Bordi i Transparencës ka miratuar çmimet e reja të tregtimit të karburanteve në vend, të cilat do të hyjnë në fuqi sot, më 17 nëntor 2026, duke filluar nga ora 17:30.
Sipas vendimit të fundit, çmimi maksimal i shitjes me pakicë të naftës (gazoilit) është përcaktuar në 207 lekë për litër, ndërsa benzina do të tregtohet me një çmim jo më të lartë se 164 lekë për litër.
Ndërkohë, çmimi i gazit për automjetet është vendosur në 70 lekë për litër.
Për tregtimin me shumicë, Bordi ka përcaktuar çmimin maksimal prej 195 lekësh për litër për naftën, 152 lekësh për litër për benzinën dhe 58 lekësh për litër për gazin.
Një çmim i veçantë është përcaktuar për sektorin e peshkimit, ku gazoili do të tregtohet me 112 lekë për litër.
Çmimet e reja do të mbeten në fuqi deri në mbledhjen e ardhshme të Bordit të Transparencës, kur do të bëhet rivlerësimi i tyre në përputhje me zhvillimet në tregun e hidrokarbureve.
Bordi ka paralajmëruar të gjithë operatorët e tregtimit me shumicë dhe pakicë se zbatimi i çmimeve të miratuara është i detyrueshëm. Në rast të konstatimit të shkeljeve, ndaj subjekteve do të zbatohet masa e pezullimit të aktivitetit.
Vendimi është marrë në kuadër të situatës së veçantë të shpallur në tregun e hidrokarbureve, sipas vendimit të Këshillit të Ministrave nr. 711, datë 16 shtator 2026, si dhe kuadrit ligjor për kufizimin e përkohshëm të çmimeve të karburanteve.
Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit, Ministria e Financave dhe Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë theksojnë se masat synojnë mbrojtjen e konsumatorëve dhe garantimin e konkurrencës së ndershme në tregun e karburanteve./ekofin.al
