Tregu i sigurimeve ka vijuar të zgjerohet gjatë vitit 2026, por me një dinamikë ku pagesat e dëmeve po rriten ndjeshëm më shpejt se të ardhurat nga primet. Sipas të dhënave të AMF, në periudhën janar–tetor 2026, primet e shkruara bruto arritën në rreth 23 mld lekë, me një rritje prej 2.67%.
Ndërkohë, dëmet e paguara bruto, përfshirë edhe pagesat për objekt Fond Kompensimi, arritën në 7.61 miliardë lekë, me një rritje vjetore prej 10.23%.
Zgjerimi i aktivitetit reflektohet edhe në rritjen me 6.36% të numrit të kontratave të lidhura, ndërsa numri i dëmeve të paguara është rritur me 5.41%.
Struktura e tregut vijon të dominohet nga sigurimet e Jo-Jetës, të cilat përbëjnë 91.38% të totalit. Në fund të tetorit, primet në këtë segment arritën në 21.01 miliardë lekë, me një rritje prej 2.36%, ndërsa dëmet e paguara u rritën me 11.84%, duke arritur në 7.06 miliardë lekë.
Sigurimet e detyrueshme motorike mbeten burimi kryesor i të ardhurave për kompanitë e sigurimit, duke gjeneruar 14.36 miliardë lekë prime, ose rreth 62.5% të të gjithë tregut të sigurimeve në vend. Krahasuar me një vit më parë, primet në këtë portofol janë rritur me 3.26%, ndërsa dëmet e paguara me 10.98%, duke arritur në 4.96 miliardë lekë.
Sipas AMF-së, në ecurinë e sigurimeve motorike vijon të ndikojë zbatimi i faktorit të riskut “Historiku i dëmeve”, i cili merret në konsideratë në përcaktimin e primit të sigurimit.
Ndërkohë, sigurimi kufitar ka shënuar rënie, si pasojë e lehtësimit të lëvizjes së automjeteve drejt vendeve kufitare anëtare të CEFTA-s, ndërsa tregu i Kartonit Jeshil paraqitet relativisht i qëndrueshëm.
Një ecuri më e dobët konstatohet në segmentin e sigurimeve vullnetare të Jo-Jetës, ku primet arritën në 6.66 miliardë lekë, me një rritje prej vetëm 0.46%. Zgjerimi i sigurimeve të aksidenteve dhe shëndetit, sigurimeve kasko dhe garancive ka kompensuar rënien e regjistruar në sigurimet nga zjarri dhe forcat e natyrës, si dhe në sigurimet e tjera të pronës.
Pavarësisht rritjes së dobët të primeve, dëmet e paguara në sigurimet vullnetare janë rritur me 13.93%, duke arritur në 2.10 miliardë lekë. Rritja është ndikuar kryesisht nga pagesat për dëmet në sigurimet nga zjarri dhe forcat e natyrës, si dhe në sigurimet e përgjegjësive civile të përgjithshme.
Segmenti i sigurimit të Jetës ka regjistruar një ritëm më të lartë rritjeje se ai i Jo-Jetës. Primet arritën në 1.98 miliardë lekë, me një rritje vjetore prej 6.10%, ndërsa numri i kontratave u shtua me 5%.
Ecuria e këtij segmenti vijon të ndikohet nga produktet e sigurimit të lidhura me kreditimin bankar, si dhe nga kontratat e sigurimit në grup. Dëmet e paguara arritën në rreth 310 milionë lekë, me një rritje prej 7.78%, ndërsa numri i tyre u rrit ndjeshëm, me 25.42%. /ekofin.al
