Shqipëria dhe Kazakistani po shqyrtojnë mundësinë e vendosjes së linjave direkte ajrore, që do të lidhin Tiranën me dy prej qyteteve kryesore të vendit të Azisë Qendrore, Almaty dhe Astana. Kompania ajrore Air Astana ka nisur tashmë të analizojë mundësinë e operimit të fluturimeve direkte drejt kryeqytetit shqiptar.
Lajmi bëhet i ditur nga mediat kazake, duke iu referuar Komitetit të Aviacionit Civil të Ministrisë së Transportit të Kazakistanit.
Zgjerimi i bashkëpunimit dypalësh në fushën e aviacionit civil ishte në fokus të takimit ndërmjet kryetares së Komitetit të Aviacionit Civil të Kazakistanit, Saltanat Tompiyeva, dhe drejtoreshës së Departamentit të Legjislacionit dhe Sigurisë pranë Autoritetit të Aviacionit Civil të Shqipërisë, Edlira Kraja.
Takimi u zhvillua në Montreal, në kuadër të Konferencës së 7-të Botërore të Transportit Ajror të Organizatës Ndërkombëtare të Aviacionit Civil (ICAO).
Aktualisht, Shqipëria dhe Kazakistani nuk kanë linja të rregullta direkte ajrore, por interesi për lidhjen e Tiranës me Almaty dhe Astana është në rritje. Nisma për vendosjen e këtyre linjave ka marrë gjithashtu mbështetjen e Aeroportit Ndërkombëtar të Tiranës dhe Ambasadës së Kazakistanit.
Autoriteti i Aviacionit Civil të Shqipërisë ka shprehur gatishmërinë për të përshpejtuar punën për finalizimin e një marrëveshjeje dypalëshe për shërbimet ajrore, si dhe për të ofruar asistencën e nevojshme teknike.
Nga ana e saj, pala kazake ka konfirmuar gatishmërinë për të shqyrtuar projektmarrëveshjen e përgatitur nga Shqipëria dhe për të bashkëpunuar për finalizimin dhe nënshkrimin e saj.
Marrëveshja pritet të krijojë kuadrin ligjor të nevojshëm për vendosjen e fluturimeve direkte ndërmjet dy vendeve.
Hapja e linjave ajrore me Kazakistanin do të përbënte një zhvillim të rëndësishëm për zgjerimin e hartës së destinacioneve të Aeroportit Ndërkombëtar të Tiranës drejt Azisë Qendrore, duke krijuar mundësi të reja për zhvillimin e turizmit, shkëmbimeve tregtare dhe bashkëpunimit ekonomik ndërmjet dy vendeve. /ekofin.al
