Qendra Kombëtare e Biznesit (QKB) do të ndryshojë mënyrën e ofrimit të shërbimeve për bizneset, duke e përcaktuar portalin e-Albania si kanalin për kryerjen e procedurave të regjistrimit, licencimit dhe administrimit të të dhënave të pronarëve përfitues. Paralelisht, ligji i ri parashikon heqjen e dispozitave që rregullojnë sportelet fizike të shërbimit, zgjerimin e kompetencave të QKB-së dhe bashkëpunimin me Dhomën Ekonomike Kombëtare.
Ndryshimet sipas dispozitave të ligjit nr. 117/2026, përcaktojnë se QKB-ja do t’i ushtrojë funksionet drejtpërdrejt për publikun përmes portalit e-Albania, ndërsa shfuqizon një sërë dispozitash të mëparshme që përcaktonin organizimin e sporteleve të shërbimit.
Kjo e vendos kanalin elektronik në qendër të marrëdhënies së bizneseve me institucionin, si për regjistrimin tregtar, ashtu edhe për licencat, autorizimet, lejet dhe regjistrimin e pronarëve përfitues.
Dhoma Ekonomike Kombëtare merr rol në administrimin e të dhënave të bizneseve
Ligji parashikon përfshirjen e Dhomës Ekonomike Kombëtare në disa procese që deri më tani janë lidhur kryesisht me QKB-në.
Sipas ligjit, dy institucionet do të bashkëpunojnë për identifikimin, verifikimin, saktësimin dhe përditësimin e Kodit të Nomenklaturës së Veprimtarive Ekonomike (NVE), që përdoret për klasifikimin e aktivitetit të bizneseve.
Dhoma Ekonomike Kombëtare do të ketë përgjegjësi për certifikimin, shpërndarjen dhe mirëmbajtjen e këtij kodi, si dhe për përditësimin periodik vjetor të tij.
Ky ndryshim ka rëndësi për subjektet tregtare, pasi kodi NVE përdoret për identifikimin dhe klasifikimin e veprimtarive ekonomike që ato ushtrojnë.
Bashkëpunimi do të përfshijë gjithashtu informimin e bizneseve për detyrimet ligjore dhe procedurale, këshillimin gjatë regjistrimit ose ndryshimeve në regjistrin tregtar, si dhe ofrimin e shërbimeve të tjera, përfshirë analiza ekonomike dhe statistika.
Ligji parashikon që Dhoma Ekonomike Kombëtare të ketë akses si përdoruese në regjistrin tregtar, regjistrin e licencave, lejeve dhe autorizimeve, si edhe në regjistrin e pronarëve përfitues. Ky akses duhet të realizohet në përputhje me legjislacionin për mbrojtjen e të dhënave personale dhe sigurinë e informacionit.
Megjithatë, këto kompetenca nuk aktivizohen menjëherë. Ato do të hyjnë në fuqi me hyrjen në fuqi të ligjit të posaçëm për Dhomën Ekonomike Kombëtare. Më pas, qeveria do të ketë 90 ditë për të miratuar rregullat e aksesit, shkëmbimit të informacionit dhe bashkëpunimit ndërmjet dy institucioneve.
QKB merr kompetenca të zgjeruara për pronarët përfitues
Ndryshimet ligjore përcaktojnë shprehimisht edhe kompetencat e QKB-së për administrimin e regjistrit të pronarëve përfitues.
Institucioni ngarkohet me mbajtjen dhe administrimin e këtij regjistri, si dhe me kryerjen e regjistrimeve sipas legjislacionit përkatës.
Gjithashtu, QKB-ja do të lëshojë në mënyrë elektronike certifikata dhe ekstrakte të regjistrimeve, krahas kopjeve të vërtetuara të dokumenteve të depozituara.
Ligji zgjeron edhe detyrimin e institucionit për informimin dhe këshillimin e publikut. Informacioni për regjistrimin e bizneseve do të ofrohet në gjuhën shqipe dhe angleze, ndërsa këshillimi do të përfshijë edhe licencimin, autorizimet, lejet dhe regjistrimin e pronarëve përfitues.
Ndryshimet forcojnë gjithashtu rolin e QKB-së në hartimin e politikave dhe vlerësimin e mjedisit rregullator për bizneset.
Regjistrat e bizneseve shqiptare do të ndërlidhen me ata të BE-së
Ligji përgatit edhe një ndryshim të rëndësishëm për kompanitë që operojnë në tregjet ndërkombëtare: ndërlidhjen e regjistrit tregtar shqiptar me regjistrat tregtarë të vendeve të Bashkimit Evropian.
Sistemi do të mundësojë shkëmbimin elektronik të informacionit për shoqëritë tregtare dhe degët e tyre, përmes Platformës Qendrore Evropiane dhe portalit evropian e-Justice.
Për kompanitë shqiptare që kanë degë në vendet e BE-së, kjo do të thotë se ndryshimet në emrin e shoqërisë, selinë, formën ligjore, administratorët apo depozitimin e pasqyrave financiare do të mund t’u komunikohen regjistrave përkatës përmes sistemit të ndërlidhjes.
E njëjta logjikë do të zbatohet për degët e kompanive evropiane të regjistruara në Shqipëri.
Madje, në rastet kur një kompani e regjistruar në një shtet të BE-së çregjistrohet, QKB-ja do të çregjistrojë pa vonesë edhe degën e saj në Shqipëri, me përjashtim të rasteve të përcaktuara në ligj, si bashkimet, ndarjet apo shndërrimet e shoqërive.
Sistemi do të mundësojë shkëmbimin e informacionit edhe për procedurat e falimentimit, likuidimit dhe administratorët e ndaluar.
Parashikohet gjithashtu publikimi pa pagesë, në shqip dhe anglisht, i informacionit mbi themelimin e kompanive, dokumentacionin, tarifat dhe rregullat për administratorët.
Megjithatë, dispozitat që lidhen me ndërlidhjen evropiane dhe këto detyrime të reja publikimi do të hyjnë në fuqi vetëm me hyrjen në fuqi të Traktatit të Anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian. Për rrjedhojë, ato nuk përbëjnë shërbime që bizneset mund t’i kërkojnë menjëherë mbi bazën e këtij ligji. /ekofin.al
