Dy ligje që zgjerojnë kompetencat dhe përgjegjësitë e Agjencisë së Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara (AAPSK) janë botuar sot në Fletoren Zyrtare, duke i hapur rrugë zbatimit të një kuadri të ri ligjor për administrimin, zhvillimin dhe përdorimin e pasurive të konfiskuara në Shqipëri.
Bëhet fjalë për ligjin nr. 121/2026, që ndryshon ligjin nr. 66/2023 për administrimin e objekteve të konfiskuara si ndërtime pa leje, si dhe ligjin nr. 122/2026, që ndryshon ligjin nr. 34/2019 për administrimin e pasurive të sekuestruara dhe të konfiskuara.
Ndryshimet synojnë të përmirësojnë administrimin e pasurive që kalojnë në përgjegjësinë e shtetit, të zgjerojnë mundësitë e përdorimit të tyre për interes publik dhe strehim social, si dhe të krijojnë mekanizma të rinj financiarë për zhvillimin dhe shfrytëzimin e objekteve të konfiskuara.
Një nga risitë kryesore është forcimi i rolit të AAPSK-së si institucioni përgjegjës për administrimin e objekteve të konfiskuara, duke përfshirë vlerësimin teknik dhe financiar, regjistrimin, shitjen në ankand publik, dhënien në përdorim dhe monitorimin e pasurive.
Ligji nr. 121/2026 përcakton se AAPSK-ja do të ketë kompetenca të drejtpërdrejta për organizimin e procedurave të administrimit dhe zhvillimit të objekteve të konfiskuara si ndërtime pa leje.
Agjencia do të mund të propozojë kalimin e këtyre objekteve në pronësi, përdorim ose përgjegjësi administrimi të institucioneve dhe enteve publike, ndërsa për objektet që do të shiten do të organizojë ankande publike, pas miratimit përkatës nga ministri përgjegjës për konfiskimet.
Një tjetër ndryshim i rëndësishëm është krijimi i një fondi të veçantë financiar për ndërtimet pa leje të konfiskuara. Ky fond do të përdoret për përfundimin, përmirësimin, përshtatjen dhe zhvillimin e objekteve që kanë kaluar në administrimin e AAPSK-së.
Përmes këtij mekanizmi, të ardhurat e krijuara nga administrimi dhe shitja e objekteve, sipas përcaktimeve ligjore, mund të shërbejnë për financimin e ndërhyrjeve të nevojshme, me qëllim përdorimin e tyre për interes publik dhe masa sociale.
Kuadri i ri parashikon gjithashtu që AAPSK-ja të angazhojë ekspertë të licencuar dhe ekspertë të jashtëm për vlerësimin teknik dhe financiar të objekteve. Përzgjedhja e tyre do të bëhet sipas listës së publikuar dhe administruar nga Ministria e Drejtësisë, me procedura që përjashtohen nga prokurimi publik dhe rregullohen përmes marrëdhënieve kontraktuale.
Ligji vendos edhe detyrimin që aktet dhe vendimet për administrimin e objekteve të konfiskuara të publikohen elektronikisht në faqen zyrtare të AAPSK-së, duke krijuar një mekanizëm shtesë transparence për vendimmarrjen institucionale.
Ndërkohë, ligji nr. 122/2026 zgjeron fushën e veprimit të AAPSK-së, duke përfshirë në administrimin e saj edhe pasuritë e sekuestruara dhe të konfiskuara nga organet administrative të pushtetit qendror dhe njësitë e vetëqeverisjes vendore, krahas atyre të sekuestruara dhe të konfiskuara nga organet e drejtësisë.
Ky ndryshim zgjeron kategoritë e pasurive që mund të administrohen nga Agjencia dhe krijon një bazë më të gjerë ligjore për përdorimin e tyre në iniciativa publike shtetërore, masa sociale dhe kompensimin financiar të viktimave të krimit.
Për herë të parë, ligji parashikon shprehimisht edhe administrimin nga AAPSK-ja të monedhave virtuale të sekuestruara ose të konfiskuara nga organet e drejtësisë, në bazë të vendimeve gjyqësore apo urdhrave të prokurorit.
Rregullat dhe procedurat për administrimin e këtyre pasurive digjitale do të përcaktohen me udhëzim të ministrit përgjegjës për rendin dhe sigurinë publike, brenda 12 muajve nga hyrja në fuqi e ligjit.
Ndryshimet përfshijnë gjithashtu procedurat e shitjes së pasurive të konfiskuara dhe mënyrën e mbulimit të shpenzimeve për administrimin e tyre, duke përcaktuar zbatimin e legjislacionit të prokurimit publik për pasuritë e konfiskuara dhe përdorimin e studimit të tregut për shpenzimet e administrimit të pasurive nën sekuestro.
Me hyrjen në fuqi të dy ligjeve, AAPSK-ja do të ketë një rol më të gjerë në menaxhimin e pasurive të paligjshme që kalojnë nën administrimin shtetëror, duke e orientuar këtë proces jo vetëm drejt ruajtjes dhe shitjes së tyre, por edhe drejt zhvillimit ekonomik, ripërdorimit social dhe mbështetjes së interesit publik. /ekofin.al
