Sekretarja e Përgjithshme Risena Xhaja është largimi më i fundit në Ministrinë e Financave me ardhjen e Ministrit të ri Petrit Malaj. Në fakt, largimi nga Financat i Ervin Metes u shoqërua që në ditët e para me disa lëvizje në nivelet e larta drejtuese në këtë ministri.
Javën e kaluar është liruar nga detyra z. Nikolla Lera, që ishte Drejtor i Përgjithshëm në Drejtorinë e Përgjithshme të Politikave Tatimore prej të paktën 10 vitesh te Financat, duke punuar me një sërë ministrash dhe drejtuar një sërë politikash tatimore, përfshirë së fundmi edhe ligjin për tatimin mbi të ardhurat, që vendosi tatimin mbi profesionet e lira, që u rrëzua nga Gjykata Kushtetuese në fund të qershorit.
Ndërsa sekretarja e përgjithshme, si nëpunësi më i lartë shtetëror autorizues, Risena Xhaja, qëndronte në atë detyrë që nga marsi i vitit 2023, duke zëvendësuar Arlind Gjokutaj, i cili ndodhet aktualisht në ndjekje penale. Në atë kohë ministria drejtohej nga Delina Ibrahimaj.
Xhaja ka një karrierë të gjatë në administratën shtetërore, duke mbajtur pozicione të larta drejtuese, si ato në Ministrinë e Kulturës, ku edhe ka qëndruar për një kohë të gjatë, te Kadastra si Zvdrejtoreshë e Pergjithshme dhe së fundmi te Financat. Ende nuk dihet se cili do të jetë pozicioni i ri që do të marrë Risena Xhaja.
Mësohet se gjithashtu i është kërkuar dorëheqje këshilltarit Rudolf Papa për çështjet juridike, i cili ka në detyrë që kur erdhi si ministre financash Anila Denaj. Ndërkohë që i gjithë kabineti i ministrit Mete dha dorëheqjen që me largimin e ministrit.
Në datën 28 korrik, kryeministri Rama njoftoi se Ervin Mete do të largohet nga Ministria e Financave, duke e mbajtur këtë post më pak sesa një vit, pasi kishte zëvendësuar Delina Ibrahimin.
Në vend të tij u emërua Petrit Malaj, që mbante pozicionin e drejtorit të AKBN-në. Krahas Metes u largua nga detyra ministri i Brendshëm dhe ai i Mbrojtjes.
