Inflacioni i matur sipas Indeksit të Harmonizuar të Çmimeve të Konsumit (IHÇK) arriti në 3.5% në tetor 2026, ndërsa rritja mujore e çmimeve ishte 0.8%. Sipas të dhënave të INSTAT, shtrenjtimi i ushqimeve vijon të jetë faktori kryesor që ndikon në rritjen e kostos së konsumit, ndërsa rritje të ndjeshme regjistrohen edhe në transport, argëtim, sport dhe kulturë.
Grupi “Ushqime dhe pije joalkoolike” dha kontributin më të madh në inflacionin vjetor, me 1.53 pikë përqindje. Çmimet në këtë kategori u rritën me 4.4% krahasuar me tetorin e vitit të kaluar. Duke qenë edhe grupi me peshën më të madhe në shportën e IHÇK-së, me 34.46% të peshës totale, lëvizjet e çmimeve të ushqimeve ndikojnë drejtpërdrejt në ecurinë e indeksit të përgjithshëm.
Pas ushqimeve, ndikimin më të madh në inflacionin vjetor e dha grupi “Argëtim, sport dhe kulturë”, me një kontribut prej 0.63 pikë përqindje. Çmimet në këtë kategori u rritën me 9.8% në bazë vjetore, ndërsa indeksi shënoi rritjen më të lartë ndër grupet e shpenzimeve, me 12.5% krahasuar me vitin 2025.
Një tjetër faktor që ka ndikuar në rritjen e çmimeve është transporti. Ky grup regjistroi një rritje vjetore prej 6.9%, duke kontribuar me 0.58 pikë përqindje në inflacionin e përgjithshëm. Ndërkohë, grupi “Restorante dhe shërbime akomodimi” shënoi rritje vjetore prej 2%, me një kontribut prej 0.30 pikë përqindje.
Rritje të çmimeve u regjistruan gjithashtu te pijet alkoolike dhe duhani me 3.8%, shërbimet arsimore me 3%, shëndeti me 2% dhe kujdesi personal, mbrojtja sociale dhe mallrat e shërbimet e ndryshme me 2.5%.
Nga ana tjetër, disa kategori shënuan ulje të çmimeve. Veshjet dhe këpucët rezultuan 2.1% më të lira se një vit më parë, ndërsa informacioni dhe komunikimi regjistruan një rënie prej 1%. Edhe mobiljet, pajisjet shtëpiake dhe mirëmbajtja e shtëpisë shënuan një ulje të lehtë prej 0.1%.
Rritja mujore, 0.8% në tetor
Krahasuar me shtatorin 2026, çmimet e konsumit u rritën me 0.8%. Edhe në këtë rast, ndikimin kryesor e patën ushqimet dhe pijet joalkoolike, të cilat u shtrenjtuan me 2.1% brenda një muaji.
Rritje mujore u regjistruan edhe te veshjet dhe këpucët me 1.1%, mobiljet dhe pajisjet shtëpiake me 0.9%, pijet alkoolike dhe duhani me 0.6%, si dhe kujdesi personal dhe shërbimet e ndryshme me 0.5%.
Në të kundërt, çmimet e restoranteve dhe shërbimeve të akomodimit ranë me 0.5%, transporti me 0.3% dhe shëndeti me 0.1%.
IHÇK-ja dhe krahasimi me Bashkimin Evropian
Indeksi i Harmonizuar i Çmimeve të Konsumit përdoret për të krahasuar inflacionin ndërmjet vendeve evropiane, pasi mbështetet në një metodologji të harmonizuar statistikore. Sipas INSTAT, në tetor 2026 inflacioni mesatar në Bashkimin Evropian ishte 4%, kundrejt 3.5% në Shqipëri.
Ndryshe nga Indeksi i Çmimeve të Konsumit (IÇK), i cili është matësi zyrtar i inflacionit në Shqipëri, IHÇK përfshin edhe shpenzimet e turistëve dhe të familjeve kolektive brenda territorit të vendit, përveç shpenzimeve të familjeve private shqiptare.
Për llogaritjen e indeksit, INSTAT përdor një shportë prej 410 produktesh dhe shërbimesh, ndërsa peshat përditësohen çdo vit në bazë të të dhënave për shpenzimet e konsumit final të familjeve./ekofin.al
