Nga Arben Malaj
E para, duhet të heqim dorë nga analiza e buxhetit si një tabelë aritmetikore.
Buxheti duhet të vlerësohet si një mbështetës i politikave kombëtare dhe sektoriale.
Treguesit makro duhet të jenë pjesë e strategjisë së zhvillimit të qëndrueshëm, kuadrit makro-ekonomik afatgjatë, programit buxhetor afatmesëm dhe buxhetit vjetor, ku detajohen treguesit një-vjeçarë sipas tabelës së konsoliduar.
Në krahun e të ardhurave, ka disa shifra pozitive që duhen vlerësuar.
Meqenëse ato i detajojnë në mënyrë të palodhshme disa gazetarë, po preferoj të jem më i dobishëm në informimin publik, duke u fokusuar tek pikat e dobëta të 7 mujorit 2024.
Duhen:
Politika tatimore që nxisin interesin për punë dhe biznes.
Politika tatimore që nuk dëmtojnë klasën e mesme dhe politika tatimore që mbështesin kohezionin social.
Po të mbajmë parasysh se rritja më e madhe e të ardhurave tatimore vjen nga tatami i vlerës së shtuar. Atëherë kjo rritje e lartë e të ardhurave nga TVSH, është rritje varfëruese, sepse rritja e çmimit të shportës dhe rritja e inflacionit të pensionistëve ka ulur fuqinë reale të pensioneve, pagave dhe pagesave buxhetore kundër papunësisë dhe varfërisë.
Rënia e fitimeve të biznesit është një ogur jo i mirë, edhe sikur të kompesohet nga tejkalimet në zërat e tjerë.
Kjo sepse rënia e fitimeve të kompanive kur raportohet një rritje ekonomike mbi parashikimin, sinjalizon probleme ose në goditjen e tyre nga faktore siç është kursi i këmbimit, i cili duhet të amortizohen nga rritja e produktivitetit.
Por rritja e produktivitetit kërkon investime teknologjike, të cilat bëhen të vështira për t’u financuar nga vetë biznesi, sidomos kur fitimet e tyre bien.
Rritja e të ardhurave të Bashkive nga lejet e ndërtimit nuk është e qëndrueshme.
FMN këshillon që të bëhet kujdes me zgjerimin e bazës së tatimeve vendore dhe sidomos një kontroll i rreptë i shpenzimeve operative dhe eficencës së investimeve të tyre.
Koncepti “suficit buxhetor” kur investimet publike jane realizuar në 7 muaj vetëm 24% është dëmtues për multiplikatorin e shpenzimeve dhe investimeve.
Suficiti buxhetor që vjen kryesisht nga mosrealizimi i investimeve publike është një tregues që nuk bën krenar ndonjë ministër finance.
Treguesi kontradiktor qe paskemi suficit buxhetor të ndjeshëm dhe kemi rritje të kostos së deficitit buxhetor dhe borxhit publik kërkon një analizë profesionale, kemi planifikim jo realistik apo siç dhe thekson kolegu Broka, ka të dhëna për tendencën në rritje të kostos së deficitit buxhetor dhe borxhit publik.
Ky risk duhet ndjekur me kujdes sepse krijon presione për shkurtime buxhetore.
Spostimi i investimeve publike në fund të vitit rrit riskun për të ulur cilësinë e tyre ose rrit presione edhe korruptive për të bërë pagesa në avancë.
Pra, pa situacionet përkatëse, që duhet të auditohen.
Mund të ketë edhe elementë të tjerë të buxhetit që kërkojnë analiza të mëtejshme.
