Projektligji i ri për sigurinë e përgjithshme të produkteve joushqimore, i hedhur në konsultim, vendos detyrime më të forta për prodhuesit, importuesit dhe tregtarët, përfshirë platformat online. Dokumentacioni teknik do të ruhet për 10 vjet, ndërsa konsumatorët duhet të njoftohen menjëherë për produktet që paraqesin rrezik.
Prodhuesit, importuesit dhe tregtarët do të kenë përgjegjësi më të qarta për sigurinë e produkteve që vendosin në tregun shqiptar, ndërsa konsumatorët do të përfitojnë më shumë mbrojtje në rastet kur një produkt rezulton i rrezikshëm. Këto janë disa nga ndryshimet kryesore që parashikon projektligji “Për sigurinë e përgjithshme të produkteve joushqimore”, i cili synon të përafrojë legjislacionin shqiptar me rregullat e Bashkimit Evropian.
Nisma përcakton një kuadër të ri detyrimesh për të gjithë zinxhirin e furnizimit, nga prodhuesi dhe importuesi deri te shpërndarësi dhe platformat e tregtimit në internet. Qëllimi është që në treg të vendosen vetëm produkte të sigurta dhe që, kur identifikohen rreziqe, të merren masa të menjëhershme për mbrojtjen e konsumatorëve.
Një nga risitë kryesore është detyrimi i prodhuesve për të kryer analizën e rrezikut përpara vendosjes së produktit në treg dhe për të hartuar dokumentacionin teknik që dëshmon sigurinë e tij.
Ky dokumentacion duhet të përmbajë përshkrimin e produktit, karakteristikat thelbësore, rreziqet e mundshme dhe masat e marra për eliminimin ose zvogëlimin e tyre. Prodhuesit do të jenë të detyruar ta përditësojnë dhe ta ruajnë dokumentacionin për 10 vjet nga data e vendosjes së produktit në treg.
Gjithashtu, produktet duhet të kenë elemente identifikimi, si numri i serisë, grupit ose tipit, si dhe të dhënat e prodhuesit, adresën postare dhe atë elektronike. Udhëzimet dhe informacioni për sigurinë duhet të jenë në gjuhën shqipe.
Importuesit do të kenë përgjegjësi të verifikojnë përmbushjen e këtyre kërkesave përpara se produktet të hidhen në tregun shqiptar.
Projektligji përfshin në mënyrë të posaçme edhe tregtinë elektronike. Produktet e ofruara në internet do të konsiderohen të vendosura në dispozicion të tregut shqiptar kur oferta u drejtohet konsumatorëve në Shqipëri.
Kjo mund të identifikohet përmes mundësisë së porosisë dhe dërgesës në Shqipëri, përdorimit të gjuhës shqipe në komunikimin tregtar, pranimit të pagesave në lekë ose strategjive të tjera që synojnë konsumatorët vendas.
Platformat e tregtimit në internet do të kenë detyrime për trajtimin e njoftimeve për produkte të rrezikshme, bashkëpunimin me autoritetet dhe marrjen e masave për heqjen ose bllokimin e ofertave që lidhen me këto produkte.
Në rast se marrin një urdhër nga autoritetet e mbikëqyrjes së tregut, platformat duhet të veprojnë pa vonesë dhe jo më vonë se dy ditë pune nga marrja e tij. Ato duhet gjithashtu të kryejnë verifikime periodike për produktet e ofruara, duke përdorur informacionin e publikuar nga autoritetet kompetente dhe sistemet përkatëse të alarmit.
Një nga ndryshimet me ndikimin më të drejtpërdrejtë për qytetarët lidhet me të drejtat e tyre kur një produkt tërhiqet për arsye sigurie.
Në këto raste, operatori ekonomik përgjegjës duhet t’i ofrojë konsumatorit, pa pagesë dhe brenda një afati të arsyeshëm, mundësinë për të zgjedhur të paktën dy nga këto mjete juridike: Riparimin e produktit të kthyer; Zëvendësimin me një produkt të sigurt të të njëjtit lloj, me të paktën të njëjtën vlerë dhe cilësi; Rimbursimin e një vlere të paktën sa çmimi i paguar nga konsumatori.
Konsumatorit nuk mund t’i ngarkohen shpenzime për transportin ose kthimin e produktit. Për produktet që nuk mund të dërgohen në mënyrë të zakonshme me postë, operatori ekonomik duhet të organizojë marrjen e tyre me shpenzimet e veta.
Projektligji parashikon gjithashtu që konsumatorët e identifikueshëm të njoftohen drejtpërdrejt dhe menjëherë për kthimin e produkteve ose paralajmërimet e sigurisë. Kur kjo nuk është e mundur, informacioni duhet të publikohet nëpërmjet faqeve të internetit, rrjeteve sociale, pikave të shitjes, mediave dhe kanaleve të tjera të përshtatshme.
Projektligji parashikon forcimin e mbikëqyrjes së tregut dhe bashkëpunimit ndërmjet strukturave përgjegjëse, autoriteteve doganore dhe institucioneve të tjera kompetente.
Kur identifikohet një produkt i rrezikshëm, autoritetet mund të kërkojnë informacion edhe për produkte të tjera të prodhuara sipas së njëjtës procedurë, që kanë të njëjtët përbërës ose i përkasin së njëjtës seri prodhimi.
Një element tjetër është përdorimi i bazës së përbashkët rajonale të të dhënave të CEFTA-s, ku do të regjistrohen dhe shkëmbehen informacione për produktet e rrezikshme, produktet që nuk përmbushin kërkesat teknike, produktet të cilave u është ndaluar hyrja në territorin e një pale të CEFTA-s dhe rastet që janë ende nën hetim.
Parashikohet gjithashtu zhvillimi i kontrolleve të koordinuara dhe fushatave të përbashkëta për kategori produktesh që paraqesin rrezik të lartë për konsumatorët.
Vlerësimi i sigurisë nuk do të kufizohet vetëm te përbërja fizike apo cilësia e produktit. Projektligji përfshin edhe karakteristikat e sigurisë kibernetike, kur natyra e produktit e kërkon një mbrojtje të tillë.
Në vlerësim do të merren parasysh ndërhyrjet keqdashëse të palëve të treta, humbja e mundshme e ndërlidhjes dhe funksionalitetet evoluese, vetënxënëse ose parashikuese të produkteve.
Gjithashtu, vëmendje e veçantë i kushtohet produkteve që mund të paraqesin rrezik për fëmijët, të moshuarit dhe personat me aftësi të kufizuara, si dhe produkteve joushqimore që për shkak të formës, ngjyrës apo paketimit mund të ngatërrohen me ushqime.
Në këtë mënyrë, vlerësimi i sigurisë merr në konsideratë edhe mënyrën se si produktet mund të përdoren në kushte normale dhe të parashikueshme, përtej qëllimit fillestar për të cilin janë projektuar. /ekofin.al
