Diploma universitare mbetet një tregues i rëndësishëm i formimit profesional, por nuk është më kriteri i vetëm që përcakton nëse një kandidat është i përshtatshëm për një vend pune. Në tregun europian të punës po fiton terren modeli i rekrutimit të bazuar te aftësitë (skills-first hiring), ku punëdhënësit vlerësojnë gjithnjë e më shumë atë që një person di të bëjë në praktikë, pavarësisht nëse këto aftësi janë fituar përmes universitetit, përvojës së punës, trajnimeve apo formave të tjera të të nxënit.
Sipas raportit të OECD-së “A Skills-First Labour Market”, tregu i punës po zhvendoset nga mbështetja ekskluzive te kualifikimet tradicionale drejt një vlerësimi më të madh të aftësive të provuara. Kjo qasje nuk synon të zëvendësojë diplomat, por t’u japë më shumë peshë kompetencave që kandidatët mund të demonstrojnë realisht.
Glenda Quintini, ekonomiste e lartë në OECD, shpjegon se punësimi i bazuar te aftësitë synon të përmirësojë përputhjen mes talenteve dhe vendeve të punës, duke marrë në konsideratë aftësitë e fituara në mënyra të ndryshme. Pra, një kandidat nuk vlerësohet vetëm nga institucioni ku ka studiuar apo diploma që zotëron, por edhe nga kompetencat konkrete që mund të sjellë në një kompani.
Suedia dhe Franca në krye, Greqia dhe Hungaria në fund
Indeksi i Gatishmërisë dhe Përvetësimit të Modelit të Punësimit të Bazuar te Aftësitë, i hartuar nga OECD, mat në një shkallë nga 0 në 1 se sa të përgatitura janë vendet për këtë model dhe sa gjerësisht e zbatojnë atë.
Suedia kryeson renditjen europiane me 0.70 pikë, e ndjekur nga Franca me 0.69, Mbretëria e Bashkuar me 0.65 dhe Belgjika me 0.64. Mbi mesataren europiane prej 0.58 pikësh renditen gjithashtu Finlanda me 0.63, si dhe Çekia, Norvegjia dhe Letonia, me nga 0.61 pikë.
Në nivelin e mesatares prej 0.58 pikësh pozicionohen Spanja, Danimarka, Portugalia, Italia, Lituania, Polonia dhe Austria. Ndërkohë, Gjermania dhe Zvicra kanë nga 0.57 pikë, ndërsa Holanda 0.56.
Në fund të renditjes janë Hungaria me 0.45 pikë dhe Greqia me 0.46. Turqia, Sllovakia dhe Sllovenia gjithashtu kanë rezultate nën mesataren europiane.
Indeksi nuk mat thjesht nivelin e arsimit në një vend.
Ai vlerëson se sa mirë identifikohen, zhvillohen, njihen dhe shpërblehen aftësitë, duke përfshirë pjesëmarrjen e të rriturve në arsimimin e vazhdueshëm, përdorimin e të dhënave për aftësitë, mbështetjen publike për trajnimet dhe mënyrën se si punëdhënësit i vlerësojnë kompetencat e kandidatëve.
Suedia dallohet për politikat mbështetëse dhe përdorimin e të dhënave mbi aftësitë, ndërsa ekspertët e OECD-së theksojnë se vendet me rezultate më të ulëta përballen me pengesa më të mëdha në pjesëmarrjen e të rriturve në trajnim dhe në zhvillimin e sistemeve të të nxënit gjatë gjithë jetës.
Mungesa e punonjësve të kualifikuar po ndryshon kriteret e rekrutimit
Një nga arsyet kryesore që po e shtyn këtë transformim është hendeku mes aftësive që kërkojnë kompanitë dhe atyre që disponojnë kandidatët. Sipas të dhënave të OECD-së, në vitin 2025 më shumë se 70% e punëdhënësve në vendet anëtare raportuan vështirësi në plotësimin e vendeve të lira të punës për shkak të mungesës së punonjësve me aftësitë e duhura.
Në të njëjtën kohë, rreth një e treta e punonjësve deklarojnë se janë ose më të kualifikuar, ose më pak të kualifikuar nga sa kërkon pozicioni i tyre aktual.
Kjo mospërputhje po i detyron kompanitë të zgjerojnë bazën e kandidatëve dhe të mos kufizohen vetëm te diplomat apo kriteret tradicionale të arsimit. Sipas Pawel Adrjan, drejtor i kërkimit ekonomik në Indeed, rëndësia e diplomës ndryshon në varësi të profesionit.
Në disa sektorë, veçanërisht në profesionet e specializuara dhe ato të rregulluara me ligj, kualifikimi formal mbetet i domosdoshëm. Megjithatë, ai nuk është gjithmonë mënyra e vetme për të provuar aftësitë e nevojshme për një pozicion.
Një shembull është tregu britanik, ku vetëm 14% e njoftimeve për vende pune në platformën Indeed përmendin shprehimisht kërkesën për arsim formal, krahasuar me 50% në SHBA.
Sa më shumë arsim, aq më shumë të ardhura?
Pavarësisht ndryshimit të kritereve të punësimit, arsimi vijon të ketë një ndikim të rëndësishëm në të ardhurat. Sipas OECD-së, një nivel më i lartë arsimimi shoqërohet mesatarisht me rritje prej rreth 16% të pagës, ndërsa përmirësimi i aftësive numerike lidhet me një rritje prej rreth 9%, kur krahasohen diferenca me përmasa të ngjashme.
Kjo tregon se diplomat vazhdojnë të kenë vlerë në tregun e punës, veçanërisht kur punëdhënësit nuk kanë informacion të mjaftueshëm për aftësitë konkrete të kandidatëve.
Franca është i vetmi vend europian në indeks ku aftësitë numerike kanë një përfitim relativ më të lartë në të ardhura sesa diferencat në nivelin arsimor.
Rezultati i saj është 1.33, çka nënkupton se një diferencë në aftësitë numerike shoqërohet me një përfitim në pagë rreth një të tretën më të lartë se një diferencë e krahasueshme në arsim.
Megjithatë, ekspertët paralajmërojnë se ky tregues mat vetëm aftësitë numerike dhe nuk përfshin të gjitha kompetencat teknike, sociale apo specifike që kërkohen në profesione të ndryshme.
Inteligjenca artificiale përshpejton ndryshimin e aftësive të kërkuara
Digjitalizimi, tranzicioni i gjelbër dhe inteligjenca artificiale po ndryshojnë me shpejtësi kërkesat e tregut të punës. Kjo nënkupton se aftësitë që kërkohen sot mund të mos jenë të mjaftueshme për pozicionet e punës në vitet e ardhshme.
Anna Toni, specialiste e lartë në Ministrinë e Çështjeve Ekonomike dhe Punësimit në Finlandë, thekson se aftësitë e vlefshme nuk fitohen vetëm përmes arsimit formal, por edhe nga përvoja profesionale, puna vullnetare, aktivitetet personale dhe përvoja të tjera jetësore.
Për këtë arsye, po zhvillohen mënyra të reja për identifikimin dhe certifikimin e këtyre kompetencave, ndërsa politikat e arsimit dhe punësimit duhet të përshtaten me ritmin e ndryshimeve teknologjike.
Sipas ekspertëve, shumica e vendeve europiane kanë krijuar tashmë bazat për kalimin drejt një tregu pune të orientuar nga aftësitë. Sfida e radhës është që ky model të mos mbetet vetëm një parim në strategji, por të bëhet pjesë e zakonshme e mënyrës se si kompanitë rekrutojnë, trajnojnë dhe promovojnë punonjësit.
Në këtë realitet, diploma nuk e humbet vlerën, por nuk garanton më e vetme konkurrueshmërinë profesionale.
Ajo që po fiton peshë është aftësia për të zbatuar njohuritë, për t’u përshtatur me teknologjitë e reja dhe për të përditësuar vazhdimisht kompetencat. /Përshtati nga Euronews, ekofin.al
