Nga Luçiana Sharra, guidë turistike e certifikuar
Vetëm një orë larg Tiranës ekziston një vend ku ndërthuren në harmoni kultura, historia dhe natyra idilike. Një shkëputje fantastike nga zhurmat e qytetit për një ripërtëritje shpirtërore.
Destinacioni ynë janë Livadhet e Ketit, në lartësinë 1300 metra mbi nivelin e detit. Është stina kur lulëzon për vetëm dy – tre javë lulja e veçantë që njihet si “Zambaku i poetit” ose “Narcissus poeticus”. Në disa zona të tjera të Klosit dhe të Dibrës njihet gjithashtu si “lulja e zojës”.
Është pikërisht zambaku arsyeja që ka bërë bashkë mosha të ndryshme në grupin tonë entuziazt të Alpine Guide Albania drejt fshatit Xibër.
Profesor Abdulla Diku, inxhiner pyjesh, që i është bashkuar grupit tonë, me buzëqeshje thotë se Xibra është qendra e botës, jo vetëm pasi është vendlindja e tij, por sepse zona është mjaft e pasur kulturalisht. Në të gjendet një kala ilire mbi 3500 -vjeçare, së bashku me “shpellën e shkruar”, ku gjenden piktograma që tregojnë kultin e adhurimit të diellit nga të parët tanë.
Po kështu, vetëm dy kilometra më tej nga kalaja ilire, janë mbetjet e kalasë së Petralbës, dikur rezidenca verore e Skënderbeut dhe një pikë strategjike lidhëse midis pjesës perëndimore e asaj lindore. Ndërsa vetë emri i fshatit Xibër Hane tregon se ka qenë pikë ndalese për karvanet që bujtnin në hanet e zonës.
Livadhet e Ketit janë masivi malor më i madh i zambakut të poetit që ka Shqipëria dhe pas tij vjen ai i Shishtavecit në Kukës, por jo me dendësinë dhe sipërfaqen që kanë livadhet që do të vizitojmë.
Shtegu me vështirësi mesatare kalon përmes gurëve të vegjël e të mëdhenj, shumicën e kohës nën diell e disa pjesë mes një pylli të vogël me pisha.
Në horizont ngrihen malet e Dejës dhe Balgjajt, një thirrje pranverore për të vizituar liqenet akullnajore të mrekullueshme.
Ka diçka magjike në mal që i bën edhe të panjohurit të ndihen më afër me njëri -tjetrin. Është ndjesia e të qenët të ngjashëm apo e të ndarit një copëz shpirti drejt qëllimit për të cilin jemi nisur.
Grupi mban ritmin, bisedat dhe të qeshurat, ndërkohë që herë pas here ngremë kokën për të parë pikën fundore.
Pasi kemi ecur përreth një orë e gjysmë, para syve tanë hapet perdja e spektaklit: livadhet e mbuluara nga bardhësia e zambakut me malet përreth si ruajtës të brishtësisë së tij.
Zambaku ka një pamje po aq delikate, sa edhe krenare, por aroma e tij e veçantë është ftesa për t’iu afruar dhe admiruar. Është e pamundur të mos joshesh nga aroma që i kthen shqisat në kujtim të mitit të Narcizit, nga i cili ka marrë edhe emrin.
Nga mitologjia greke, Narcizi u dënua nga hyjnesha Afërditë të donte vetëm vetveten, sepse përbuzi dashurinë e nimfës bukuroshe Eko. Liqeni, ku ai kundronte pasqyrimin e vet, i mori jetën, duke u mbytur, por trupi i tij nuk u gjet. Ai u shndërrua në një lule erëmirë me gjashtë petale dhe ngjyre të verdhë dhe të bardhë, siç e paraqet edhe Ovidi në “Metamorfozat”.
Jemi të gjithë të mrekulluar dhe këtu fillon festa e vërtetë. Në sfond një grup që këndon me kitarë, të tjerë që përgatisin zgarën me ushqim, ata që luajnë volejboll, ndërkohë që vajzat thurin kurora me lule.
Një pamje paqësore dhe e ngrohtë që plotësohet në mënyrë të përsosur me kuajt në lëndina dhe bagëtinë që kullot aty pranë.
E pasi lëmë pas gjithë harenë e gëzimin e një dite të bukur, zbresim nga mali me mendimin se do të rikthehemi sërish për të gjetur Narcizin pas një viti kur ai të shfaqet pranverën tjetër. /ekofin.al





