Shoqëritë operatore të teknologjisë së informacionit dhe komunikimit (TIK), të ngarkuara me administrimin e sistemeve dhe platformave shtetërore, pritet të fitojnë të drejtën për të negociuar dhe lidhur drejtpërdrejt marrëveshje me prodhuesit e teknologjisë për blerjen dhe përdorimin e licencave të softuerëve, shërbimeve cloud dhe produkteve të tjera teknologjike.
Ky është ndryshimi kryesor që propozon deputetja e Partisë Socialiste, Briseida Çakërri, përmes një projektligji të depozituar në Kuvend, i cili parashikon shtimin e një dispozite të re në ligjin nr. 43/2023, “Për qeverisjen elektronike”.
Nisma synon të ndryshojë mënyrën se si sigurohen licencat e nevojshme për funksionimin e sistemeve shtetërore, duke u dhënë shoqërive operatore TIK mundësinë të negociojnë drejtpërdrejt me kompanitë prodhuese, në vend që blerjet të realizohen në mënyrë të fragmentuar nga institucione dhe projekte të ndryshme.
Sipas relacionit shoqërues, ndryshimi synon uljen e kostove për buxhetin e shtetit, garantimin e vazhdimësisë së shërbimeve elektronike, forcimin e sigurisë kibernetike dhe përshpejtimin e përditësimit të sistemeve publike.
Çfarë ndryshon në ligjin për qeverisjen elektronike?
Projektligji parashikon shtimin e nenit 26/2, të titulluar “Marrëveshjet e licencimit”, menjëherë pas nenit 26/1 të ligjit ekzistues.
Sipas dispozitës së propozuar, shoqëritë operatore TIK, në kuadër të ushtrimit të veprimtarisë së tyre, do të kenë të drejtën të negociojnë dhe të lidhin drejtpërdrejt marrëveshje me prodhuesit e teknologjisë për blerjen dhe përdorimin e licencave të ofruara prej tyre.
Këto marrëveshje nuk do të kufizohen vetëm te programet kompjuterike, por do të përfshijnë një gamë të gjerë produktesh dhe shërbimesh teknologjike.
Konkretisht, në konceptin e licencave përfshihen të drejtat e përdorimit të softuerit, shërbimet cloud computing, funksionalitetet teknologjike të ofruara nga prodhuesit, abonimet, licencat sipas konsumit, shërbimet e mbështetjes dhe mirëmbajtjes, si dhe të drejtat e përdorimit të lidhura me pajisjet hardware.
Marrëveshjet duhet të përcaktojnë të paktën kushtet ekonomike, kushtet e përdorimit, nënlicencimin dhe transferimin e licencave.
Kjo do t’u mundësonte shoqërive operatore TIK, siç është ADS, të negociojnë jo vetëm çmimin e blerjes, por edhe kushtet e përdorimit të teknologjisë, zgjerimin e kapaciteteve dhe mbështetjen teknike.
Synohet blerja e përbashkët e licencave për të gjitha sistemet shtetërore
Një nga argumentet kryesore të nismës lidhet me mënyrën aktuale të sigurimit të licencave.
Në relacion theksohet se kuadri ligjor ekzistues nuk u njeh shoqërive operatore TIK të drejtën për të hyrë në negociata dhe për të lidhur marrëveshje drejtpërdrejt me prodhuesit e teknologjisë.
Për pasojë, licencat sigurohen në mënyrë të fragmentuar, sipas institucioneve dhe projekteve të veçanta, duke mos përfituar nga avantazhet ekonomike që mund të krijojë blerja e përbashkët për të gjitha sistemet shtetërore.
Sipas relacionit, kjo praktikë bën që shteti të paguajë çmime më të larta sesa do të paguante nëse do të negocionte si një klient i vetëm.
Gjithashtu, institucione të ndryshme mund të përdorin versione dhe modele të ndryshme licencimi për të njëjtin produkt, duke vështirësuar integrimin dhe mirëmbajtjen e sistemeve.
Me ndryshimin e propozuar, shoqëritë operatore TIK do të mund të grumbullojnë nevojat e sistemeve shtetërore dhe të negociojnë marrëveshje të përbashkëta, me synimin për të siguruar çmime preferenciale dhe zbritje në varësi të volumit të licencave.
Marrëveshje të drejtpërdrejta me prodhuesit dhe raporti me prokurimin publik
Një element i rëndësishëm i projektligjit është mundësia e lidhjes së marrëveshjeve drejtpërdrejt me prodhuesit e teknologjisë.
Në relacion argumentohet se modelet bashkëkohore të licencimit, veçanërisht marrëveshjet në nivel ndërmarrjeje, kërkojnë negociata të drejtpërdrejta me prodhuesin, për shkak të kompleksitetit të produkteve dhe kushteve të përdorimit.
Dokumenti sqaron se dispozita e propozuar nuk synon të krijojë një përjashtim të përgjithshëm nga legjislacioni i prokurimit publik, por të zbatohet vetëm për marrëveshjet që lidhen drejtpërdrejt me prodhuesin e teknologjisë.
Në rastet kur licencat nuk sigurohen drejtpërdrejt nga prodhuesi, sipas relacionit, do të vijojë zbatimi i legjislacionit për prokurimin publik.
Megjithatë, ndryshimi krijon një bazë të re ligjore për negocimin dhe lidhjen e marrëveshjeve të licencimit, duke e bërë të rëndësishëm përcaktimin e qartë të procedurave, dokumentimit dhe kontrollit të kushteve ekonomike.
Licencat mund të aktivizohen menjëherë, pa pritur procedurat e zakonshme të blerjes
Projektligji synon gjithashtu të zgjidhë problematikën e vonesave në sigurimin e licencave të nevojshme për mirëmbajtjen dhe funksionimin e sistemeve elektronike.
Sipas relacionit, sistemet shtetërore varen nga licencat dhe mbështetja teknike e prodhuesve. Një sistem qeveritar nuk mund të mirëmbahet, të përditësohet apo të mbrohet nga kërcënimet kibernetike pa licencat përkatëse.
Në rastet kur një licencë skadon ose nevojitet një funksionalitet i ri, procedurat e zakonshme të blerjes mund të shkaktojnë vonesa dhe të krijojnë rrezik për ndërprerjen e shërbimeve.
Për këtë arsye, marrëveshjet e drejtpërdrejta synojnë të mundësojnë aktivizimin e menjëhershëm të licencave shtesë, sipas kushteve të negociuara paraprakisht me prodhuesit.
Kjo mund të përfshijë shtimin e përdoruesve, zgjerimin e kapaciteteve të ruajtjes së të dhënave, aktivizimin e moduleve të reja dhe sigurimin e përditësimeve të nevojshme për mbrojtjen kibernetike.
Përfshihen edhe shërbimet cloud dhe abonimet teknologjike
Relacioni argumenton se industria e teknologjisë ka kaluar gjithnjë e më shumë nga modeli tradicional i licencave të përhershme drejt abonimeve periodike dhe pagesave sipas konsumit.
Për këtë arsye, projektligji përfshin shprehimisht edhe shërbimet cloud computing.
Në këtë kategori bëjnë pjesë infrastruktura si shërbim (IaaS), platforma si shërbim (PaaS) dhe softueri si shërbim (SaaS).
Gjithashtu, marrëveshjet mund të përfshijnë licenca sipas numrit të përdoruesve, pajisjeve, serverëve, kapaciteteve të përpunimit, volumit të të dhënave dhe numrit të transaksioneve.
Sipas relacionit, ky fleksibilitet është i nevojshëm për të përshtatur kontratat me mënyrën reale të përdorimit të teknologjisë nga administrata shtetërore.
Shoqëritë operatore TIK marrin rol më të madh në administrimin e sistemeve
Nisma lidhet edhe me reformën e nisur përmes ligjit nr. 25/2026, të datës 20 shkurt 2026, i cili krijoi bazën ligjore për shoqëritë operatore TIK dhe kalimin në administrimin e tyre të sistemeve, platformave dhe infrastrukturave teknologjike të shtetit.
Sipas relacionit, këtyre shoqërive u është ngarkuar zhvillimi, operimi dhe mirëmbajtja e sistemeve shtetërore, por nuk u është dhënë instrumenti i nevojshëm për sigurimin efikas të licencave.
Projektligji i ri synon të plotësojë këtë kuadër, duke u dhënë mundësinë të negociojnë drejtpërdrejt me prodhuesit dhe të menaxhojnë në mënyrë të përbashkët nevojat për licenca.
Një tjetër argument është se marrëveshjet e drejtpërdrejta mund t’u sigurojnë operatorëve shtetërorë akses në mbështetjen teknike, njoftimet e sigurisë dhe planifikimin e zhvillimeve teknologjike të prodhuesve.
Kursime për buxhetin, por ende pa një vlerësim financiar
Në relacionin shoqërues, propozuesja argumenton se ndryshimi do të ketë ndikim pozitiv në buxhetin e shtetit, kryesisht përmes uljes së shpenzimeve për licencat dhe mirëmbajtjen e sistemeve qeveritare.
Kursimet pritet të vijnë nga çmimet preferenciale, zbritjet sipas volumit dhe marrëveshjet e drejtpërdrejta me prodhuesit.
Gjithashtu, sipas relacionit, marzhi operacional i shoqërisë operatore TIK nuk aplikohet mbi vlerën e licencave, por këto të fundit evidentohen veçmas në kostimin e shërbimit.
Për rrjedhojë, ulja e çmimeve të licencave do të kalonte te institucionet publike përfituese dhe, në fund, te buxheti i shtetit. /ekofin.al
