Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi (KMD) ka konstatuar diskriminim në formë të rëndë, të shumëfishtë dhe ndërsektoriale nga Spitali Rajonal Durrës në trajtimin e një pacienti, si dhe diskriminim nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale në garantimin e aksesit në shërbimet e kujdesit shoqëror.
Vendimi nr. 298, datë 10 nëntor 2026, vjen pas një hetimi të nisur nga Komisioneri, referuar raportimeve në media për rastin e një pacienti që ishte lënë në një hapësirë publike pas daljes nga spitali, pa iu siguruar një vend i përshtatshëm për të qëndruar dhe pa iu garantuar vijimësia e kujdesit.
Hetimi konstatoi gjithashtu se gjatë komunikimeve publike të spitalit ishin zbuluar të dhëna konfidenciale për gjendjen shëndetësore të pacientit, ndërsa mungesa e shërbimeve të përshtatshme të kujdesit shoqëror e kishte lënë atë pa mundësi strehimi.
Nëpërmjet vendimit, Komisioneri i ka përcaktuar Spitalit Rajonal Durrës një afat prej tre muajsh për të rishikuar procedurat e daljes nga spitali për pacientët e pastrehë, pa mbështetje familjare apo që nuk janë në gjendje të kujdesen për veten.

Sipas KMD-së, dalja e këtyre pacientëve duhet të realizohet vetëm pas një vlerësimi klinik dhe social, në bashkëpunim me strukturat e shërbimeve sociale dhe pasi të jetë siguruar një vend i përshtatshëm ku ata mund të qëndrojnë.
Spitali duhet gjithashtu të marrë masa për mbrojtjen e konfidencialitetit të të dhënave shëndetësore dhe trajnimin e personelit për mosdiskriminimin.
Ndërkohë, Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale i është përcaktuar një afat prej gjashtë muajsh për marrjen e masave për miratimin e një protokolli që rregullon bashkëpunimin ndërinstitucional për referimin dhe daljen e sigurt të pacientëve nga spitalet.
Ministria duhet të marrë masa edhe për sigurimin e shërbimeve publike rezidenciale, emergjente dhe rehabilituese për personat me varësi nga drogat.
Vendimi i Komisionerit evidenton një problem më të gjerë në koordinimin ndërmjet sistemit shëndetësor dhe atij të mbrojtjes sociale, veçanërisht për kategoritë vulnerabël që nuk kanë mbështetje familjare apo mundësi për të siguruar strehim dhe kujdes të vazhdueshëm. /ekofin.al
