Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural ka ndryshuar rregullat minimale për mbrojtjen e pulave të destinuara për prodhim mishi, duke përcaktuar kufijtë e dendësisë së shpendëve në ambientet e fermave, kërkesat për trajnimin dhe certifikimin e personave përgjegjës për mbarështimin e tyre, si dhe procedurat e kontrollit dhe raportimit.
Sipas urdhrit nr. 1142, datë 6 nëntor 2026, të ministrit të Bujqësisë Andis Salla, dendësia maksimale e pulave në një njësi prodhimi ose në ambientet e strehimit të një ferme nuk duhet të kalojë 33 kilogramë peshë të gjallë për metër katror.
Në rastet kur lejohet përjashtimi nga ky kufi, Autoriteti Kombëtar i Veterinarisë dhe Mbrojtjes së Bimëve duhet të garantojë që dendësia maksimale e shpendëve të mos kalojë 39 kilogramë për metër katror.
Ndryshimet kanë rëndësi për operatorët e sektorit të prodhimit të mishit të pulës, pasi dendësia e shpendëve lidhet drejtpërdrejt me kapacitetet prodhuese dhe organizimin e ambienteve të fermave.
Urdhri përcakton gjithashtu kërkesat për kualifikimin profesional të personave që merren me mbarështimin e pulave. Autoriteti kompetent duhet të sigurojë krijimin dhe funksionimin e një sistemi për kontrollin dhe miratimin e kurseve të trajnimit.
Personat përgjegjës për mbajtjen e shpendëve duhet të pajisen me një certifikatë të njohur nga autoriteti kompetent, e cila vërteton përfundimin e kursit të trajnimit ose njohjen e përvojës së mëparshme profesionale si ekuivalente me këtë trajnim.
Në kuptim të rregullores, përgjegjësia për mbajtjen e shpendëve mund t’i takojë çdo personi fizik ose juridik që ka marrë përsipër kujdesin ndaj tyre, në mënyrë të përhershme ose të përkohshme.
Ndryshimet parashikojnë gjithashtu nxitjen e hartimit të udhëzuesve për praktikat e mira të menaxhimit të fermave. Autoritetet kompetente duhet të lehtësojnë shpërndarjen dhe përdorimin e këtyre udhëzuesve nga operatorët ekonomikë. Kur është e nevojshme, duhet të kontaktohet edhe një veteriner.
Një tjetër element i urdhrit lidhet me monitorimin e respektimit të standardeve të mirëqenies së shpendëve.
Deri më 31 gusht të çdo viti, autoritetet kompetente duhet të paraqesin një raport vjetor mbi inspektimet e kryera gjatë vitit paraardhës. Raporti duhet të shoqërohet me një analizë të rasteve më serioze të mospërputhjes me kërkesat ligjore dhe një plan kombëtar veprimi për parandalimin ose reduktimin e tyre.
Ndryshimet harmonizojnë kuadrin rregullator të sektorit me ligjin nr. 61/2026 për kontrollet zyrtare, sigurinë ushqimore, shëndetin dhe mirëqenien e kafshëve dhe nisin zbatimin nga 1 gushti 2027. /ekofin.al

