Të gjitha bizneset që gjatë vitit 2026 do të realizojnë një qarkullim vjetor mbi 5 milionë lekë do të përfshihen automatikisht në skemën e Tatimit mbi Vlerën e Shtuar (TVSH) nga 1 janari 2027, pa qenë e nevojshme të aplikojnë pranë Administratës Tatimore.
Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve ka publikuar një njoftim për detyrimet që lindin për bizneset nga zbatimi i vendimit nr. 822, datë 28 tetor 2026, të Këshillit të Ministrave, i cili përgjysmon pragun e regjistrimit të detyrueshëm në TVSH, nga 10 milionë në 5 milionë lekë qarkullim vjetor.
Sipas Tatimeve, detyrimi do të zbatohet edhe për subjektet që e tejkalojnë pragun e ri me vetëm 1 lek.
Ndryshimi prek kryesisht bizneset me qarkullim vjetor mbi 5 milionë deri në 10 milionë lekë, të cilat duhet të përgatiten për detyrime shtesë administrative, fiskale dhe kontabël.
Inventari i mallrave dhe kreditimi i TVSH-së
Bizneset që hyjnë në skemë duhet të inventarizojnë mallrat për rishitje që kanë në gjendje më 31 dhjetor 2026, duke evidentuar llojin, sasinë dhe vlerën e tyre.
Për mallrat e inventarit, TVSH-ja mund të kreditohet vetëm nëse blerjet janë kryer gjatë 12 muajve të fundit, tatimi është paguar dhe transaksionet mbështeten me dokumentacionin përkatës tatimor.
Për këtë qëllim, Administrata Tatimore rekomandon që bizneset të kontrollojnë faturat e blerjeve, të disponueshme edhe në platformën SelfCare.
Ndryshime në sistemet e faturimit
Kalimi në skemën e TVSH-së do të kërkojë edhe përshtatjen e sistemeve të fiskalizimit.
Subjektet që aktualisht lëshojnë fatura përmes SelfCare, pa një program të certifikuar faturimi, duhet të sigurojnë certifikatën elektronike dhe programin përkatës.
Ndërkohë, bizneset që disponojnë një sistem faturimi duhet të koordinohen me ofruesit e programeve për ta përshtatur atë me statusin e ri tatimor. Përditësimet duhet të përfundojnë përpara nisjes së detyrimeve të TVSH-së.
Deklarimi dhe pagesa e detyrimeve çdo muaj
Me përfshirjen në skemën e TVSH-së, bizneset duhet të deklarojnë dhe paguajnë çdo muaj tatimin përkatës, si dhe kontributet e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore.
Librat e shitjeve dhe blerjeve do të gjenerohen dhe dorëzohen elektronikisht, në bazë të faturave të fiskalizuara. Sistemi do të paraplotësojë edhe deklaratën mujore të TVSH-së, ndërsa tatimpaguesit do të kenë mundësi të kryejnë korrigjimet e nevojshme.
Tatimet kërkojnë përgatitjen e bizneseve brenda vitit
Administrata Tatimore u kërkon bizneseve të verifikojnë që tani xhiron e realizuar gjatë vitit 2026, të kontrollojnë dokumentacionin e blerjeve dhe të marrin masat për përshtatjen e sistemeve të faturimit.
Regjistrimi automatik do të mbështetet në të dhënat e qarkullimit të administruara nga Tatimet, ndërsa subjektet do të njoftohen zyrtarisht për përfundimin e procesit dhe nisjen e detyrimeve.
Ulja me 50% e pragut të regjistrimit në TVSH zgjeron ndjeshëm bazën e bizneseve që përfshihen në këtë regjim tatimor. Për subjektet e prekura, ndryshimi nënkupton jo vetëm detyrime të reja deklarimi, por edhe nevojën për të rishikuar kostot, politikat e çmimeve dhe menaxhimin e likuiditetit nga fillimi i vitit 2027. /ekofin.al

