Borxhi publik i Shqipërisë parashikohet të arrijë në 16 miliardë dollarë në vitin 2026, ose 49.7% të Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB), sipas të dhënave të Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN), të publikuara nga Visual Capitalist. Shqipëria renditet në vendin e 110-të në botë për vlerën nominale të borxhit qeveritar, duke shënuar një përmirësim të mëtejshëm krahasuar me vitin e kaluar.
Edhe sa i përket krahasimit me vendet e rajonit të përfshira në renditje, Shqipëria është në një pozicion më të favorshëm, me përjashtim të Kosovës, që edhe si shtet i ri, ka një borxh publik në nivele ende të ulëta.
Mali i Zi ka barrën më të lartë të borxhit në raport me ekonominë, në 66.8% të PBB-së, megjithëse vlera nominale e tij është vetëm 7 miliardë dollarë. Maqedonia e Veriut ka një borxh prej 11 miliardë dollarësh, ose 53.8% të PBB-së, ndërsa Kosova regjistron nivelin më të ulët, me 3 miliardë dollarë, ekuivalent me 18.1% të ekonomisë. Diferenca mes Shqipërisë dhe Kosovës arrin në 31.6 pikë përqindjeje, ndërsa borxhi i Malit të Zi është 17.1 pikë përqindjeje më i lartë se ai i Shqipërisë.
Të dhënat janë pjesë e renditjes globale për borxhin qeveritar në vitin 2026, të bazuar në raportin World Economic Outlook të FMN-së, të tetorit 2026. Treguesi përfshin borxhin bruto të qeverisë së përgjithshme dhe detyrimet e niveleve të ndryshme të qeverisjes. Shifrat për vitin 2026 janë parashikime dhe jo rezultate përfundimtare.

SHBA dhe Kina mbajnë më shumë se gjysmën e borxhit qeveritar botëror
Shtetet e Bashkuara të Amerikës kryesojnë renditjen botërore me 41.4 trilionë dollarë borxh qeveritar, që përfaqëson rreth një të tretën e totalit global.
Gjatë dekadës së fundit, borxhi amerikan është rritur nga 107.5% e PBB-së në vitin 2016 në 126.8% në vitin 2026, pasi huamarrja qeveritare ka tejkaluar ritmin e rritjes ekonomike.
Krahas rritjes së borxhit, po shtohet edhe kostoja e shërbimit të tij. Gjatë vitit fiskal 2026, pagesat neto të interesit në SHBA arritën në rreth 1.1 trilion dollarë, duke tejkaluar shpenzimet ushtarake me 225 miliardë dollarë, sipas të dhënave të Zyrës së Buxhetit të Kongresit Amerikan (CBO).
Kina renditet e dyta në botë, me 22.5 trilionë dollarë borxh qeveritar, ndërsa raporti i borxhit ndaj PBB-së parashikohet të tejkalojë për herë të parë nivelin 100%.
Ndryshe nga SHBA, një nga burimet kryesore të presionit mbi financat publike kineze lidhet me sistemin e financimit të qeverive vendore. Për vite me radhë, autoritetet lokale janë mbështetur te huamarrja dhe të ardhurat nga shitja e tokës për të financuar infrastrukturën dhe projektet e zhvillimit.
Dobësimi i tregut të pasurive të paluajtshme ka kufizuar këtë burim të ardhurash, duke shtuar vështirësitë financiare të autoriteteve vendore.

Nga Sudani te Japonia, 20 ekonomi me borxh mbi 100% të PBB-së
Vlera e borxhit në dollarë nuk tregon gjithmonë sa e rëndë është barra financiare për një vend. Për këtë arsye, raporti i borxhit ndaj PBB-së përdoret për të krahasuar detyrimet qeveritare me madhësinë e ekonomisë.
Në vitin 2026 borxhi qeveritar parashikohet të tejkalojë 100% të PBB-së në 20 ekonomi.
Sudani kryeson renditjen botërore me një borxh që arrin në 334.4% të PBB-së, i ndjekur nga Japonia me 199.4%. Nivele të larta regjistrohen edhe në disa prej ekonomive më të zhvilluara, përfshirë Francën, ku borxhi parashikohet në 118.5% të PBB-së, dhe Kanadanë, me 115.6%.
Në grupin e vendeve ku borxhi tejkalon madhësinë e ekonomisë përfshihet edhe Bolivia, me 100.2% të PBB-së.
Megjithatë, edhe vendet me një raport borxhi nën 100% mund të përballen me presione të konsiderueshme financiare, veçanërisht kur kostot e huamarrjes janë të larta dhe të ardhurat buxhetore janë të kufizuara.

