Ekspozimi afatgjatë ndaj një rruge me trafik të dendur mund të rrisë mundësinë e zhvillimit të sëmundjes së Parkinsonit, ndërsa një anë më e qetë e banesës mund të ofrojë njëfarë mbrojtjeje, sugjeron një studim i ri.
Sipas studimit, ekspozimi afatgjatë ndaj zhurmës së trafikut rrugor lidhej me një rrezik më të lartë për sëmundjen e Parkinsonit, ndoshta për shkak të çrregullimit të gjumit dhe stresit sistemik në organizëm.
Studiuesit danezë analizuan të dhënat e më shumë se tre milionë banorëve për të përcaktuar nëse zhurma e vazhdueshme në zona dhe pozicione të ndryshme të banesave rriste rrezikun për këtë çrregullim neurodegjenerativ.
Studimi, i publikuar në revistën shkencore “JAMA Neurology”, përfshiu mbi tre milionë danezë gjatë periudhës 2000–2017, të cilët ishin të paktën 40 vjeç dhe nuk vuanin nga sëmundja e Parkinsonit në fillim të vëzhgimit.
Për çdo rritje me rreth 11 decibelë të zhurmës në anën më të ekspozuar të banesës, rreziku për zhvillimin e Parkinsonit rritej me rreth 3%, konstatuan studiuesit.
Në anën më të qetë të banesës, pra në atë më pak të ekspozuar ndaj trafikut, rreziku për Parkinson rritej me 4% për çdo shtesë prej 9 decibelësh të zhurmës.
Në të njëjtën kohë, studimi zbuloi se pasja e një ane të qetë, ku njëra faqe e shtëpisë është të paktën 10 decibelë më e qetë se tjetra, vepron si një barrierë mbrojtëse që mund të zbusë efektet e dëmshme, veçanërisht për personat që jetojnë në zona me nivele përgjithësisht të larta zhurme.
Personat, banesat e të cilëve nuk kanë një anë të qetë, përballen me nivele më të vazhdueshme dhe të pashmangshme zhurme, sidomos gjatë natës, çka sipas autorëve është më e dëmshme.
Autorët shtuan se studimet e mëparshme, të cilat kanë marrë parasysh vetëm anën më të zhurmshme të banesës, mund t’i kenë nënvlerësuar rreziqet shëndetësore, pasi nuk kanë analizuar nëse banorët kanë një hapësirë të qetë ku mund të tërhiqen.
Rezultatet mbetën të njëjta pavarësisht gjinisë, nivelit arsimor, të ardhurave, faktit nëse personat jetonin vetëm apo me të tjerë dhe dendësisë së popullsisë.
Si ndikon zhurma në rrezikun për sëmundjen e Parkinsonit?
Autorët vlerësojnë se gjetjet janë biologjikisht të besueshme, pasi zhurma kronike mund të çrregullojë gjumin, i cili është jetik për shëndetin e trurit, dhe mund të shkaktojë gjithashtu një përgjigje stresi në organizëm.
Zhurma mund të shkaktojë edhe “neuroinflamacion” dhe stres oksidativ në tru, veçanërisht në zonat e lidhura me prodhimin e dopaminës.
Sëmundja e Parkinsonit është çrregullimi i dytë neurodegjenerativ më i zakonshëm në botë dhe, sipas studimeve të fundit, prek më shumë se 11 milionë njerëz. Kjo barrë pritet të më shumë se dyfishohet gjatë dekadave të ardhshme, ndërsa jetëgjatësia rritet dhe disa vende përjetojnë shtim të popullsisë.
Te sëmundja e Parkinsonit, qelizat nervore të trurit, të quajtura neurone, degradojnë ose vdesin gradualisht. Shumë prej simptomave shkaktohen nga humbja e neuroneve që prodhojnë dopaminë, duke çuar në veprimtari të parregullt të trurit.
Shkaku i saktë i sëmundjes mbetet i panjohur dhe aktualisht nuk ekziston një kurë.
“Për këtë arsye, identifikimi i faktorëve mjedisorë potencialisht të modifikueshëm është një përparësi për shëndetin publik”, tha Fernando Alonso Frech, neurolog dhe studiues në Qendrën Gjithëpërfshirëse të Neuroshkencës HM CINAC, i cili nuk ishte i përfshirë në studim.
Ai shtoi se pjesa e madhe e popullsisë e ekspozuar ndaj zhurmës së trafikut nënkupton se ndikimi i mundshëm në shëndetin publik mund të jetë i konsiderueshëm.
“Në këtë kontekst, gjetjet përforcojnë rëndësinë e politikave që synojnë uljen e ndotjes akustike urbane, përmes strategjive të tilla si planifikimi urban, krijimi i barrierave kundër zhurmës, kufizimi i trafikut në zonat e banuara ose projektimi i banesave me fasada dhe hapësira pushimi më pak të ekspozuara ndaj zhurmës.”/Përshtati nga Euronews, ekofin.al

