Ushqimet vijojnë të qëndrojnë me çmime të larta, pothuajse të pandryshuara në Shqipëri, edhe pse në Europë janë ulur ndjeshëm, që prej rritjes së shënuar vitin e kaluar. Në mënyrë të pashpjegueshme, duke përfshirë edhe faktorin e nënçmimit të ndjeshëm të euros, edhe pse një pjesë e konsiderueshme e ushqimeve janë të importuara, përsëri çmimet e tyre nuk lëvizin. Kjo është konfirmuar edhe në statistikat e fundit të publikuara nga INSTAT.
Konstatohet se ndryshimi vjetor i matur nga Indeksi i Harmonizuar i Çmimeve të Konsumit në muajin Qershor 2023 është 5,8 %. Në muajin maj, kjo shifër ishte 5.6%, pra rezulton një rritje me 0.2%. Vihet se kontributin kryesor në këtë rritje e ka grupi “argëtim dhe kulturë”, në masën 12.1%, pasuar nga “ushqime dhe pije joalkoolike”, në masën 10.8%.
Kategoritë e tjera janë “Mobilim, pajisje shtëpie dhe mirëmbajtje” me 5,9 %, “Hotele, kafene dhe restorante” me 4,4 %, “Veshje dhe këpucë” dhe “Mallra dhe shërbime të ndryshme” me 4,3 % secili, “Pije alkoolike dhe duhan” me 4,0 %, “Shërbimi arsimor” me 2,5 %, “Shëndeti” me 2,2 %, “Qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji” me 1,5 % dhe“Komunikimi” me 1,2 %. Nga ana tjetër, çmimet e grupit “Transporti” u ulën me 7,0 %. /ekofin.al
