Shoqëritë e kursim-kreditit do të përballen me një rritje të primit tremujor për sigurimin e depozitave, ndërsa bankat do t’i nënshtrohen një sistemi kontributesh të bazuar në profilin e tyre të rrezikut. Në rast të një krize financiare, kur fondet e sigurimit nuk mjaftojnë për kompensimin e depozituesve, institucionet financiare mund të detyrohen të paguajnë kontribute të jashtëzakonshme, që në raste të veçanta mund të tejkalojnë edhe kufirin e zakonshëm prej 0,5% të depozitave të siguruara.
Në projektligjin e ri “Për sigurimin e depozitave”, të miratuar së fundmi nga qeveria, parashikohet mundësia e financimit të skemës përmes huave ose garancive nga buxheti i shtetit, por vetëm pasi të jenë ezauruar burimet e tjera të përcaktuara në ligj.
Ndryshimet kanë ndikim të drejtpërdrejtë në kostot e veprimtarisë së bankave dhe shoqërive të kursim-kreditit, ndërsa për depozituesit synojnë të forcojnë kapacitetin financiar të skemës së sigurimit.
Primi i SHKK-ve rritet, mbulimi mbetet 2 milionë lekë deri në anëtarësimin në BE
Aktualisht, primi tremujor i sigurimit për këto institucione është 0,075% e mesatares së depozitave të siguruara. Projektligji e rrit këtë normë në 0,125%, duke filluar nga 1 korriku 2027.
Sipas dispozitave, primi do të llogaritet mbi mesataren e depozitave të siguruara të regjistruara në fund të çdo muaji të tremujorit paraardhës dhe do të paguhet brenda datës 15 të muajit të parë të tremujorit përkatës.
Rritja e kontributit nuk shoqërohet menjëherë me një ndryshim të kufirit të mbrojtjes së depozituesve të SHKK-ve. Sipas dispozitave kalimtare, mbulimi në këto institucione mbetet deri në 2 milionë lekë për depozitues deri në anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian.
Vetëm pas anëtarësimit parashikohet kalimi në kufirin e përgjithshëm prej 100 mijë eurosh, në kundërvlerën në lekë, dhe zbatimi i sistemit të kontributeve të bazuara në rrezik edhe për SHKK-të.
Kjo do të thotë se, gjatë periudhës kalimtare, shoqëritë e kursim-kreditit do të paguajnë një prim më të lartë sigurimi, ndërsa mbulimi maksimal për depozituesit e tyre nuk do të ndryshojë.
Bankat do të paguajnë sipas nivelit të rrezikut
Për bankat, projektligji parashikon kalimin në një sistem kontributesh vjetore që marrin parasysh jo vetëm shumën e depozitave të siguruara, por edhe shkallën e rrezikut të secilit institucion.
Llogaritja e kontributit do të mbështetet në mesataren e depozitave të siguruara në fund të çdo tremujori të vitit paraardhës, si dhe në treguesit e profilit të rrezikut që Agjencia do të marrë nga Banka e Shqipërisë.
Këshilli Drejtues i Agjencisë do të miratojë shumën e primit për secilin institucion dhe do ta njoftojë atë deri më 30 qershor të çdo viti.
Kontributi do të paguhet në katër këste, për periudhën nga 1 korriku deri më 30 qershor të vitit pasardhës. Kësti i parë do të paguhet deri më 31 korrik, ndërsa këstet pasuese deri në datën 15 të muajit të parë të secilit tremujor.
Metodologjia e llogaritjes së kontributeve të bazuara në rrezik do të miratohet nga Banka e Shqipërisë, me propozimin e Agjencisë.
Ndryshe nga rritja e përcaktuar shprehimisht për SHKK-të, projektligji nuk vendos një normë të vetme rritjeje të primit për të gjitha bankat. Detyrimi i secilës do të varet nga depozitat e siguruara dhe metodologjia e vlerësimit të rrezikut.
Kontribute të jashtëzakonshme në rast krize
Përveç kontributeve të zakonshme, projektligji parashikon detyrime financiare shtesë në rast se burimet e Agjencisë nuk janë të mjaftueshme për të kompensuar depozituesit.
Në këto rrethana, me propozimin e Këshillit Drejtues të Agjencisë dhe miratimin e Bankës së Shqipërisë, institucionet anëtare të skemës do të paguajnë kontribute të jashtëzakonshme.
Si rregull, këto kontribute nuk duhet të tejkalojnë 0,5% të depozitave të siguruara të secilit institucion, të regjistruara më 31 dhjetor të vitit paraardhës, për një vit kalendarik.
Megjithatë, projektligji lë të hapur mundësinë që në rrethana të jashtëzakonshme të miratohen kontribute edhe më të larta se ky kufi.
Kjo nënkupton se kostoja e përballimit të një krize në një institucion financiar mund të kërkojë mobilizimin e burimeve shtesë nga anëtarët e tjerë të skemës.
Për të shmangur rrezikimin e institucioneve që duhet të paguajnë këto kontribute, Banka e Shqipërisë mund të miratojë shtyrjen e plotë ose të pjesshme të pagesës deri në gjashtë muaj, në rast se detyrimi rrezikon likuiditetin ose aftësinë paguese të institucionit.
Periudha e shtyrjes mund të rinovohet nëse kushtet që e justifikojnë atë vazhdojnë të ekzistojnë.
Fondet e sigurimit duhet të ruajnë një nivel minimal prej 0,8%
Projektligji përcakton edhe kërkesa për nivelin e mjeteve financiare që duhet të mbahen në fondet e sigurimit të depozitave.
Niveli i synuar për secilin fond nuk duhet të jetë më i ulët se 0,8% e shumës së depozitave të siguruara në institucionet përkatëse.
Nëse fondet bien nën dy të tretat e nivelit të synuar, për shkak të rritjes së depozitave ose përdorimit të mjeteve në një ngjarje sigurimi, kontributet e anëtarëve duhet të mundësojnë rikthimin në nivelin e synuar brenda një periudhe maksimale gjashtëvjeçare.
Në rastet kur fondi e ka arritur më parë objektivin dhe mjetet e tij pakësohen me më pak se një të tretën e nivelit të synuar, kontributet duhet të përcaktohen në mënyrë që niveli të rikthehet brenda dy vjetëve. Kjo periudhë mund të zgjatet edhe me një vit.
Nga ana tjetër, kur mjetet financiare tejkalojnë nivelin e synuar, Agjencia mund të vendosë uljen ose ndërprerjen e përkohshme të kontributeve, sipas kushteve të përcaktuara në projektligj.
Këto rregulla për nivelet e synuara fillojnë të zbatohen për fondin e bankave më 1 korrik 2027, ndërsa për fondin e SHKK-ve në datën e anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian.
Nëse fondet nuk mjaftojnë, parashikohet edhe financim nga buxheti i shtetit
Një tjetër mekanizëm lidhet me mundësinë e përfshirjes së buxhetit të shtetit në financimin e skemës së sigurimit.
Sipas projektligjit, nëse burimet financiare të disponueshme nuk mjaftojnë për përmbushjen e detyrimeve ndaj depozituesve, Agjencia mund të sigurojë financim përmes pagesës së primeve përpara afatit, kontributeve të jashtëzakonshme, huamarrjes nga anëtarët e skemës ose tregu dhe huamarrjes ndërmjet fondeve.
Vetëm pasi të jenë ezauruar këto burime, parashikohet mundësia e marrjes së huas ose garancisë nga buxheti i shtetit.
Vlera maksimale e financimit duhet të miratohet me vendim të Këshillit të Ministrave, me propozim të ministrit përgjegjës për financat dhe në përputhje me legjislacionin buxhetor.
Norma e interesit për huan nuk duhet të jetë më e lartë se norma e titujve të qeverisë shqiptare me maturitet të krahasueshëm.
Projektligji parashikon që huaja nga buxheti të shlyhet brenda gjashtë vjetëve, me mundësi zgjatjeje një herë deri në tre vjet të tjera, në rrethana të jashtëzakonshme. Megjithatë, dispozita që përcakton këtë afat shlyerjeje bëhet e zbatueshme vetëm në datën e anëtarësimit të Shqipërisë në BE.
Shlyerja e financimit të marrë hua parashikohet të realizohet përmes kontributeve të institucioneve anëtare të skemës.
Mundësia e financimit nga shteti nuk përbën një angazhim automatik të buxhetit për të mbuluar çdo humbje bankare, por një mekanizëm mbështetës që mund të aktivizohet në kushtet e përcaktuara nga ligji./ekofin.al
