Shqiptarët po shfaqin një qëndrim gjithnjë e më skeptik ndaj ndikimit të imigracionit në ekonomi dhe siguri, megjithëse vazhdojnë të jenë ndër më pozitivët në rajon për disa nga përfitimet e tij. Sipas sondazhit Securimeter 2026, 57% e shqiptarëve mendojnë se imigracioni rrit kriminalitetin, nga 47% në vitin 2025, ndërsa 53% besojnë se ai shton papunësinë mes vendasve, nga 41% një vit më parë.
Në të dy treguesit, Shqipëria regjistron nivelin më të lartë të shqetësimit në Ballkanin Perëndimor. Mesatarja rajonale për lidhjen e imigracionit me kriminalitetin është 48%, ndërsa për papunësinë 44%. Krahasuar me vitin 2025, shqetësimi për kriminalitetin në Shqipëri është rritur me 10 pikë përqindjeje, ndërsa ai për papunësinë me 12 pikë përqindjeje.
Rritje vihet re edhe në perceptimin e rrezikut të terrorizmit. Gjysma e shqiptarëve, ose 50%, besojnë se imigracioni e shton këtë rrezik, krahasuar me 40% në vitin 2025. Shqipëria renditet pas Serbisë, ku kjo bindje mbështetet nga 52% e të anketuarve, ndërsa mesatarja rajonale është 46%.

Ndryshimi më i fortë në perceptimin ekonomik lidhet me kontributin e imigrantëve në tregun e punës. Vetëm 39% e shqiptarëve mendojnë se ata ndihmojnë në plotësimin e vendeve të rëndësishme të lira të punës, nga 53% në vitin 2025. Rënia prej 14 pikësh përqindjeje është më e madhja në rajon, ku mesatarja ka zbritur nga 25% në 21%. Megjithatë, Shqipëria vazhdon të ketë përqindjen më të lartë të qytetarëve që e njohin këtë kontribut, përpara Maqedonisë së Veriut me 25% dhe Kosovës me 24%.
Qëndrimet bëhen më pozitive kur imigracioni shihet nga këndvështrimi humanitar. Në Shqipëri, 69% e qytetarëve besojnë se dhënia e azilit për refugjatët është një detyrim humanitar, përqindja më e lartë në Ballkanin Perëndimor dhe ndjeshëm mbi mesataren rajonale prej 38%. Megjithatë, kjo mbështetje është ulur nga 78% në vitin 2025.
Po kështu, 71% e shqiptarëve mendojnë se imigracioni u jep njerëzve nga vendet e varfra mundësinë për një jetë më të mirë, kundrejt 50% në nivel rajonal. Edhe ky tregues ka pësuar rënie, nga 80% një vit më parë.
Një tjetër ndryshim vërehet në perceptimin e diversitetit kulturor. Vetëm 36% e shqiptarëve besojnë se imigracioni pasuron shoqërinë përmes kulturave të ndryshme, nga 42% në vitin 2025. Megjithatë, kjo mbetet përqindja më e lartë në rajon, ku mesatarja është 23%. Në Maqedoninë e Veriut, Mal të Zi dhe Serbi, vetëm 18–19% e qytetarëve e ndajnë këtë pikëpamje.
Të dhënat e Securimeter 2026 nxjerrin kështu në pah një kontrast: shqiptarët shfaqin shqetësimin më të madh në rajon për pasojat e mundshme të imigracionit mbi sigurinë dhe punësimin, por njëkohësisht mbeten më pozitivët për rolin e tij humanitar, mundësitë ekonomike që krijon për imigrantët dhe kontributin në plotësimin e vendeve të lira të punës./ekofin.al
