Drejtori i ri i sapoemëruar i Doganave, Fation Shehu, ka nisur një operacioni “pastrimi” të degëve doganore, nga drejtuesit e përfolur dhe akuzuar nga bizneset për ryshfet dhe korrupsion.
Në këtë mënyrë, ndryshimi në drejtimin e administratës doganore ka nisur të shtrihet edhe në degët kryesore të vendit, vetëm pak ditë pas emërimit të Fation Shehut në krye të Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave.
Drejtoria e Përgjithshme e Doganave njoftoi zyrtarisht këtë të enjte zëvendësimin e drejtuesit të Degës Doganore Tiranë, Erion Ricku, me Denis Shabanin, i cili ka një përvojë 27-vjeçare në administratën doganore.
Drejtori i Përgjithshëm i Doganave, Fation Shehu, prezantoi drejtuesin e ri gjatë një takimi me stafin e kësaj dege, ku kërkoi përkushtim, përgjegjshmëri dhe tolerancë zero ndaj fenomeneve negative, me synim garantimin e një shërbimi sa më efikas dhe profesional.
Largimi i Rickut nga drejtimi i Doganës së Tiranës vjen pas rreth 10 muajsh në detyrë, një periudhë gjatë së cilës pati ankesa dhe akuza nga përfaqësues të bizneseve, si dhe raportime mediatike për abuzime të pretenduara dhe ryshfet në procedurat doganore.
Por ndryshimet në administratën doganore nuk kufizohen vetëm në Tiranë.
Ekofin.al mëson se edhe drejtuesi i Degës Doganore Durrës, Drilon Bushati, ka paraqitur dorëheqjen. Gjatë një takimi me stafit mësohet se ai i ka falenderuar të gjithë për bashkëpunimin dhe ka bërë një bilanc të angazhimit të tij në drejtimin e kësaj strukture.
“Nëse ka diçka që do të dëshiroja më shumë se gjithçka, është që puna e bërë me aq mund të ketë vazhdimësi. Sepse vlera e një përpjekjeje nuk matet vetëm me atë që arrijmë gjatë kohës sonë, por edhe me atë që mbetet pas nesh”, mësohet të ketë thënë Bushati.
Por edhe në këtë rast, ai është vënë në qendër të akuza për abuzime nga bizneset.
Vetë Doganat njoftuan më pas se në vend të Bushatit është emëruar në krye të degës së Durrësit, Enton Shehu. Në këtë rast, ra në sy se ish-drejtori muk ishte i pranishëm në takim prezantues të drejtuesit të ri.

Sipas informacioneve të siguruara nga Ekofin.al, ndryshimet në dy prej degëve më të rëndësishme doganore në vend janë pjesë e një procesi më të gjerë riorganizimi të ndërmarrë nga drejtori i ri i Përgjithshëm i Doganave, Fation Shehu, me synim largimin nga pozicionet drejtuese të personave të përfolur për praktika abuzive dhe korrupsion, forcimin e disiplinës dhe rritjen e integritetit të administratës doganore.
Burime të Ekofin.al bëjnë të ditur se gjatë ditëve në vijim priten ndryshime të tjera të rëndësishme në drejtimin e degëve doganore në rrethe.
Fation Shehu, përpara emërimit në krye të administratës doganore, ka drejtuar për katër vite strukturën e Antikontrabandës, duke pasur një eksperiencë të drejtpërdrejtë në luftën kundër kontrabandës dhe fenomeneve të paligjshme në sistemin doganor.
Ndryshimet e para në drejtimin e degëve doganore dhe mesazhi për tolerancë zero ndaj fenomeneve negative sinjalizojnë se lufta kundër abuzimeve dhe korrupsionit pritet të jetë një nga prioritetet e drejtimit të ri të Doganave. /ekofin.al

