Kryeministri Edi Rama e cilësoi sot buxhetin e vitit 2027 historik për Shqipërinë teksa theksoi se “për herë të parë shteti shqiptar ka një buxhet që prek tavanin e 10 miliardë eurove”.
Në fjalën e tij në Kuvend, Rama tha se “ky buxhet është i rëndësishëm jo vetëm për këtë fakt, ky fakt është thjesht domethënës për sa i takon rritjes së mundësive të ekonomisë sonë”.
“Ky buxhet është i rëndësishëm edhe për një fakt tjetër, për faktin që kjo shumicë qeverisëse, Partia Socialiste falë krijimit të mundësive të reja të ekonomisë me këtë buxhet ul drejtpërdrejt pikërisht atë që është edhe fjala kyçe e ditëve të sotme në Shqipëri edhe në Europë, në rajon po se po, koston e jetesës për familjet shqiptare duke lehtësuar barrën fiskale për shtresën e mesme dhe duke vazhduar të rrisë mbështetjen për pensionistët dhe për ata që janë më në nevojë”.
Rama u shpreh se “e nis pikërisht nga kjo sepse i kemi dëgjuar shpesh këto masa si të ishin thjesht çështje dëshirash, i kemi dëgjuar shpesh të na kundërvihen a thua se ne nuk e kishim dëshirën për t’i marrë me parë këto masa”.
Kryeministri Rama tha se “i kemi dëgjuar shpesh si argumente se përse njerëzit nuk duhet të na votojnë, por në fakt arsyeja pse shumica e shqiptarëve na ka votuar dhe do të vazhdojë të na votojë qëndron pikërisht tek një e vërtetë shumë e thjeshtë. E vërteta që ndanë shqiptarët që janë jashtë kësaj salle, njerëzit e zakonshëm të këtij vendi me këta që janë këtu në këtë sallë dhe që nuk kanë asnjë lidhje fare me njerëzit e zakonshëm të këtij vendi duke filluar nga niveli logjik”.
Duke iu drejtuar deputetëve të opozitës Rama tha se “jua kam thënë qysh në fjalën time të parë në këtë kuvend si Kryeministër mos i bëni shqiptarët për budallenj se shqiptarët të japin ujë në bisht të lugës dhe faktikisht ujë në bishtin e lugës kanë marrë në gjithë këto vite dhe sikundër e konfirmoi edhe Tabaku do të marrin edhe në 9 maj”.
“Këto nuk janë çështje dëshirash, dëshirën për të ulur taksat e ushqimeve bazë ne e kemi pasur qysh në krye të herës dhe e kemi të shkruar edhe në programin tonë të parë, në programin bazë të këtyre mandateve, programin për një rilindje shqiptare”, tha Rama.
Dëshirën për të lehtësuar barrën e karburantit, shtoi Rama, pa diskutim që e kemi pasur qysh në krye të herës.
Por, tha Kryeministri, arsyeja pse barra e karburantit ka qenë më e lartë sesa në vendet e tjera të rajonit është se në strukturën e çmimit ne kemi ende sot, por nuk do të kemi më duke filluar nga 1 janari, taksën e qarkullimit.
Më tej Rama u ndal tek pensionet duke theksuar se “dëshirën për t’i rritur më shumë pensionet, për t’i mbështetur më fort familjet e reja, për ti dhënë më shumë mundësi atyre që duan ta ndërtojnë jetën këtu që të kenë akses në strehimin e përballueshëm e kemi pasur qysh në krye të herës.
Por, shtoi Rama, nuk janë dëshirat që mbushin arkën e shtetit, nuk janë dëshirat që përcaktojnë rrugën e një qeverisjeje.
“Nuk janë dëshirat që e bëjnë një qeveri më të mirë, por është ekonomia që mbush arkën e shtetit, që përcakton edhe shpejtësinë e rrugës, është ekonomia që e bën qeverinë edhe më të mirë kur ajo ka mundësi të rishpërndajë edhe më shumë”, tha Rama.
Kreu i qeverisë tha se papunësia ka rënë me 10%, teksa shtoi se paga mestare është rritur në 967 euro.
Rama nënvizoi më tej se “investimet e huaja kanë prekur nivele historike”, teksa nënvizoi se “potenciali për të rritur ato ende shumë më tepër, është shumë e qartë që nuk ju pëlqen të gjithëve. Nuk ju pëlqen të gjithëve këtu, nuk ju pëlqen të gjithëve përtej kufijve të Shqipërisë”.
Kreu i qeverisë tha se kemi në “buxhet më të madh se asnjëherë dhe, siç thashë, një borxh publik më të ulët se asnjëherë qysh se ne morëm detyrën”.
“Kjo do të thotë që Shqipëria ka fituar një fuqi të re ekonomike, që nuk është një shifër e hedhur në letër, por është një mundësi e re për të bërë më shumë për njerëzit”, tha Rama.
Por nga ana tjetër, shtoi Rama, “ne jemi shumë të vetëdijshëm që një ekonomi që rritet nuk do të thotë automatikisht se çdo familje e ndjen njësoj rritjen”.
“Përkundrazi, zhvillimi i shpejtë, transformimi i madh, sjell me vete edhe një paradoks që ne tanimë e kemi edhe më të qartë falë edhe mobilizimit të qytetarëve në javët e para të qershorit. Rriten pagat, por rriten dhe pritshmëritë, rriten të ardhurat, por rriten edhe kërkesat, rritet aktiviteti ekonomik, por në tregun e banesave, në qiratë, në çmimet e produkteve të përditshme, krijojnë presione të reja që rëndojnë drejtpërdrejt mbi familjet më të zakonshme”, tha ai.
Rama theksoi se ekonomia është një fuqi që duhet ta bëjë jetën më të mirë njerëzve të vendit ku ajo fuqi rritet.
“Dhe pikërisht ky është thelbi i buxhetit 2027, dhe pikërisht ky është thelbi i këtij mandati të katërt. Dhe pikërisht këtu është rasti për të kujtuar se programi ynë qeverisës i këtij mandati, Shqipëria në Bashkimin Europian në 2030, është pazgjidhshmërisht i lidhur me Shqipërinë ku shqiptarët ndihen familjarisht më të fortë në ekonominë e tyre këtu në Shqipëri”, tha ai.
Sipas kreut të qeverisë, sot është mundësia që falë reformave dhe punës e përpjekjeve të mëdha, të bëhen lehtësime që nuk i bënin dot deri dje.
“E përsëris, jo se nuk donim, por se nuk mundnim. Dhe sot ne vijmë këtu për të miratuar uljen e TVSH-së në 6% për 54 produkte të shportës ushqimore: për bukën, për qumështin, për miellin, për vezët, për mishin, për peshkun, për vajin, frutat, perimet, ushqimet bazë për foshnjat dhe tjera produkte të konsumit të përditshëm”, tha ai.
Sipas tij, ky është “një lehtësim që, e thënë ndryshe, lë rreth 150 milionë euro çdo vit në arkën e familjeve, 150 milionë euro të cilat ndryshe do të vinin në buxhetin e shtetit, drejtpërdrejt, përmes çmimeve të ulura falë uljes, domethënë, të TVSH-së”.
Rama shtoi se nuk po ulet TVSH që diferencën ta fusin në xhep tregtarët, ndërkohë që familjet të vazhdojnë të paguajnë njësoj logjikën e kapitalizmit.
Prandaj kjo masë, shtoi ai “do të shoqërohet edhe me fuqizimin e pasqyrës së çmimeve, e cila ka filluar të na jep rezultate inkurajuese dhe të mekanizmave të transparencës dhe të kontrollit të tregut”.
“Sepse prova e vërtetë e kësaj politike të re nuk do të jetë përqindja që ne shkruajmë në ligj, por do të jetë çmimi që qytetari do të shohë në raftin e dyqanit”, tha ai.
Rama u ndal edhe te mbështetja për pensionistët dhe rritja e të ardhurave të tyre.
Gjatë fjalës në Kuvend, Rama theksoi se pensionistët duhet të përfitojnë më shumë nga rritja ekonomike, duke e cilësuar këtë si një detyrim të qeverisë ndaj kësaj kategorie.
“Nëse ka një kategori të shoqërisë sonë që meriton të ndjejë më shumë nga përfitimet e rritjes ekonomike, pa diskutim është kategoria e pensionistëve”, u shpreh Rama.
Kryeministri nënvizoi se pensionistët janë një kategori që i vlerëson me kujdes llogaritë dhe përfitimet ekonomike, ndërsa kritikoi ata që, sipas tij, përpiqen t’i ngatërrojnë me shifra dhe llogaritje të pasakta.
“Ajo që pensionistët e dinë më mirë se kushdo është se çfarë do të thotë të rrisësh një ekonomi me mund dhe të shpërndash atë që del nga mundi”, deklaroi ai.
Rama u shpreh se një pjesë e pensionistëve vijojnë të përballen me vështirësi ekonomike, pavarësisht kontributit të tyre ndër vite për vendin dhe familjet.
“Ndërkohë që realiteti i tyre mbetet i vështirë, ndërkohë që ka shumë pensionistë që jetojnë me pak, ndërkohë që ka pensionistë që kanë punuar një jetë të tërë dhe jo vetëm kanë rritur fëmijët në mënyrë dinjitoze dhe kanë mbajtur familjen, por kanë kontribuar për vendin shumë e shumë herë më tepër sesa shumëkush nga ata që ikën dhe nga plot të tjerë që kanë ikur më parë, ne nuk mund të mbetemi vetëm te entuziazmi legjitim për rritjen ekonomike apo për trefishimin ekonomik të Shqipërisë, nëse nuk i qëndrojmë një për një detyrimit tonë ndaj tyre, ndaj pensionistëve”, tha Kryeministri.
“Si gjithë të tjerat, edhe pensionet nuk rriten nga dëshira, por rriten me ekonomi. Falë rritjes, ne jemi në gjendje të vazhdojmë atë që kemi nisur nga 1 janari, të dyfishojmë rritjen e vitit që po lëmë pas dhe t’i qëndrojmë këtij zotimi çdo vit pasardhës, me dyfishim dhe dyfishim dhe dyfishim, krahasimisht me vitin e parë, që është ky i këtij procesi”, shtoi Rama.
Ai bëri të ditur se në projektbuxhetin e vitit 2027 janë parashikuar 20 miliardë lekë, ose rreth 200 milionë euro, për dyfishimin e rritjes për pensionistët, ndërsa për indeksimin e tyre në muajin prill është parashikuar një fond shtesë prej 4 miliardë lekësh, ose 40 milionë euro.
“Janë 20 miliardë lekë ose rreth 200 milionë euro në këtë buxhet, që janë vetëm për këtë dyfishim të rritjes për pensionistët. Ndërkohë që indeksimi afrohet në muajin prill dhe për këtë është një fond shtesë prej 4 miliardë lekësh ose 40 milionë eurosh”, tha Rama.
Kryeministri theksoi se në fund të vitit 2027 skema do të përfshijë rreth 800 mijë pensionistë, duke nënvizuar se synimi është që përfitimet nga rritja ekonomike të shpërndahen në mënyrë sa më të drejtë, duke nisur nga kjo kategori.
“Në një sistem që në fund të vitit 2027 do ta prekë tavanin e 800 mijë pensionistëve, është e domosdoshme që ne të mbetemi deri në fund besnikë të kësaj kategorie, duke bërë gjithçka që çfarë nxjerr ekonomia të rishpërndahet në mënyrë sa më të drejtë, duke filluar nga ata”, theksoi Rama.
