Përvoja shqiptare në përdorimin e inteligjencës artificiale në prokurimet publike është prezantuar në edicionin e 21-të të Nordic Public Procurement Forum 2026, të zhvilluar në Kopenhagën të Danimarkës, një platformë ndërkombëtare për shkëmbimin e ekspertizës dhe promovimin e praktikave më të mira në administrimin e blerjeve publike.
Operatori i Blerjeve të Përqendruara (OBP), i përfaqësuar nga administratori Jonaid Myzyri dhe zyrtarë të institucionit, mori pjesë në forumin katërditor, i cili bëri bashkë ekspertë ndërkombëtarë, akademikë dhe profesionistë të prokurimit publik.
Një vëmendje e veçantë në programin e forumit iu kushtua përvojës shqiptare në integrimin e inteligjencës artificiale në proceset e prokurimit. Administratori i OBP-së, Jonaid Myzyri, zhvilloi prezantime të dedikuara mbi aplikimin praktik të teknologjisë dhe treguesit e performancës.
Prezantimi në Kopenhagën vjen vetëm pak ditë pas aktivitetit të 17 nëntorit në Tiranë, ku në prani të kryeministrit Edi Rama u prezantuan zhvillimet në sistemin e prokurimeve të përqendruara, me fokus modernizimin, digjitalizimin dhe orientimin drejt rezultateve konkrete.
Me atë rast, Myzyri prezantoi një model me 13 hapa, që përfshin të gjithë ciklin e prokurimit publik, nga planifikimi deri te monitorimi i zbatimit të kontratave dhe vlerësimi i rezultateve.
Në fjalën e tij, administratori i OBP-së vuri theksin te nevoja që suksesi i sistemit të prokurimit të mos matet vetëm me respektimin e procedurave ligjore, por edhe me rezultatet konkrete dhe eficiencën e përdorimit të fondeve publike.

Reforma synon zgjerimin e blerjeve të përqendruara, standardizimin e specifikimeve teknike, analizën e tregut dhe përdorimin e sistemeve teknologjike për administrimin e kërkesave të institucioneve publike.
Në forumin e Kopenhagës, diskutimet u përqendruan gjithashtu në reformimin e kuadrit ligjor evropian të prokurimit publik, metodat e vlerësimit të ofertave, menaxhimin e kontratave, nxitjen e konkurrencës, ndarjen strategjike të procedurave në lote dhe jurisprudencën e Gjykatës së Drejtësisë së Bashkimit Evropian.
Në fokus ishte edhe përdorimi i prokurimit publik si instrument strategjik për realizimin e objektivave të politikave publike dhe zhvillimin ekonomik.
Pjesëmarrja e OBP-së në këtë forum është pjesë e angazhimit për forcimin e kapaciteteve profesionale, shkëmbimin e ekspertizës ndërkombëtare dhe përafrimin e praktikave të prokurimit publik me standardet e Bashkimit Evropian. /ekofin.al

