Një investim me vlerë indikative prej 144,5 milionë eurosh për përmirësimin strukturor të rrjetit të ujësjellësit të Tiranës është përfshirë në Listën Unike të Projekteve me Rëndësi Kombëtare për periudhën 2027–2029. Projekti nuk figuronte në listën e miratuar në korrik të këtij viti dhe përbën investimin e ri me vlerën më të lartë në dokumentin e rishikuar nga qeveria.
Me vendimin e Këshillit të Ministrave të 20 nëntorit, të botuar tashmë në Fletoren Zyrtare, investimi klasifikohet si projekt i maturuar dhe me nivel prioriteti institucional A. Institucionet përgjegjëse janë Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë dhe Agjencia Kombëtare e Ujësjellës-Kanalizimeve (AKUK).
Ndërhyrja synon përmirësimin strukturor të rrjetit të furnizimit me ujë të kryeqytetit, një infrastrukturë me rëndësi të drejtpërdrejtë për shërbimin ndaj familjeve dhe bizneseve.
![]()
Dy projekte me vlerë 274,5 milionë euro për Tiranën
Investimi për rrjetin e ujësjellësit i shtohet një tjetër projekti të rëndësishëm për kryeqytetin, atij për përmirësimin e sistemit të kanalizimeve për Tiranën e Madhe, faza e dytë, me një vlerë indikative prej 130 milionë eurosh.
Ky i fundit figuronte edhe në listën e mëparshme dhe vijon të klasifikohet si projekt pjesërisht i maturuar, me prioritet institucional A.
Vlera e kombinuar e dy investimeve në infrastrukturën e ujësjellës-kanalizimeve të kryeqytetit arrin kështu në 274,5 milionë euro.
Investimet e tjera në sektorin e ujësjellës-kanalizimeve
Përmirësimi i infrastrukturës së furnizimit me ujë dhe trajtimit të ujërave të ndotura zë një peshë të konsiderueshme në listën e investimeve prioritare të qeverisë.
Krahas projekteve për Tiranën, dokumenti parashikon 141,3 milionë euro për Programin Kombëtar të Modernizimit të Sektorit të Furnizimit me Ujë dhe Kanalizimeve në Shqipëri.
Për përmirësimin e impiantit të trajtimit të ujërave të ndotura në Durrës dhe rehabilitimin e sistemit të kanalizimeve në zonën historike të qytetit parashikohen 119,8 milionë euro.
Një tjetër investim prej 74,75 milionë eurosh synon rehabilitimin e sistemit të kanalizimeve në zonën veriore të Durrësit, duke përfshirë Porto Romanon, Spitallën dhe Shkozetin.
Ndërkohë, ndërtimi i sistemit të kanalizimeve në njësinë administrative Çërravë, në Bashkinë Pogradec, parashikohet të ketë një vlerë prej 18,121 milionë eurosh.
Me përfshirjen e projektit të ri për ujësjellësin e Tiranës, vlera e kombinuar indikative e këtyre gjashtë investimeve arrin në mbi 628 milionë euro./ekofin.al

