Operatori i Blerjeve të Përqendruara planifikon të prokurojë gjatë vitit 2027 gjithsej 179 investime, me një vlerë rreth 63 miliardë lekë. Shifrën e bëri të ditur ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, gjatë aktivitetit “Prokurojmë për Shqipërinë Europiane!”, ku prezantoi ndikimin e reformës së prokurimeve të përqendruara te bizneset dhe ekonomia.
Sipas ministres, përmasa e investimeve të planifikuara tregon se përmirësimet në planifikim, në kohën e realizimit dhe në kosto mund të sjellin përfitime të konsiderueshme për buxhetin e shtetit. Reforma synon që prokurimi të vlerësohet për cilësinë e mallrave dhe shërbimeve, respektimin e afateve dhe ndikimin ekonomik të shpenzimeve publike.
Ibrahimaj e trajtoi prokurimin nga këndvështrimi i sipërmarrjes, duke e cilësuar shtetin si klientin kryesor të biznesit. Ajo raportoi se gjatë vitit 2025 janë zhvilluar 5,766 procedura, me 109 miliardë lekë të prokuruara, ndërsa tregu total i prokurimeve përbënte, sipas saj, 7.6% të Prodhimit të Brendshëm Bruto.
Për këtë arsye, ministrja theksoi se prokurimi publik duhet të përdoret si instrument i politikës ekonomike, për të nxitur konkurrencën, për të përmirësuar standardet dhe për të krijuar mundësi të reja për sipërmarrjen.
Ndryshimi i propozuar parashikon kalimin nga trajtimi i fragmentuar i nevojave të institucioneve në një sistem të integruar. OBP do të përfshihet në të gjithë ciklin e prokurimit, nga identifikimi i nevojave dhe analiza e tregut, te standardizimi i specifikimeve teknike, organizimi i procedurave dhe vlerësimi i rezultateve.
Nevojat e institucioneve do të identifikohen që gjatë planifikimit të buxhetit dhe do të përfshihen në një regjistër të konsoliduar prokurimesh, të hartuar nga OBP. Sipas Ibrahimajt, kjo do t’u mundësojë bizneseve të njihen më herët me kërkesën e shtetit dhe të planifikojnë kapacitetet prodhuese, furnizimet dhe punësimin e nevojshëm për zbatimin e kontratave.
Një tjetër objektiv është standardizimi i katalogëve dhe i kërkesave për mallra e shërbime. Ministrja argumentoi se rregullat më të qarta do t’i ndihmojnë bizneset të investojnë në standarde dhe produktivitet, duke krijuar mundësi për pjesëmarrje më të gjerë edhe të ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme.
Ndërkohë, bashkimi i nevojave të institucioneve synon të krijojë ekonomi shkalle, të ulë kostot administrative dhe të sigurojë kushte më të mira blerjeje.
Ibrahimaj u ndal veçanërisht te pasojat ekonomike të vonesave në prokurime. Sipas saj, një investim që nuk realizohet në kohë sjell mungesë likuiditeti për bizneset, shtyrje të hapjes së vendeve të punës dhe vonesa në shërbimet për qytetarët. Planifikimi më i mirë synon të reduktojë procedurat e përsëritura, anulimet dhe kostot e panevojshme.
Për vitin 2025, ministrja raportoi se diferenca ndërmjet fondit limit dhe fondit të prokuruar ishte 17 miliardë lekë, ose 13% e fondit limit. Ajo theksoi se, krahas konkurrencës në çmim, duhet të maten edhe cilësia, afatet e realizimit dhe ndikimi real i çdo shpenzimi në ekonomi.
Transformimi i OBP-së po zhvillohet në bashkëpunim me UNOPS-in, me synimin për të përshtatur strukturën dhe praktikat europiane të prokurimit. Ibrahimaj e cilësoi këtë si fazën përgatitore për një hap tjetër: përdorimin e inteligjencës artificiale përgjatë të gjithë procesit të prokurimeve publike.
Sipas saj, inteligjenca artificiale parashikohet të përdoret për specifikimet teknike, përllogaritjen e fondit limit, analizën e tregut, plotësimin automatik të dokumentacionit të bizneseve përmes regjistrave shtetërorë, kontrollin e ofertave dhe monitorimin e kontratave deri te pagesat përfundimtare.
Ministrja tha se kjo qasje synon më pak burokraci dhe dokumente për bizneset, reduktim të gabimeve dhe procese më transparente e të gjurmueshme. Vendimmarrja, theksoi ajo, do të mbetet njerëzore, e mbështetur në të dhëna më të plota./ekofin.al
