Forcimi i lekut ka ndihmuar në kufizimin e transmetimit të inflacionit të importuar në çmimet e brendshme, ndërsa prodhimi vendas i energjisë elektrike nga burimet hidrike ka zbutur ndikimin e goditjeve energjetike në ekonominë shqiptare.
Këto ishin disa nga mesazhet kryesore të Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, gjatë seminarit të Këshillit të Përgjithshëm të Bankës Qendrore Evropiane (BQE), që u zhvillua më 26 nëntor në Frankfurt.
Sejko vlerësoi se integrimi ekonomik dhe financiar me Bashkimin Evropian ka kontribuar në transformimin e ekonomisë shqiptare, zgjerimin e punësimit dhe konvergjencën me ekonomitë evropiane.
Rreth 75% e eksporteve shqiptare të mallrave kanë si destinacion tregjet e Bashkimit Evropian, i cili përbën gjithashtu burimin kryesor të investimeve të huaja direkte në Shqipëri. Grupet bankare evropiane kanë, ndërkohë, një peshë të konsiderueshme në sistemin financiar shqiptar.
Megjithatë, Guvernatori evidentoi se intensifikimi i marrëdhënieve ekonomike ndërkombëtare rrit edhe ekspozimin ndaj goditjeve të jashtme, ndikimi i të cilave varet nga karakteristikat strukturore të secilës ekonomi.
Referuar përvojës shqiptare, Sejko nënvizoi rëndësinë e regjimit të lirë të kursit të këmbimit dhe politikës monetare të bazuar në shënjestrimin e inflacionit. Këta dy mekanizma i kanë mundësuar Bankës së Shqipërisë të përshtatë vendimmarrjen me zhvillimet e ekonomisë vendase, duke ruajtur si objektiv kryesor stabilitetin e çmimeve.
Një tjetër çështje e rëndësishme e diskutimeve ishte pavarësia e bankave qendrore, si garanci për vendimmarrjen e mbështetur në analiza ekonomike dhe për ruajtjen e stabilitetit makroekonomik.
Në kuadër të aktivitetit, Guvernatori Sejko mori pjesë edhe në takimin e drejtuesve të bankave qendrore të vendeve kandidate dhe potencialisht kandidate për anëtarësim në BE me Piero Cipollone, anëtar i Bordit Ekzekutiv të BQE-së.
Në fokus të takimit ishin modernizimi i sistemeve të pagesave, pagesat e menjëhershme IPSA, Zona Unike e Pagesave në Euro (SEPA), euroja digjitale dhe projektet e Eurosistemit për shlyerjen e transaksioneve financiare me vlerë të madhe.
Seminari, i hapur nga Zëvendëspresidenti i BQE-së, Boris Vujčić, bëri bashkë guvernatorët e bankave qendrore të vendeve anëtare dhe aspirante për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Diskutimet trajtuan gjithashtu pasiguritë gjeopolitike, zhvillimet në tregjet energjetike dhe ndikimin e inteligjencës artificiale në ekonomi./ekofin.al

