Amerikanët paguajnë mesatarisht 51,109 dollarë për një makinë të re, por çmimet ndryshojnë ndjeshëm sipas markës. Porsche kryeson me mbi 125 mijë dollarë, ndërsa Mitsubishi mbetet marka me çmimin mesatar më të ulët. Në listën e markave më të shtrenjta renditen edhe Land Rover, Cadillac, Lincoln dhe BMW, ndërsa markat aziatike dominojnë segmentin më ekonomik.
Çmimi mesatar i një automjeti të ri në SHBA arriti një rekord prej 51,109 dollarësh në tetor 2026, por shuma që paguajnë blerësit ndryshon ndjeshëm në varësi të markës, përmasave të automjetit dhe modeleve që ofron prodhuesi.
Sipas të dhënave të Kelley Blue Book, pjesë e Cox Automotive, të përpunuara nga Visual Capitalist, çmimi mesatar i transaksionit për automjetet e reja në SHBA varion nga 33,579 dollarë për Mitsubishi, deri në 125,270 dollarë për Porsche.
Të dhënat përfshijnë çmimet e transaksioneve në tetor 2026, pa përfshirë incentivat për konsumatorët, taksat dhe tarifat. Krahasimi përfshin 31 marka automjetesh.

Porsche, marka më e shtrenjtë
Porsche renditet në vendin e parë, me një çmim mesatar prej 125,270 dollarësh për automjetet e reja, duke u pozicionuar dukshëm mbi markat e tjera.
Në vendin e dytë renditet Land Rover, me 102,826 dollarë, ndërsa Cadillac zë vendin e tretë me 90,101 dollarë.
Në gjashtë markat më të shtrenjta përfshihen edhe Lincoln, BMW dhe Mercedes-Benz, me çmime mesatare përkatësisht 78,132 dollarë, 73,149 dollarë dhe 71,086 dollarë.
Një element që bie në sy në renditje është se markat Ram dhe GMC, të cilat kanë një përqendrim të madh në automjetet e transportit, kamionçinat dhe SUV-të e mëdha, rezultojnë më të shtrenjta se disa marka të njohura luksoze.
Ram ka një çmim mesatar prej 69,850 dollarësh, ndërsa GMC prej 65,607 dollarësh. Të dyja renditen përpara Audi, Genesis, Lexus dhe Volvo.
Kjo lidhet kryesisht me strukturën e modeleve që ofrojnë këto marka. Kamionçinat e mëdha dhe SUV-të me përmasa të plota kanë çmime më të larta, duke rritur mesataren e transaksioneve. Në tetor, çmimi mesatar i kamionçinave të mëdha në tregun amerikan arriti 67,912 dollarë, ndërsa SUV-të e mëdha u shitën mesatarisht për 80,957 dollarë.
Diferenca mes markës më të shtrenjtë dhe asaj më ekonomike arrin afro 92 mijë dollarë. Porsche kushton mesatarisht më shumë se 22 mijë dollarë mbi Land Rover, që renditet në vendin e dytë.
Chevrolet, me 51,058 dollarë, rezulton pothuajse në nivelin e mesatares së tregut amerikan, me një diferencë prej vetëm 51 dollarësh më pak.

Markat europiane dominojnë segmentin e shtrenjtë
Markat europiane zënë katër nga gjashtë pozicionet e para të renditjes, duke reflektuar peshën e modeleve luksoze në tregun amerikan.
Përveç Porsche dhe Land Rover, në grupin e markave me çmimet më të larta përfshihen BMW dhe Mercedes-Benz. Gjashtë nga tetë markat europiane në listë kanë një çmim mesatar mbi 61 mijë dollarë.
Përjashtim bëjnë MINI, me 41,075 dollarë, dhe Volkswagen, me 40,185 dollarë.
Megjithatë, çmimet më të larta nuk lidhen vetëm me prestigjin e markës, por edhe me llojin e automjeteve që ajo shet në tregun amerikan, ku SUV-të, modelet premium dhe automjetet me motorë e pajisje më të fuqishme kanë peshë të konsiderueshme në shitje.
Markat aziatike dominojnë segmentin më ekonomik
Në anën tjetër të renditjes, markat japoneze dhe koreano-jugore përbëjnë shtatë nga tetë prodhuesit që kanë një çmim mesatar nën 40 mijë dollarë.
Toyota, me 44,168 dollarë, renditet mbi këtë grup, por sërish rreth 7 mijë dollarë nën mesataren e tregut amerikan.
Një nga arsyet është se shumë prodhues aziatikë i ofrojnë modelet luksoze përmes markave të veçanta, si Lexus, Acura, Genesis dhe Infiniti, ndërsa markat kryesore vijojnë të kenë në ofertë automjete më të vogla, sedanë dhe crossover me çmime më të përballueshme.
Mitsubishi kryeson segmentin më ekonomik, me një çmim mesatar prej 33,579 dollarësh, e ndjekur nga Mazda me 37,082 dollarë dhe Buick me 37,400 dollarë.
Buick është marka e vetme amerikane në listë me çmim mesatar nën 40 mijë dollarë. Edhe pse gama e saj përbëhet kryesisht nga SUV-të, ajo nuk ka në ofertë kamionçinat e mëdha që ndikojnë në rritjen e çmimeve mesatare të Ford, Chevrolet dhe GMC.
Automjetet më të përballueshme vijojnë të kenë kërkesë
Të dhënat tregojnë se automjetet kompakte vijojnë të jenë ndër alternativat më ekonomike për konsumatorët amerikanë.
Në tetor, çmimi mesatar i makinave kompakte ishte 28,030 dollarë, ndërsa SUV-të kompakte kushtonin mesatarisht 37,895 dollarë.
Kërkesa për automjete në intervalin 28 mijë–38 mijë dollarë është gjithashtu në rritje, me shitjet që sipas Kelley Blue Book u rritën 9.6% në bazë vjetore./Përshtati nga visual capitalist, ekofin.al
