Fluturimet komerciale në Shqipëri vijuan rritjen me ritme të larta edhe gjatë muajit qershor, duke e renditur vendin ndër performuesit më të mirë në Europë. Sipas të dhënave të Eurostat, numri i fluturimeve komerciale u rrit me 30.2% krahasuar me të njëjtin muaj të një viti më parë, një normë shumë më e lartë se mesatarja e Bashkimit Europian, e cila ishte vetëm 2.1%.
Kjo e pozicionon Shqipërinë si një nga tregjet ajrore me zgjerimin më të shpejtë në kontinent, duke reflektuar rritjen e vazhdueshme të turizmit, shtimin e linjave ajrore dhe kërkesën në rritje për udhëtime drejt vendit.
Në rajonin e Ballkanit Perëndimor, Shqipëria dominoi qartë për nga ritmi i rritjes. Pas saj renditet Mali i Zi me një rritje prej 18%, ndërsa Maqedonia e Veriut regjistroi një rritje modeste prej 2.1%. Serbia shënoi një zgjerim prej vetëm 1.6%, ndërsa Bosnje-Hercegovina rezultoi në kahun e kundërt, me një rënie të ndjeshme prej 8.3% të fluturimeve komerciale.
Diferenca mes Shqipërisë dhe vendeve të tjera të rajonit tregon se tregu shqiptar vijon të jetë ndër më dinamikët në Ballkan, i mbështetur nga rritja e numrit të turistëve të huaj dhe zgjerimi i ofertës së destinacioneve ajrore.Në nivel europian, vetëm pak vende arritën ritme rritjeje të krahasueshme me Shqipërinë. Rekordin e mbajti Sllovakia, ku fluturimet komerciale u rritën me 40.3%, e ndjekur nga Shqipëria me 30.2% dhe Mali i Zi me 18%. Rritje dyshifrore regjistroi edhe Malta me 15.3%, ndërsa rezultate të forta raportuan gjithashtu Hungaria, Polonia dhe Estonia (+9.2%).
Nga ana tjetër, disa tregje të rëndësishme europiane shënuan tkurrje të aktivitetit ajror. Rënien më të madhe e regjistroi Islanda, me -8.8%, e ndjekur nga Bosnje-Hercegovina (-8.3%), Turqia (-5.5%), Gjermania (-4.9%) dhe Austria (-4.0%).
Të dhënat tregojnë se zgjerimi i trafikut ajror në Europë nuk ka qenë i njëtrajtshëm. Ndërsa tregjet e konsoliduara po rriten me ritme të ngadalta ose po përballen me tkurrje, vende si Shqipëria po përfitojnë nga zgjerimi i turizmit, shtimi i linjave “low-cost” dhe rritja e interesit të udhëtarëve ndërkombëtarë./Scantv



