Spitalet publike që gëzojnë statusin e autonomisë spitalore pritet të fitojnë kompetenca më të gjera në administrimin e të ardhurave, përcaktimin e tarifave për shërbime të caktuara, menaxhimin e personelit dhe lidhjen e kontratave me subjekte private, vendase dhe të huaja.
Një projektligj i depozituar në Kuvend nga grupi parlamentar i Partisë Socialiste, për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 55/2022 “Për shërbimin spitalor në Republikën e Shqipërisë”, synon të zgjerojë autonominë financiare, menaxheriale dhe kontraktore të institucioneve spitalore publike.
Sipas relacionit shoqërues, praktika e deritanishme e zbatimit të ligjit ka nxjerrë në pah disa kufizime që pengojnë shfrytëzimin e plotë të kapaciteteve diagnostikuese, trajtuese, njerëzore dhe infrastrukturore të spitaleve publike.
Spitalet do të administrojnë vetë të ardhurat
Projektligji parashikon që spitalet me autonomi financiare të kenë të drejtën të administrojnë dhe të disponojnë vetë të ardhurat e tyre, pavarësisht burimit të financimit.
Këto institucione do të mund të hartojnë dhe zbatojnë planet vjetore dhe afatmesme të të ardhurave të veta dhe shpenzimeve, si dhe të arkëtojnë e regjistrojnë të ardhurat në llogari bankare pranë bankave të nivelit të dytë.
Gjithashtu, spitalet autonome do të kenë të drejtë të krijojnë fonde rezervë dhe fonde investimesh nga të ardhurat e veta.
Fondet e akorduara nga buxheti i shtetit dhe Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor do të vijojnë të përdoren vetëm për qëllimin për të cilin janë akorduar dhe do të evidentohen veçmas në kontabilitet.
Tarifa për shërbimet jashtë skemës së sigurimeve
Një nga ndryshimet më të rëndësishme lidhet me të drejtën e spitaleve autonome për të përcaktuar llojet e shërbimeve mjekësore që ofrojnë jashtë paketës së mbuluar nga skema e sigurimit të detyrueshëm të kujdesit shëndetësor.
Tarifat për këto shërbime do të miratohen me vendim të bordit drejtues të spitalit, në përputhje me metodologjinë e përcaktuar në ligj.
Projektligji u njeh gjithashtu spitaleve të drejtën të përcaktojnë tarifa për marrjen e shërbimeve nëpërmjet korsisë preferenciale, pavarësisht sistemit të referimit, edhe për shërbimet që janë pjesë e paketës së mbuluar nga skema e sigurimit të detyrueshëm shëndetësor.
Kontrata me kompanitë private dhe zhvillimi i turizmit shëndetësor
Spitalet publike autonome do të mund të lidhin marrëveshje dhe kontrata me persona fizikë dhe juridikë, vendas ose të huaj, për ofrimin e shërbimeve specifike mjekësore dhe jomjekësore.
Partnerët e mundshëm përfshijnë spitalet jopublike, kompanitë private të sigurimeve shëndetësore, institucionet e tjera të kujdesit shëndetësor dhe subjekte të tjera private.
Projektligji parashikon mundësinë e bashkëpunimit për: Përdorimin e kapaciteteve diagnostikuese dhe trajtuese, përfshirë infrastrukturën dhe pajisjet mjekësore; Ofrimin e paketave shëndetësore për punëmarrësit e kompanive private; Ofrimin e shërbimeve për pacientët e huaj dhe zhvillimin e turizmit shëndetësor; Zhvillimin e shërbimeve të përbashkëta diagnostikuese, trajtuese dhe rehabilituese; Zhvillimin e telemjekësisë dhe teknologjive digjitale në shëndetësi; Kërkimin shkencor, studimet klinike dhe testimin e pajisjeve mjekësore; Organizimin e trajnimeve dhe aktiviteteve profesionale.
Spitalet do të mund të lidhin kontrata edhe me misionet diplomatike, organizatat ndërkombëtare dhe korporatat e huaja që veprojnë në Shqipëri, për ofrimin e shërbimeve shëndetësore për personelin e tyre.
Gjithashtu, parashikohet mundësia e kontraktimit të asistencës teknike, konsulencës dhe mbështetjes në menaxhimin spitalor, tërësisht ose pjesërisht, nga subjekte publike ose private, vendase apo të huaja.
Tarifat për shërbimet që janë objekt i këtyre marrëveshjeve nuk mund të jenë më të ulëta se kostoja e ofrimit të shërbimit.

Shpërblime për personelin sipas performancës
Projektligji krijon mundësi që një pjesë e të ardhurave të gjeneruara nga aktiviteti i spitaleve autonome të përdoret për shpërblimin e personelit sipas modelit të pagesës në bazë të performancës.
Të ardhurat e veta të spitaleve do të mund të përdoren për mbulimin e kostove të shërbimeve, investime në infrastrukturë, pajisje dhe teknologji mjekësore, zhvillimin dhe trajnimin e burimeve njerëzore, si dhe pagesën e detyrimeve kontraktore.
Ndërkohë, ndalohet përdorimi i këtyre të ardhurave për sponsorizime apo shpenzime që nuk lidhen me objektin e veprimtarisë së spitalit.
Një tjetër ndryshim i propozuar është zgjerimi i praktikës së dyfishtë të personelit mjekësor përtej konsultave ambulatore.
Sipas relacionit, synimi është që kapacitetet profesionale të mjekëve të shfrytëzohen brenda strukturave publike, jashtë orarit të përcaktuar të punës, në vend që të zhvendosen drejt sektorit privat, duke krijuar njëkohësisht të ardhura shtesë për spitalin dhe motivim financiar për personelin.
Kontratat me privatët do të publikohen
Për të garantuar transparencën në marrëdhëniet me sektorin privat, projektligji përcakton procedura të posaçme për përzgjedhjen e partnerëve.
Përpara lidhjes së marrëveshjeve, spitalet duhet të kryejnë një vlerësim të nevojave, kapaciteteve në dispozicion, interesit ekonomik dhe përfitimit që bashkëpunimi sjell për institucionin dhe sistemin shëndetësor publik.
Në rastet kur marrëveshja parashikon përzgjedhjen e një subjekti privat, spitali duhet të publikojë një thirrje për shprehje interesi në faqen zyrtare të internetit dhe në Buletinin e Njoftimeve Zyrtare.
Spitalet autonome do të jenë të detyruara të publikojnë regjistrin e kontratave me palët e treta private, ku do të pasqyrohen palët, objekti, vlera dhe kohëzgjatja e kontratës, brenda 15 ditëve nga lidhja e saj.
Gjithashtu, çdo gjashtë muaj do të dorëzohet pranë ministrisë përgjegjëse për shëndetësinë një raport mbi të ardhurat e veta, kontratat me privatët dhe përdorimin e të ardhurave. /ekofin.al

