Shqipëria ka hedhur një tjetër hap drejt modernizimit të sistemit financiar dhe përafrimit me standardet evropiane të pagesave. Nga sot, Banka e Shqipërisë ka vënë zyrtarisht në funksionim sistemin IPSA (TIPS Clone), i cili mundëson kryerjen e transfertave të menjëhershme ndërmjet bankave pjesëmarrëse, në lekë dhe në euro.
Me aktivizimin e këtij sistemi, qytetarët dhe bizneset mund të transferojnë para nga një bankë në tjetrën në kohë reale, duke përdorur aplikacionet bankare, pa qenë e nevojshme të presin për përpunimin e transfertave sipas procedurave tradicionale.
Për të kryer një transfertë, përdoruesit duhet të hyjnë në aplikacionin e bankës së tyre dhe të zgjedhin opsionin e pagesës së menjëhershme, nëse ky shërbim është aktivizuar nga banka përkatëse.
Një nga risitë më të rëndësishme për qytetarët është eliminimi i komisioneve për transfertat e menjëhershme deri në 40 mijë lekë, të kryera përmes aplikacionit bankar.
Kjo do të thotë se për pagesat e vogla të përditshme, qytetarët mund të transferojnë para ndërmjet bankave pjesëmarrëse pa kosto shtesë, duke krijuar një alternativë më praktike ndaj përdorimit të parasë fizike.
Sistemi IPSA është ndërtuar sipas modelit TIPS (TARGET Instant Payment Settlement), të përdorur në infrastrukturën europiane të pagesave të menjëhershme. Vënia e tij në funksionim përbën një zhvillim të rëndësishëm për integrimin gradual të sistemit shqiptar të pagesave me tregun financiar europian.
Përfitimet pritet të jenë të konsiderueshme edhe për bizneset, të cilat mund të arkëtojnë dhe transferojnë fonde më shpejt, duke përmirësuar administrimin e likuiditetit dhe duke reduktuar kohën e nevojshme për realizimin e transaksioneve.
Për sektorin bankar, infrastruktura e re krijon mundësi për zhvillimin e produkteve dhe shërbimeve të reja digjitale, si dhe për rritjen e konkurrencës në tregun e pagesave.
Aktivizimi i IPSA vjen në një periudhë kur përdorimi i pagesave elektronike në Shqipëri po zgjerohet dhe Banka e Shqipërisë po ndërmerr një sërë reformash për uljen e kostove të transaksioneve financiare.
Sipas një studimi të Bankës së Shqipërisë, të realizuar në bashkëpunim me Bankën Botërore, kalimi nga pagesat me para fizike dhe transfertat në sportelet bankare drejt pagesave elektronike mund t’i sjellë ekonomisë shqiptare kursime prej rreth 400 milionë eurosh.
Përfitimet lidhen me uljen e kostove të administrimit të parasë fizike, reduktimin e kohës së shpenzuar për transaksione dhe rritjen e eficiencës së veprimtarisë ekonomike.
Në vitet e fundit, Banka e Shqipërisë ka ndërmarrë disa iniciativa për modernizimin e infrastrukturës së pagesave, përfshirë zhvillimin e sistemeve të pagesave ndërbankare dhe integrimin e vendit në Zonën Unike të Pagesave në Euro (SEPA).
Ndërsa SEPA lehtëson transfertat në euro me vendet pjesëmarrëse në këtë hapësirë, sistemi IPSA synon të përmirësojë shpejtësinë dhe eficiencën e transfertave të brendshme ndërmjet bankave pjesëmarrëse.
Vënia në funksionim e sistemit të ri pritet të nxisë më tej përdorimin e aplikacioneve bankare dhe të pagesave elektronike, duke reduktuar varësinë nga paraja fizike./ekofin.al
