcakton ende vlerën e tyre, kategoritë konkrete të bizneseve që do të paguajnë apo datën kur mund të fillojë aplikimi.
Për administrimin dhe mbikëqyrjen e sistemit do të krijohet një Komitet Mbikëqyrës, ku do të marrin pjesë përfaqësues të Ministrisë së Financave, Doganave, institucioneve të tjera dhe tre përfaqësues të shoqatave të biznesit ose ekspertë të tregtisë ndërkombëtare. Anëtarët e tij do të kenë të drejtën e shpërblimit për deri në 12 mbledhje në vit.
Lidhja me sistemin doganor të BE-së pas anëtarësimit
Projektligji parashikon përafrimin e sistemit shqiptar me Dritaren e Vetme Doganore të Bashkimit Evropian, përmes mekanizmit EU CSW-CERTEX, i cili mundëson shkëmbimin elektronik të certifikatave dhe informacionit ndërmjet autoriteteve doganore dhe sistemeve të tjera.
Qeveria do të miratojë një plan kombëtar për integrimin progresiv, i cili do të rishikohet të paktën një herë në tre vjet.
Megjithatë, ndërlidhja efektive me sistemin evropian parashikohet të realizohet nga data e anëtarësimit të Shqipërisë në BE, ndërsa deri atëherë do të vijojë përgatitja dhe përshtatja e sistemeve kombëtare.
Projektligji përcakton gjithashtu se, me anëtarësimin në Bashkimin Evropian, ligji shqiptar për Dritaren e Vetme Kombëtare do të shfuqizohet dhe marrëdhëniet përkatëse do t’i nënshtrohen zbatimit të drejtpërdrejtë të rregullores evropiane. /ekofin.al
