Ish-ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Estoni, George P. Kent, është emëruar anëtar i Këshillit Mbikëqyrës të Iute Bank në Ukrainë, në kuadër të forcimit të strukturave drejtuese të bankës dhe zgjerimit të aktivitetit të grupit financiar estonez në tregun ukrainas.
Krahas diplomatit amerikan, pjesë e Këshillit Mbikëqyrës janë emëruar edhe ish-Drejtori Ekzekutiv i LHV Group, Madis Toomsalu, si dhe Kryetari i Shoqatës Ukrainase të Kompanive Fintech dhe Inovacionit, Rostyslav Dyuk. Të tre emërimet janë miratuar nga Banka Kombëtare e Ukrainës.
Këto zhvillime pasojnë përfundimin e procesit të transformimit të bankës në shoqëri aksionare, ndryshimin zyrtar të emrit në Joint Stock Company Iute Bank dhe krijimin e strukturës së re drejtuese, duke shënuar një fazë të re në zhvillimin e aktivitetit bankar të iute Group në Ukrainë.
George P. Kent ka shërbyer si Ambasador i Shteteve të Bashkuara në Estoni gjatë periudhës 2023–2025 dhe ka një karrierë mbi 30-vjeçare në diplomacinë amerikane, me përvojë të veçantë në çështjet e Europës Lindore dhe Ukrainës.
Përfshirja e tij në strukturat drejtuese të Iute Bank vjen në një periudhë kur sektori financiar ukrainas po përballet me sfidat e luftës, por njëkohësisht po krijon mundësi të reja zhvillimi përmes digjitalizimit dhe investimeve ndërkombëtare.
“Qëndrueshmëria dhe vendosmëria që Ukraina ka treguar përballë rrethanave të vështira kanë qenë vërtet mbresëlënëse. Institucionet e forta dhe qeverisja e përgjegjshme do të vijojnë të jenë thelbësore për zhvillimin e mëtejshëm të ekonomisë së vendit”, është shprehur Kent.
Drejtori Ekzekutiv i iute Group, Tarmo Sild, vlerëson se forcimi i Këshillit Mbikëqyrës me ekspertizë ndërkombëtare në sektorin bankar, qeverisjen korporative dhe teknologjinë financiare do të kontribuojë në orientimin e bankës drejt fazës së ardhshme të zhvillimit dhe zgjerimit në Ukrainë.
Një tjetër emër me përvojë në drejtimin e institucioneve financiare është Madis Toomsalu, ish-Drejtor Ekzekutiv i LHV Group, i cili gjatë këtij viti është emëruar edhe anëtar i Këshillit Mbikëqyrës të Energbank, bankës së iute Group në Moldavi.
Sipas tij, pavarësisht rreziqeve që lidhen me situatën aktuale, Ukraina ka treguar qëndrueshmëri të jashtëzakonshme dhe është shndërruar në një nga tregjet financiare më të digjitalizuara në Europë.
“Në kuadër të procesit të rindërtimit të Ukrainës, iuteBank ka një mundësi të veçantë për të zgjeruar aktivitetin e saj, duke u mbështetur në një qeverisje të fortë, menaxhim të disiplinuar të rrezikut dhe teknologji të orientuar drejt nevojave të klientëve”, ka deklaruar Toomsalu.
Ndërkohë, Rostyslav Dyuk, i cili drejton Shoqatën Ukrainase të Kompanive Fintech dhe Inovacionit, sjell në Këshillin Mbikëqyrës përvojën e tij në zhvillimin e ekosistemit financiar digjital dhe bashkëpunimin ndërmjet institucioneve financiare, kompanive teknologjike dhe autoriteteve rregullatore.
Ai ka theksuar se ndërthurja e ekspertizës ndërkombëtare bankare me kapacitetet e zhvilluara të Ukrainës në teknologjinë financiare krijon një bazë të fortë për zgjerimin e shërbimeve moderne financiare.
iute Group hyri në tregun bankar ukrainas gjatë vitit 2026, pas blerjes së disa aktiveve dhe marrjes përsipër të detyrimeve ndaj depozituesve të RWS Bank. Prej muajit mars, Iute Bank ushtron aktivitetin si bankë e licencuar, nën mbikëqyrjen e Bankës Kombëtare të Ukrainës.
Gjatë muajve të parë të operimit, banka është përqendruar në garantimin e një tranzicioni të qëndrueshëm për ish-klientët e RWS Bank dhe në konsolidimin e strukturave operacionale.
Faza e ardhshme parashikon zgjerimin e shërbimeve financiare digjitale, forcimin e kapaciteteve organizative dhe përgatitjen për rritjen e bazës së klientëve. Lançimi i platformës bankare plotësisht digjitale të Iute Bank është planifikuar për vitin 2027.
Investimi në Ukrainë konsiderohet nga iute Group si një angazhim afatgjatë, në një treg që, pavarësisht luftës, ka ruajtur kapacitete të konsiderueshme inovacioni dhe zhvillimi në sektorin financiar.
iute Group është një grup financiar dhe bankar digjital, i themeluar në vitin 2008, me seli në Estoni, që operon në Shqipëri, Bullgari, Moldavi, Maqedoninë e Veriut dhe Ukrainë.
Përmes aplikacionit Myiute dhe operacioneve lokale, grupi ofron shërbime financiare digjitale, përfshirë pagesat, shërbimet bankare, financimin dhe ndërmjetësimin në sigurime.
Aktiviteti i grupit financohet përmes kapitalit, depozitave dhe obligacioneve të siguruara, të listuara në Tregun e Rregulluar të Bursës së Frankfurtit dhe në Listën Kryesore të Nasdaq Baltic. /ekofin.al
