Shqipëria nuk ka ende një sistem të konsoliduar dhe të besueshëm për të matur se sa prodhim ushqimor humbet në ferma, përpara se të arrijë në treg. Megjithëse janë kryer studime dhe iniciativa të mëparshme, humbjet në fazën e prodhimit bujqësor maten rrallë dhe nuk monitorohen në mënyrë të vazhdueshme në nivel kombëtar.
Problematika evidentohet në dokumentin e rekomandimeve për Shqipërinë të projektit evropian FOLOU, i cili propozon krijimin e një sistemi kombëtar matjeje dhe parandalimi, duke filluar në vitin 2027 me projekte pilot për frutat dhe perimet në 2–3 rajone të vendit dhe duke synuar shtrirjen në shkallë kombëtare deri në vitin 2030.
Dokumenti është përgatitur nga YPARD Albania dhe Instituti për Bashkitë Shqiptare, me mbështetjen e ACR+, në kuadër të programit të kërkimit dhe inovacionit Horizon Europe.
Për të adresuar mungesën e të dhënave, dokumenti propozon një udhërrëfyes kombëtar për periudhën 2027–2030, i cili parashikon fillimisht projekte pilot dhe më pas zgjerimin gradual të sistemit të matjes dhe parandalimit.
Gjatë vitit 2027 rekomandohet nisja e matjeve për frutat dhe perimet në 2–3 rajone përfaqësuese të Shqipërisë. Këto produkte konsiderohen prioritare për shkak të prishjes së shpejtë dhe rrezikut të humbjeve përpara, gjatë dhe pas vjeljes.
Zonat pilot duhet të përfaqësojnë sisteme të ndryshme të prodhimit bujqësor, duke përfshirë hortikulturën intensive në zonat fushore, fermat e përziera kodrinore dhe zonat malore të orientuara drejt blegtorisë.
Në këtë fazë propozohet të identifikohen jo vetëm sasitë e humbura, por edhe faktorët që i shkaktojnë ato, përfshirë teknikat dhe kohën e vjeljes, kushtet e ruajtjes, transportin, grumbullimin dhe mundësitë e shitjes.
Gjatë viteve 2028–2029, programi i propozuar parashikon zgjerimin e matjeve në produkte dhe rajone të tjera, mobilizimin e financimeve dhe krijimin e një platforme digjitale për mbledhjen dhe analizimin e të dhënave. Në këtë periudhë rekomandohet edhe rishikimi i strategjisë dhe planit kombëtar për parandalimin e humbjeve dhe mbetjeve ushqimore.
Deri në vitin 2030 synohet që sistemi të shtrihet në nivel kombëtar, me matje periodike dhe monitorim të integruar në institucionet ekzistuese, përfshirë INSTAT-in dhe ministritë përgjegjëse.
Autorët propozojnë që metodologjia të mbështetet në standardin teknik europian CWA 18410:2026 dhe të lidhet, aty ku është e mundur, me regjistrimin e ardhshëm bujqësor dhe Rrjetin e të Dhënave për Qëndrueshmërinë e Fermave (FSDN). Qëllimi është që të mos krijohen struktura statistikore paralele, por të shfrytëzohen sistemet ekzistuese.
Rreth 359 mijë ferma të vogla, nevojë për investime dhe financime alternative
Zbatimi i masave për reduktimin e humbjeve vështirësohet edhe nga struktura e fragmentuar e bujqësisë shqiptare.
Sipas një analize të Bankës Botërore, të cituar në dokument, Shqipëria ka rreth 359 mijë ferma, me një sipërfaqe mesatare prej afërsisht një hektari. Përmasat e vogla kufizojnë mundësitë e shumë fermerëve për të përballuar individualisht investime në magazinim, ambiente frigoriferike, pajisje teknologjike apo sisteme logjistike.
Për këtë arsye, FOLOU rekomandon zgjidhje të përbashkëta, përfshirë grumbullimin kolektiv të prodhimeve, përdorimin e kapaciteteve të përbashkëta të ruajtjes dhe përmirësimin e lidhjeve me tregjet lokale. Dokumenti sugjeron gjithashtu përfshirjen e të rinjve dhe sipërmarrjeve të agroteknologjisë në zhvillimin e mjeteve digjitale, sistemeve të paralajmërimit të hershëm dhe zgjidhjeve me kosto të përballueshme.
Një tjetër rekomandim lidhet me financimin e këtyre investimeve. Duke marrë parasysh procesin e akreditimit të IPARD III, i cili në kohën e përgatitjes së dokumentit, në tetor 2026, ende nuk kishte përfunduar, autorët sugjerojnë që projektet për matjen dhe reduktimin e humbjeve të mos varen ekskluzivisht nga ky program.
Si mundësi alternative përmenden linjat e buxhetit kombëtar, Mekanizmi i Reformës dhe Rritjes i Bashkimit Evropian për Ballkanin Perëndimor, programet e donatorëve dhe financimi i kombinuar ose me kushte lehtësuese.
Sipas rekomandimeve, fondet duhet të orientohen drejt ndërhyrjeve me ndikim të matshëm, në vend që mbështetja të kufizohet te financimi i pajisjeve apo infrastrukturës pa një vlerësim paraprak të nevojave.
Në këtë kuadër, propozohet që në zonat pilot të identifikohen kapacitetet ekzistuese të magazinimit, ftohjes, grumbullimit dhe transportit, për të përcaktuar ku ka boshllëqe konkrete që mund të financohen.
FOLOU kërkon gjithashtu përfshirjen e institucioneve qendrore, bashkive, organizatave të fermerëve dhe partnerëve ndërkombëtarë në një mekanizëm koordinimi, i cili do të monitoronte rezultatet dhe do të shmangte mbivendosjen e projekteve./ekofin.al
