Tokat e dëmtuara mund t’i kushtojnë ekonomisë së BE-së nga 286 deri në 509 miliardë euro gjatë periudhës 2028-2034, nëse humbjet vjetore vijojnë me ritmet e sotme. Ky është vlerësimi i publikuar të enjten nga organizata Save Soil.
Grupi ndërkombëtar i fushatës kërkon që Politika e Përbashkët Bujqësore (PPB) e ardhshme, skema e subvencioneve bujqësore të BE-së, t’i shpërblejë fermerët për përmirësimet e provuara në shëndetin e tokës, në vend që t’ua lërë atyre barrën financiare të rikuperimit të saj.
Save Soil u krijua në vitin 2022 nga udhëheqësi shpirtëror indian Sadhguru dhe organizata jofitimprurëse Isha Foundation, me synimin për të nxitur qeveritë të miratojnë politika për mbrojtjen dhe restaurimin e tokave.
Vlerësimi i organizatës mbështetet në kërkimet e Qendrës së Përbashkët të Kërkimeve (JRC), shërbimi shkencor i brendshëm i Komisionit Evropian, sipas të cilit kostoja vjetore e degradimit të tokës në BE varion nga 40.9 deri në 72.7 miliardë euro.
Save Soil e ka shumëzuar këtë vlerë me shtatë vitet e buxhetit të ardhshëm afatgjatë të BE-së, i cili aktualisht është në diskutim në Bruksel.
Përllogaritja përfshin erozionin, ndotjen, ngjeshjen e tokës dhe humbjen e karbonit në të, mes dëmtimeve të tjera. JRC ka vënë në dukje se fatura financiare mund të dyfishohet nëse në llogaritje përfshihen edhe kostot që lidhen me humbjen e biodiversitetit, përmbytjet, thatësirat dhe pasojat në shëndetin e njerëzve.
Negociatat për buxhetin bujqësor
Në korrik të vitit 2025, Komisioni Evropian propozoi që të paktën 300 miliardë euro të rezervoheshin për të ardhurat e fermerëve dhe mbështetjen në raste krizash, duke filluar nga viti 2028.
Më 26 tetor, ministrat e Bujqësisë të vendeve të BE-së ranë dakord për qëndrimin e tyre mbi rregullat e Politikës së Përbashkët Bujqësore, por financimi u la në kuadër të negociatave më të gjera për buxhetin.
Negociatat për bujqësinë në konferencën COP31 në Turqi përfunduan pa një rezultat domethënës, ndërsa vendimmarrja u shty për vitin 2027.
“Evropa po diskuton për qindra miliarda euro mbështetje për bujqësinë, ndërkohë që degradimi i tokës po i shkakton tashmë ekonomisë së saj kosto të jashtëzakonshme”, deklaroi Rico Rau, autori kryesor i raportit të organizatës për COP31.
“Politika e ardhshme e Përbashkët Bujqësore nuk duhet thjesht t’i kompensojë fermerët për vështirësitë me të cilat përballen. Ajo duhet t’i ndihmojë ata të rikuperojnë pasurinë prodhuese nga e cila varet jetesa e tyre”, shtoi ai.
Rreziqet për industrinë ushqimore
Sipas Komisionit Evropian, 60% deri në 70% e tokave në BE janë në gjendje të keqe shëndetësore, duke dobësuar aftësinë e tyre për të mbështetur bujqësinë, për të mbajtur ujin dhe për t’u përballur me kushtet ekstreme të motit.
Tokat me cilësi të dobët mund të ulin rendimentin e të korrave, të rrisin kostot dhe t’i bëjnë zinxhirët e furnizimit më të cenueshëm, paralajmëron Save Soil.
Vetëm sektori i ushqimit dhe pijeve në BE realizon një xhiro vjetore prej 1.5 trilionë eurosh dhe punëson 4.8 milionë persona, sipas organizatës përfaqësuese të industrisë, FoodDrinkEurope.
Save Soil kërkon që Politika e Përbashkët Bujqësore t’i shpërblejë fermerët për përmirësimet e matshme në shëndetin e tokës, si dhe ata që tashmë zotërojnë toka me gjendje të mirë.
Organizata bëri gjithashtu thirrje që Ligji për Monitorimin e Tokës, ligji i parë i BE-së në këtë fushë, të sigurojë të dhëna të standardizuara dhe të besueshme, pa krijuar matje dhe burokraci të panevojshme.
Ky ligj hyri në fuqi në dhjetor 2025, por nuk përcakton objektiva detyruese për restaurimin e tokave.
Dy propozimet e tjera të organizatës lidhen me skemën e certifikimit të bujqësisë së karbonit në BE, e cila duhet të shpërblejë përfitimet mjedisore të verifikuara, si dhe me përdorimin e fuqisë blerëse të institucioneve publike për të garantuar kërkesë të qëndrueshme për produktet ushqimore të kultivuara në mënyrë të qëndrueshme.
“Nëse duam të garantojmë sigurinë ushqimore, bujqësia duhet të jetë fitimprurëse”, deklaroi Sadhguru në komentet e shpërndara nga organizata. Ai shtoi se qeveritë duhet ta bëjnë bujqësinë fitimprurëse, në të kundërt fëmijët e fermerëve nuk do të zgjedhin ta ushtrojnë këtë profesion./Përshtati nga Euronews, ekofin.al
