Qeveria përcakton format e mbështetjes financiare që mund t’u ofrojë kompanive private në kontratat e partneritetit publik-privat (PPP), duke përfshirë garancitë për të ardhura minimale, kompensimet për ndryshimet ligjore, subvencionet dhe bashkëfinancimin nga buxheti i shtetit. Rregullat parashikojnë gjithashtu mënyrën se si do të identifikohen dhe vlerësohen rreziqet financiare që mund t’i kalojnë shtetit gjatë zbatimit të këtyre kontratave.
Rregullat zbatohen për ministritë dhe institucionet publike në varësi ose nën përgjegjësinë e tyre, që financohen nga buxheti i shtetit dhe lidhin kontrata PPP me mbështetje financiare dhe risqe fiskale.
Garanci për të ardhura minimale dhe kompensime për ndryshimet ligjore
Vendimi i Këshillit të Ministrave përcakton garancitë kontraktore për të ardhura minimale si një nga format e mbështetjes që shteti mund t’u ofrojë partnerëve privatë.
Kjo formë garancie mund të krijojë detyrime për buxhetin në rast se ndodhin kushtet e parashikuara në kontratë. Për shembull, nëse një projekt nuk arrin nivelin e të ardhurave të garantuara kontraktualisht dhe plotësohen kushtet përkatëse, mund të lindë detyrimi për kompensim nga pala publike.
Një tjetër formë mbështetjeje lidhet me kompensimet për ndryshimet ligjore ose rregullatore. Në rastet kur ndryshimet e kuadrit ligjor ndikojnë në kushtet ekonomike të një kontrate PPP, partneri privat mund të përfitojë kompensim, por vetëm nëse kjo parashikohet dhe lejohet shprehimisht nga legjislacioni dhe kontrata.
Vendimi lejon gjithashtu garanci të tjera kontraktore, për sa kohë ato janë në përputhje me legjislacionin në fuqi.
Megjithatë, përfshirja e këtyre formave të mbështetjes në vendim nuk u jep kompanive private të drejtë automatike për t’i përfituar. Çdo angazhim duhet të justifikohet, të dokumentohet dhe të marrë miratimet përkatëse.
Nga subvencionet te prona publike, format e financimit të PPP-ve
Përveç garancive që mund të krijojnë detyrime të ardhshme, vendimi përcakton edhe format e mbështetjes së drejtpërdrejtë financiare nga buxheti.
Këto përfshijnë pagesat për disponueshmëri, subvencionet, kontributet kapitale, bashkëfinancimin nga buxheti i shtetit dhe pagesat për shërbimet e ofruara sipas kontratave.
Pagesat për disponueshmëri janë një formë financimi në të cilën shteti paguan partnerin privat për vënien në dispozicion të një infrastrukture ose shërbimi, sipas kushteve dhe standardeve të përcaktuara në kontratë.
Krahas mbështetjes monetare, parashikohet edhe mbështetje jomonetare, përmes vënies në dispozicion të pronës publike ose dhënies së të drejtave të përdorimit të saj.
Në këto raste, autoritetet publike duhet të dokumentojnë natyrën juridike, kushtet dhe vlerën ekonomike të mbështetjes së ofruar. Kjo do të thotë se edhe kontributet që nuk përfshijnë pagesa të drejtpërdrejta nga buxheti duhet të identifikohen dhe të vlerësohen.
Ndërkohë, garancitë shtetërore të huas mbeten jashtë mekanizmit të miratimit të këtij vendimi, pasi rregullohen nga legjislacioni i posaçëm.
Kur rreziku i biznesit privat mund të kthehet në detyrim për buxhetin
Vendimi i kushton rëndësi ndarjes së risqeve ndërmjet shtetit dhe partnerit privat.
Sipas rregullave, ekspozimi i mundshëm financiar i shtetit mund të lidhet me ndryshimet ligjore dhe rregullatore, nivelin e kërkesës për shërbimin, disponueshmërinë e tij, kushtet makroekonomike, aksesin në pronë, lejet dhe ngjarjet e forcës madhore.
Megjithatë, vendimi përcakton shprehimisht se marrja përsipër e këtyre risqeve nga shteti duhet të justifikohet nga natyra e projektit dhe të parashikohet në dokumentacionin dhe kontratën përkatëse.
Po ashtu, ndarja e risqeve nuk mund të përdoret për të transferuar automatikisht te shteti humbjet që, sipas kontratës, duhet të përballohen nga partneri privat.
Kjo ndarje ka rëndësi për financat publike, pasi jo të gjitha kostot e mundshme të një PPP-je shfaqen menjëherë si shpenzime në buxhet. Disa prej tyre mund të lindin vetëm në të ardhmen, në varësi të zhvillimeve të projektit.
Detyrimet e fshehura në të ardhmen, si do të vlerësohen
Vendimi bën dallimin ndërmjet detyrimeve të drejtpërdrejta financiare dhe atyre që njihen si detyrime kontingjente.
Detyrimet e drejtpërdrejta janë pagesat që burojnë nga kontrata dhe nuk varen nga ndodhja e një ngjarjeje të pasigurt. Ato mund të shtrihen në disa vite buxhetore dhe duhet të planifikohen, regjistrohen e financohen sipas rregullave të menaxhimit buxhetor.
Ndërsa detyrimet kontingjente janë angazhime të mundshme, të cilat kthehen në detyrime konkrete vetëm nëse ndodhin ngjarjet ose plotësohen kushtet e përcaktuara në kontratë.
Për shembull, një garanci për të ardhura minimale nuk përfaqëson domosdoshmërisht një pagesë të menjëhershme, por mund të krijojë kosto për buxhetin në vitet e ardhshme.
Për këtë arsye, vendimi kërkon që gjatë analizës fiskale të dallohen vlera nominale e angazhimit, ekspozimi maksimal i mundshëm dhe kostoja fiskale e pritshme. Këta tregues nuk janë domosdoshmërisht të barabartë dhe shërbejnë për të kuptuar më saktë barrën që një kontratë mund të krijojë mbi financat publike.
Autoritetet kontraktuese duhet të identifikojnë dhe dokumentojnë risqet për çdo projekt, ndërsa ministria përgjegjëse për financat vlerëson implikimet fiskale dhe përballueshmërinë buxhetore, sipas kompetencave ligjore.
Miratimi i mbështetjes financiare nga qeveria nuk i përjashton institucionet nga detyrimi për të planifikuar dhe regjistruar angazhimet buxhetore, përfshirë ato shumëvjeçare. /ekofin.al
