Komisionerja Evropiane për Zgjerimin, Marta Kos deklaroi sot se viti 2027 mund të jetë viti i Shqipërisë në procesin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian, nëse vendi vijon zbatimin e reformave, veçanërisht në fushën e shtetit të së drejtës, reformës zgjedhore dhe mjedisit.
Gjatë ditës së dytë të Konferencës së Investimeve BE-Ballkani Perëndimor, që po zhvillohet në ambientet e Pallatit të Kongreseve në Tiranë, Kos u ndal te lidhja mes reformave të zgjerimit, rritjes ekonomike dhe mundësive që ofron rajoni për investitorët.
Ajo u shpreh se reformat e zgjerimit fuqizojnë rritjen ekonomike, dhe se Ballkani Perëndimor është qendror në strategjinë e Bashkimit Evropian për të ardhmen.
Ajo e cilësoi këtë periudhë si një mundësi të rëndësishme për investitorët, duke theksuar se zhvillimet në rajon po e bëjnë atë gjithnjë e më tërheqës.
“Ky moment është momenti më i mirë për të zgjedhur Ballkanin Perëndimor për investimet tuaja. Natyrisht, në të gjithë rajonin po ndodhin zhvillime të rëndësishme që e bëjnë atë gjithnjë e më tërheqës për investitorët”, deklaroi komisionerja.
Kos vuri në dukje se, për herë të parë që nga anëtarësimi i Kroacisë në BE, në vitin 2013, Unioni po përgatitet të mirëpresë anëtarë të rinj.
Sipas saj, dy vendet më të avancuara në këtë proces janë pikërisht nga Ballkani Perëndimor.
“Ne do të zgjerohemi deri në vitin 2030”, u shpreh ajo, duke shtuar se Mali i Zi është pranë përfundimit të negociatave dhe mund të nënshkruajë traktatin e anëtarësimit verën e ardhshme.
Sa i përket Shqipërisë, Kos tha se vendi mund të ndjekë të njëjtën rrugë si Mali i Zi drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.
“Shqipëria mund të ndjekë të njëjtën rrugë. Viti 2027 mund të jetë viti i Shqipërisë, nëse qeveria vijon të qëndrojë në rrugën e duhur për reformat, veçanërisht sa i përket shtetit të së drejtës, reformës zgjedhore dhe mjedisit”, deklaroi komisionerja.
Komisionerja Kos deklaroi gjithashtu se do të shtohen edhe 200 milionë euro për të mbështetur krijimin e bizneseve në Ballkanin Perëndimor. Ajo u bëri thirrje investitorëve të shfrytëzojnë mundësitë që ofron rajoni që tani, ndërsa qasja më e gjerë në tregun unik dhe fondet e BE-së pritet të sjellin përfitime edhe përpara anëtarësimit.
“Në këtë konferencë do të shtohen edhe 200 milionë euro të tjera për të ndihmuar në krijimin e bizneseve të suksesshme. Mesazhi im për investitorët është i thjeshtë. Ballkani Perëndimor do të jetë në BE, por mundësitë ekzistojnë që tani, ndaj shfrytëzojeni këtë mundësi”, u shpreh Kos. Komisionerja e Zgjerimit, u bëri thirrje sipërmarrësve të investojnë në rajon.

