Kompanitë që janë përjashtuar nga tenderat publikë do të mund të kërkojnë rikthimin në konkurrim përpara përfundimit të periudhës së ndalimit, nëse provojnë se kanë marrë masa të mjaftueshme për korrigjimin e shkeljeve. Ndërkohë, hiqen dy nga shkaqet aktuale të skualifikimit të operatorëve ekonomikë.
Sipas ligjit aktual, një kompani skualifikohet nga një procedurë prokurimi nëse është tërhequr nga nënshkrimi i kontratës në një procedurë të zhvilluar nga i njëjti institucion, brenda një viti kalendarik.
Projektligji shfuqizon këtë shkak skualifikimi. Megjithatë, mbetet në fuqi një dispozitë tjetër që parashikon përjashtimin nga e drejta për të fituar kontrata publike, për një periudhë nga tre muaj deri në tre vjet, kur operatori është tërhequr mbi pesë herë nga nënshkrimi i kontratave në procedura të ndryshme brenda një viti.
Një tjetër ndryshim prek kompanitë që kanë në strukturat drejtuese, në administrim ose në pronësi persona të lidhur me operatorë të përjashtuar nga prokurimet publike. Ligji aktual e parashikon këtë rrethanë si shkak skualifikimi, sipas kushteve të nenit 76. Projektligji propozon shfuqizimin e kësaj dispozite, duke hequr një pengesë specifike për pjesëmarrjen në tendera.
Mundësi për t’u rikthyer para përfundimit të përjashtimit
Projektligji shton një mekanizëm për rivlerësimin e kompanive që janë përjashtuar për një periudhë të caktuar.
Operatori ekonomik mund të paraqesë prova se gjatë përjashtimit ka ndërmarrë masa korrigjuese, të cilat dëshmojnë se shkeljet janë adresuar dhe se kompania mund të konsiderohet sërish e besueshme.
Nëse këto prova vlerësohen të mjaftueshme, ato mund të shërbejnë për heqjen e pjesës së mbetur të periudhës së përjashtimit.
Ligji aktual njeh mundësinë e paraqitjes së provave për besueshmërinë nga operatorët që ndodhen në kushte skualifikimi, por nuk ua lejon përdorimin e këtij mekanizmi gjatë periudhës së përjashtimit të vendosur me vendim përfundimtar.
Ndryshimi i propozuar krijon kështu një mundësi të re për kompanitë që janë tashmë të përjashtuara, por pa u dhënë atyre të drejtë automatike për t’u rikthyer në garë.
Autoriteti përgjegjës do të duhet të vlerësojë rëndësinë e shkeljes, rrethanat, kohën e kaluar dhe masat e ndërmarra nga operatori.
Nga ana tjetër, projektligji heq kërkesën që vendimi i Autoritetit të Konkurrencës për marrëveshje në oferta të jetë i formës së prerë, në dispozitën përkatëse të përjashtimit. Kjo përbën një ndryshim tjetër me rëndësi për operatorët e përfshirë në çështje të konkurrencës.
Kompanitë që kanë ndihmuar në përgatitjen e tenderit
Rregulla më të hollësishme parashikohen edhe për rastet kur një kompani ka ofruar këshillim ose ka marrë pjesë në përgatitjen e një procedure prokurimi, në të cilën synon të konkurrojë.
Institucioni kontraktor duhet të sigurojë që përfshirja paraprake e kompanisë të mos krijojë avantazh të padrejtë ndaj ofertuesve të tjerë.
Për këtë qëllim, informacioni i rëndësishëm i shkëmbyer gjatë përgatitjes së procedurës duhet t’u vihet në dispozicion edhe konkurrentëve, duke u caktuar afate të përshtatshme për përgatitjen e ofertave.
Skualifikimi i kompanisë parashikohet vetëm nëse nuk ekzistojnë masa të tjera që garantojnë trajtimin e barabartë. Para marrjes së vendimit, operatorit duhet t’i jepet mundësia të provojë se pjesëmarrja e tij paraprake nuk e shtrembëron konkurrencën.
Projektligji përcakton gjithashtu që institucionet duhet të pranojnë certifikata ekuivalente nga organe të tjera të njohura të vlerësimit të pajtueshmërisë dhe, në kushte të caktuara, edhe prova alternative që dëshmojnë përmbushjen e kritereve teknike.
Ndryshimet rishikojnë disa nga pengesat ligjore që kufizojnë pjesëmarrjen e bizneseve në prokurimet publike, duke shtuar mekanizma për rivlerësimin e tyre. Megjithatë, mbeten të zbatueshme shkaqet e tjera të skualifikimit dhe përjashtimit, përfshirë ato që lidhen me korrupsionin, mashtrimin dhe shkeljet e rënda ligjore./ekofin.al
