Një parking nëntokësor me dy kate pritet të ndërtohet në zonën e Liqenit Artificial në Tiranë, pranë rrugës “Hiqmet Buzi”. Bashkia e Tiranës ka shpallur garën për realizimin e projektit, me një fond limit prej afro 456 milionë lekësh. Sipas dokumentit të publikuar në Agjencinë e Prokurimit Publik, investimi synon t’i japë zgjidhje mungesës së vendeve të parkimit për vizitorët e liqenit dhe të reduktojë automjetet e parkuara në sipërfaqe.
Ndërkohë, duke iu referuar dokumentit të publikuar në Agjencinë e Prokurimit Publik, projekti parashikon një fond limit prej 455 milionë e 992 mijë lekësh. Në dispozicion të projektit është vënë një sipërfaqe prej 6 mijë e 735 metrash katrorë, ndërsa gjurma e parkingut parashikohet të jetë 2 mijë e 451 metra katrorë për secilin nivel, me një sipërfaqe totale ndërtimi prej 4 mijë e 902 metrash katrorë.
Argumenti kryesor për realizimin e këtij investimi lidhet me vështirësitë e parkimit në Tiranë dhe fluksin e automjeteve që frekuentojnë zonën e liqenit. Në dokumentet shoqëruese theksohet se mungesa e hapësirave të mjaftueshme për parkim në zonat urbane krijon ngarkesë shtesë në rrugë dhe ndikon në qarkullimin e automjeteve.
Përmes ndërtimit nëntokësor, synohet që automjetet e vizitorëve të akomodohen në një hapësirë të organizuar, duke reduktuar parkimin në sipërfaqe. Sipas objektivave të përcaktuara në projekt, kjo zgjidhje do të mundësojë përdorimin e hapësirës së jashtme për funksione rekreative, gjelbërim dhe aktivitete në shërbim të qytetarëve.
Një tjetër qëllim i ndërhyrjes është përmirësimi i aksesit për vizitorët përmes një menaxhimi më të mirë të parkimit në hyrjen jugore.
Me këtë investim, synohet të krijohet një zgjidhje më e organizuar për parkimin e automjeteve pranë Liqenit Artificial, duke liruar hapësirat në sipërfaqe dhe përmirësuar kushtet për vizitorët. /Scantv

