Mijëra punonjës dhe studentë dolën në rrugët e qyteteve europiane, duke kërkuar rritje të pagave, përmirësim të kushteve të jetesës dhe më shumë investime në shërbimet publike.
Protestat nisën në më shumë se 25 vende europiane dhe pritet të vijojnë gjatë fundjavës, në kuadër të një lëvizjeje të koordinuar ndërkombëtare.
Demonstratat zhvillohen pas disa javësh protestash për rritjen e kostove të strehimit, përkeqësimin e kushteve në arsim dhe shtimin e shpenzimeve ushtarake. Protestuesit kërkojnë më shumë fonde për paqen, shëndetësinë dhe mbrojtjen sociale.
Itali, protestat kërkojnë paga më të larta dhe shërbime publike më cilësore
Në Itali, një grevë 24-orëshe e thirrur nga Konfederata e Përgjithshme Italiane e Punës (CGIL) shkaktoi demonstrata në më shumë se 100 qytete dhe zona.
Protestuesit kundërshtuan pagat e pandryshuara, rritjen e kostos së jetesës dhe atë që organizatorët e cilësuan si dështim të qeverisë për të përmirësuar shërbimet publike dhe për të mbrojtur të drejtat e punonjësve.
Në protesta u bashkuan edhe drejtues të opozitës, të cilët kritikuan qeverinë e kryeministres Giorgia Meloni për politikat e pagave dhe shpenzimet sociale.
Greva, e cila përkoi me Ditën Ndërkombëtare të Mobilizimit të Studentëve, preku sektorin publik dhe atë privat, duke shkaktuar ndërprerje të transportit publik në disa qytete, si dhe të mësimit në shkolla dhe të aktivitetit në disa institucione shëndetësore.
Grevat e planifikuara nga punonjësit e transportit ajror u anuluan për të premten, ndërsa protesta të tjera të punonjësve të aeroporteve pritet të zhvillohen të dielën në Milano dhe Venecia.
Autoritetet dislokuan forca shtesë policore në disa qytete italiane, ku u zhvilluan njëkohësisht disa demonstrata.
Kroaci, Austri dhe Gjermani, studentët kërkojnë më shumë investime në arsim
Në Kroaci, studentët bojkotuan mësimin dhe protestuan në rreth një duzinë qytetesh, duke kërkuar më shumë investime në arsim, strehim dhe shërbime publike, në vend të shpenzimeve ushtarake.
Në Austri, disa qindra persona u mblodhën përpara Universitetit të Vjenës në një protestë të organizuar nga të rinjtë, ku kërkuan rritjen e financimit për arsimin dhe uljen e shpenzimeve për armatime.
Policia shpërndau protestën pas raportimit të incidenteve, duke përdorur gaz lotsjellës dhe duke arrestuar disa persona.
Në Gjermani, demonstruesit kërkuan investime më të mëdha në arsim dhe kundërshtuan rikthimin e mundshëm të shërbimit të detyrueshëm ushtarak. Protestat vijnë pas demonstratave të 31 tetorit, të cilat nxorën mijëra njerëz në rrugë dhe u shoqëruan me raportime për incidente të dhunshme në disa qytete./Përshtati nga Euronews, ekofin.al
