Bordi i Transparencës ka miratuar çmimet e reja të tregtimit të karburanteve në vend, të cilat do të hyjnë në fuqi sot, më 18 nëntor 2026, duke nisur nga ora 13:30.
Sipas vendimit të fundit, çmimi maksimal i naftës (gazoilit) në pikat e shitjes me pakicë do të jetë 204 lekë për litër, ndërsa çmimi i benzinës është përcaktuar në 163 lekë për litër. Ndërkohë, gazi për automjetet do të tregtohet me 71 lekë për litër.
Për tregtimin me shumicë, Bordi ka vendosur çmimin maksimal prej 192 lekësh për litër për naftën, 151 lekësh për litër për benzinën dhe 59 lekësh për litër për gazin.
Gjithashtu, çmimi i gazoilit që përdoret për aktivitetin e peshkimit është përcaktuar në 109 lekë për litër.
Çmimet e reja do të mbeten në fuqi deri në mbledhjen e ardhshme të Bordit të Transparencës, kur do të rivlerësohen në varësi të zhvillimeve në tregun e hidrokarbureve.
Bordi u ka rikujtuar të gjithë operatorëve të tregtimit me shumicë dhe pakicë detyrimin për respektimin e çmimeve të miratuara, duke paralajmëruar se në rast të konstatimit të shkeljeve do të vendoset pezullimi i aktivitetit.
Vendimi është marrë në kuadër të masave të përkohshme për kontrollin e çmimeve të karburanteve, të vendosura nga qeveria për mbrojtjen e konsumatorëve dhe garantimin e konkurrencës së ndershme në treg./ekofin.al
