Bashkia Fier mbylli vitin 2025 me rreth 1.15 miliardë lekë fonde të pashpenzuara, nga të cilat 660.6 milionë lekë i përkisnin investimeve kapitale. Ndërsa vetëm 27% e investimeve të planifikuara u realizuan, detyrimet e prapambetura të bashkisë u rritën me 11.6 herë krahasuar me fillimin e vitit, duke arritur në 28.7 milionë lekë.
Gjetjet janë pjesë e raportit përfundimtar të Kontrollit të Lartë të Shtetit (KLSH) për auditimin financiar të Bashkisë Fier, i cili evidenton dobësi në planifikimin dhe zbatimin e buxhetit, menaxhimin e investimeve dhe shlyerjen e detyrimeve ndaj të tretëve.
Sipas raportit, buxheti fillestar për vitin 2025 ishte miratuar në vlerën 2.73 miliardë lekë, por gjatë vitit iu nënshtrua disa ndryshimeve, duke arritur në 3.47 miliardë lekë. Rritja neto ishte rreth 732.7 milionë lekë, ose 26.8% më shumë se plani fillestar.
Megjithatë, shpenzimet faktike arritën në vetëm 2.32 miliardë lekë, ose 67% të buxhetit të rishikuar. Kjo do të thotë se rreth një e treta e fondeve të planifikuara mbeti e parealizuar.
Investimet, problemi kryesor i zbatimit të buxhetit
Mosrealizimi më i madh u regjistrua te investimet kapitale. Nga 906.5 milionë lekë të planifikuara, Bashkia Fier shpenzoi vetëm 245.9 milionë lekë, duke lënë të parealizuara 660.6 milionë lekë, ose rreth 73% të fondeve të parashikuara për këtë kategori.
Investimet përbëjnë më shumë se gjysmën e diferencës ndërmjet buxhetit të rishikuar dhe shpenzimeve faktike të vitit 2025.
Ndërkohë, shpenzimet për paga dhe sigurime shoqërore u realizuan në masën 91%, ndërsa ato operative në masën 66%. Diferencat tregojnë se mosrealizimi i buxhetit ishte veçanërisht i përqendruar te investimet, krahasuar me shpenzimet për personelin.
KLSH vëren se ndryshimet e njëpasnjëshme të buxhetit nuk janë shoqëruar me një ritëm të mjaftueshëm të zbatimit të projekteve. Sipas audituesve, planifikimi fillestar nuk kishte reflektuar plotësisht nevojat reale dhe burimet financiare që bashkia do të administronte gjatë vitit.
Një pjesë e rëndësishme e rritjes së buxhetit lidhej me fondet e trashëguara nga viti i mëparshëm. Nga ndryshimet e kryera gjatë vitit, rreth 444.3 milionë lekë shtesë u orientuan drejt investimeve, ndërsa rreth 288.4 milionë lekë drejt shpenzimeve korrente.
Megjithatë, rritja e fondeve në dispozicion nuk u reflektua në të njëjtën masë në realizimin e investimeve.
Për këtë arsye, KLSH rekomandon përmirësimin e planifikimit financiar, kufizimin e rishikimeve të buxhetit në raste të domosdoshme dhe forcimin e monitorimit të projekteve dhe kontratave të investimeve.
Detyrimet e papaguara u rritën 11.6 herë, edhe për investime në shkolla
Paralelisht me mosrealizimin e investimeve, auditimi evidenton një rritje të ndjeshme të detyrimeve të prapambetura.
Në fund të vitit 2024, Bashkia Fier kishte rreth 2.5 milionë lekë detyrime të papaguara, kryesisht për investime. Për vitin 2025 ishte planifikuar shlyerja e plotë e tyre, por sipas KLSH-së nuk u krye asnjë pagesë për këto detyrime.
Për më tepër, gjatë vitit u krijuan edhe 26.3 milionë lekë detyrime të reja, duke e çuar stokun total në 28.7 milionë lekë në fund të dhjetorit 2025.
Nga detyrimet e reja, rreth 21.4 milionë lekë lidhen me fondet e bashkisë, ndërsa 4.8 milionë lekë me investime të financuara nga ministritë e linjës, përmes Fondit të Zhvillimit të Rajoneve.
Në listën e faturave të papaguara përfshihen edhe projekte të rëndësishme për komunitetin. Vetëm për rikonstruksionin e shkollës nëntëvjeçare “Liri Gero” evidentohen rreth 17.7 milionë lekë detyrime të reja nga fondet e bashkisë, ndërsa për rehabilitimin e terreneve sportive rreth 3.7 milionë lekë.
Detyrime të tjera lidhen me rikonstruksionin e shkollës “Janaq Kilica”, rehabilitimin e kanalit ujitës Vjosë–Levan–Fier dhe punimet për mbrojtjen nga lumi Vjosa.
Nga vitet e mëparshme vijonin të mbeteshin të papaguara edhe detyrime për shkollën “Naum Kacaku” dhe rehabilitimin e skemës ujitëse Dega e Martinës, faza e dytë.
KLSH konstaton se mosshlyerja e detyrimeve të trashëguara, e shoqëruar me krijimin e detyrimeve të reja, bie ndesh me kërkesat ligjore për menaxhimin e sistemit buxhetor dhe disiplinën financiare. Për këto arsye, KLSH kërkon që planifikimi i buxhetit të mbështetet në kapacitetet reale zbatuese dhe në ecurinë e projekteve, në mënyrë që fondet e miratuara të përkthehen në investime të realizuara dhe të shmanget akumulimi i mëtejshëm i detyrimeve./ekofin.al
