Agroturizmi, menaxhimi i mbetjeve dhe pagesat digjitale janë tre sektorët me potencial të lartë për investime të reja në Shqipëri. Në raportin e fundit të publikuar, Grupi i Bankës Botërore vlerëson progresin ekonomik të vendit, por evidenton se informaliteti, mungesa e fuqisë punëtore të kualifikuar dhe vështirësitë në financim vazhdojnë të kufizojnë zhvillimin e sektorit privat.
Shqipëria ka potencialin të mobilizojë deri në 929 milionë dollarë investime private dhe të krijojë nga 13 mijë deri në 18 mijë vende pune, përfshirë formalizimin e vendeve ekzistuese të punës, nëse ndërmerren një sërë reformash të synuara në tre sektorë strategjikë të ekonomisë.
Raporti analizon klimën e investimeve në Shqipëri dhe identifikon agroturizmin, menaxhimin e mbetjeve dhe pagesat digjitale si sektorë ku ndërhyrjet në politikat publike mund të gjenerojnë investime të konsiderueshme, vende të reja pune dhe rritje të produktivitetit.
Sipas raportit, ekonomia shqiptare ka ruajtur stabilitetin makroekonomik dhe ka regjistruar një dekadë rritjeje të qëndrueshme, të udhëhequr kryesisht nga sektori privat. Gjatë periudhës 2015–2025, rritja ekonomike reale ka qenë mesatarisht 3.7% në vit, ndërsa investimet në vitin 2025 arritën rreth 28% të Prodhimit të Brendshëm Bruto.
Banka Botërore vlerëson gjithashtu përparimin në konsolidimin fiskal, me borxhin publik që zbriti në 52.9% të PBB-së në vitin 2025 dhe deficitin buxhetor në 1.8%.
Një tjetër tregues pozitiv lidhet me afrimin gradual të nivelit të të ardhurave me Bashkimin Europian. PBB-ja për frymë, e matur sipas paritetit të fuqisë blerëse, është rritur nga 24% e mesatares së BE-së në vitin 2008 në 41% në vitin 2025.
Raporti thekson se procesi i integrimit europian krijon mundësi të rëndësishme për modernizimin institucional dhe tërheqjen e investimeve, por përfitimet ekonomike do të varen nga aftësia e bizneseve për të rritur produktivitetin dhe konkurrueshmërinë.

Agroturizmi, deri në 476 milionë dollarë investime dhe 7,700 vende pune
Agroturizmi identifikohet si një nga sektorët me potencialin më të madh për zgjerimin e investimeve private, veçanërisht në zonat rurale dhe në destinacionet jashtë bregdetit.
Sipas vlerësimeve të Bankës Botërore, zbatimi i reformave të propozuara mund të gjenerojë nga 318 milionë deri në 476 milionë dollarë investime private në periudhën afatmesme, si dhe nga 5,200 deri në 7,700 vende pune, përfshirë formalizimin e punësimit ekzistues.
Raporti evidenton se turizmi është kthyer në motorin kryesor të eksporteve shqiptare. Numri i hyrjeve të shtetasve të huaj pothuajse është dyfishuar krahasuar me vitin 2019, ndërsa të ardhurat ndërkombëtare nga turizmi arritën në rreth 5.4 miliardë dollarë në vitin 2024.
Megjithatë, përqendrimi i aktivitetit turistik gjatë sezonit veror dhe në zonat bregdetare kufizon shpërndarjen e përfitimeve ekonomike në të gjithë territorin.
Banka Botërore rekomandon forcimin e sistemit të certifikimit të agroturizmit, regjistrimin e detyrueshëm të strukturave të akomodimit afatshkurtër dhe përdorimin e sistemeve digjitale për të garantuar transparencën dhe konkurrencën e ndershme.
Një nga propozimet konkrete është që çdo strukturë akomodimi afatshkurtër të pajiset me një numër unik regjistrimi përmes e-Albania, i cili duhet të verifikohet nga platformat e rezervimeve online përpara publikimit të ofertës.

Menaxhimi i mbetjeve, potencial për 263 milionë dollarë investime
Sektori i menaxhimit të mbetjeve paraqet një tjetër mundësi të konsiderueshme për investimet private, veçanërisht në riciklim, trajtimin e mbetjeve organike dhe modernizimin e infrastrukturës.
Banka Botërore vlerëson se reformat në këtë sektor mund të tërheqin deri në 263 milionë dollarë investime private gjatë pesë viteve dhe të mbështesin deri në 5,300 vende pune.
Rritja e turizmit, urbanizimi dhe konsumi po shtojnë nevojën për kapacitete moderne të grumbullimit, përpunimit dhe riciklimit.
Megjithatë, raporti evidenton probleme me kontratat afatshkurtra, tarifat që nuk pasqyrojnë kostot reale, mungesën e të dhënave të besueshme dhe ndarjen e kufizuar të mbetjeve në burim.
Në këtë drejtim, rekomandohet krijimi i kushteve më të favorshme për përfshirjen e operatorëve privatë, përmes kontratave më afatgjata, procedurave konkurruese dhe mekanizmave transparentë të financimit.
Gjithashtu, propozohet vendosja e sistemeve digjitale për gjurmimin e mbetjeve dhe lidhja e pagesave për shërbimet me të dhënat e verifikueshme mbi sasitë e administruara.

Pagesat digjitale, deri në 190 milionë dollarë investime të reja
Zhvillimi i pagesave elektronike përbën sektorin e tretë me potencial të lartë investimesh.
Sipas Bankës Botërore, zbatimi i rekomandimeve mund të mobilizojë nga 90 milionë deri në 190 milionë dollarë investime private dhe të krijojë nga 2,400 deri në 5,000 vende pune.
Raporti vlerëson se Shqipëria ka një bazë të favorshme për zgjerimin e pagesave digjitale, falë lidhjes së mirë me internetin, përdorimit të gjerë të telefonave inteligjentë dhe zhvillimit të turizmit.
Megjithatë, përdorimi i parasë fizike mbetet i lartë, ndërsa pranimi i pagesave elektronike nga bizneset është ende i kufizuar krahasuar me vendet e tjera.
Banka Botërore rekomandon digjitalizimin e plotë të pagesave ndërmjet shtetit, qytetarëve dhe bizneseve, zgjerimin e mundësive për pagesa elektronike në tregti dhe standardizimin e zbatimit të sistemit të bankimit të hapur.
Në raport propozohet edhe ulja e kufirit të transaksioneve me para fizike ndërmjet bizneseve dhe konsumatorëve, duke e harmonizuar me kufirin që zbatohet për transaksionet ndërmjet bizneseve.
Zhvillimi i identifikimit elektronik dhe përdorimi më i gjerë i nënshkrimeve digjitale në shërbimet financiare konsiderohen gjithashtu elemente të rëndësishme për uljen e kostove dhe zgjerimin e tregut.
Informaliteti dhe mungesa e fuqisë punëtore, pengesat kryesore për biznesin
Pavarësisht zhvillimeve pozitive, raporti evidenton disa probleme strukturore që vijojnë të kufizojnë potencialin e investimeve private.
Rreth 99% e ndërmarrjeve në Shqipëri janë mikro, të vogla ose të mesme, çka krijon një strukturë të fragmentuar të ekonomisë dhe kufizon aftësinë e bizneseve për të investuar në teknologji dhe rritje të produktivitetit.
Një tjetër problem lidhet me aksesin në financim. Kredia e brendshme për sektorin privat përfaqëson rreth 34% të PBB-së, nivel që mbetet dukshëm poshtë mesatareve rajonale.
Ndërkohë, mungesa e fuqisë punëtore të kualifikuar është kthyer në një shqetësim të rëndësishëm për sipërmarrjet. Sipas të dhënave të përfshira në raport, 40.2% e bizneseve e identifikojnë fuqinë punëtore me arsimim të papërshtatshëm si një pengesë madhore ose shumë serioze.
Emigracioni vijon të ndikojë në ofertën e punës. Raporti evidenton se në vitin 2024 Shqipëria kishte normën më të lartë të emigracionit neto në Europë, prej 12.1 personash për 1,000 banorë.
Banka Botërore thekson gjithashtu se, megjithëse kuadri ligjor shqiptar është përafruar ndjeshëm me standardet e Bashkimit Europian, mbeten mangësi në zbatimin praktik të legjislacionit dhe në forcimin e mekanizmave të kontrollit.
Investimet e huaja po orientohen drejt logjistikës, energjisë dhe shërbimeve
Një zhvillim pozitiv që evidenton raporti është ndryshimi gradual i strukturës së investimeve të huaja direkte.
Ndërsa më parë investimet përqendroheshin kryesisht në industrinë nxjerrëse dhe pasuritë e paluajtshme, vitet e fundit është rritur interesi për logjistikën, energjinë e rinovueshme, teknologjinë dhe shërbimet.
Sipas të dhënave të investimeve të reja të shpallura për periudhën 2020–2024, transporti dhe magazinimi përfaqësojnë 49% të vlerës së kapitalit të planifikuar, ndërsa energjia e rinovueshme 15%.
Komponentët për industrinë automobilistike zënë 7%, produktet e konsumit 6%, ndërsa hotelet dhe turizmi 6%.
Paralelisht, eksportet shqiptare po orientohen gjithnjë e më shumë drejt shërbimeve. Udhëtimet dhe turizmi përbënin mbi 45% të eksporteve totale në vitin 2024, ndërsa shërbimet e biznesit, përfshirë teknologjinë e informacionit dhe shërbimet financiare, përfaqësonin afro 20%.
Ky transformim, sipas Bankës Botërore, tregon mundësitë që Shqipëria ka për të kaluar gradualisht nga një model ekonomik i mbështetur te kostot e ulëta drejt aktiviteteve me vlerë të shtuar më të lartë.
Raporti vlerëson se Shqipëria ndodhet në një moment të rëndësishëm të zhvillimit ekonomik, ku stabiliteti makroekonomik, zgjerimi i turizmit dhe perspektiva e anëtarësimit në Bashkimin Europian krijojnë kushte të favorshme për një cikël të ri investimesh./ekofin.al
