Reklamat online me profilizim do të jenë të ndaluara. Kjo sipas projektligjit “Për shërbimet digjitale”, aktualisht në konsultim publik.
Drafti parashikon që AKEP-i caktohet Koordinator i Shërbimeve Digjitale dhe do të koordinojë zbatimin e ligjit me Autoritetin e Medias Audiovizive, Komisionerin për Mbrojtjen e të Dhënave Personale, Autoritetin e Konkurrencës, strukturat e mbrojtjes së konsumatorit dhe Autoritetin Kombëtar për Sigurinë Kibernetike. Ndërsa, ofruesit e huaj pa seli në Shqipëri do të duhet të caktojnë një përfaqësues ligjor në vend ose në një vend të Bashkimit Evropian.
Si do të ndalohen reklamat e bazuara në profilizim
Projektligji parashikon që platformat online të mos u paraqesin përdoruesve reklama të bazuara në profilizim, sipas përcaktimeve të ligjit për mbrojtjen e të dhënave personale. Më konkretisht kjo do të thotë se ndalimi prek reklamat e personalizuara që përzgjidhen mbi bazën e aktivitetit, interesave ose sjelljes së përdoruesve në internet.
Sipas draftit, çdo reklamë duhet të identifikohet qartë si e tillë dhe të tregojë personin ose kompaninë në emër të së cilës paraqitet. Kur financuesi është i ndryshëm nga subjekti i reklamuar, duhet të bëhet publik edhe emri i personit ose kompanisë që ka paguar reklamën.
Përdoruesi duhet të ketë mundësi të shohë drejtpërdrejt nga reklama parametrat kryesorë që kanë përcaktuar përse përmbajtja i është shfaqur atij dhe, kur është e mundur, mënyrën se si këta parametra mund të ndryshohen. Platformat duhet t’u ofrojnë gjithashtu përdoruesve, përfshirë krijuesit e përmbajtjes, një funksion për të deklaruar kur një postim përmban komunikim tregtar ose reklamë të paguar.
Platformat online shumë të mëdha dhe motorët shumë të mëdhenj të kërkimit duhet të krijojnë edhe një regjistër publik të reklamave. Ai do të përmbajë reklamën, produktin ose markën e promovuar, financuesin, periudhën e shfaqjes, parametrat e targetimit dhe numrin e përdoruesve që e kanë parë. Regjistri nuk duhet të përmbajë të dhëna personale të përdoruesve.
Rregullat e posaçme për platformat online, përfshirë reklamat, nuk do të zbatohen për ndërmarrjet mikro dhe të vogla, përveç rasteve kur ato janë klasifikuar si platforma shumë të mëdha.
AKEP do të certifikojë organet e reja për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve
Projektligji parashikon krijimin dhe certifikimin e organeve për zgjidhjen jashtëgjyqësore të mosmarrëveshjeve ndërmjet përdoruesve dhe platformave online. Këto organe do të trajtojnë rastet kur një përdorues kundërshton heqjen ose kufizimin e përmbajtjes, pezullimin e pagesave, mbylljen e llogarisë apo vendime të tjera të platformës, të cilat nuk janë zgjidhur përmes sistemit të brendshëm të ankesave.
AKEP-i, në cilësinë e Koordinatorit të Shërbimeve Digjitale, do t’i certifikojë këto organe për një periudhë maksimale prej pesë vjetësh, me mundësi rinovimi. Ato duhet të jenë të paanshme, të pavarura financiarisht nga platformat dhe përdoruesit, të kenë ekspertizën e nevojshme dhe të ofrojnë procedura elektronike, të shpejta dhe me kosto të ulët. Vendimet e tyre nuk do të jenë detyruese për palët dhe përdoruesi ruan të drejtën që në çdo fazë t’i drejtohet gjykatës.
AKEP-i mund të revokojë certifikimin nëse organi nuk përmbush më kushtet ligjore.
Për përdoruesin, procedura do të jetë pa pagesë ose me një tarifë të vogël nominale. Nëse organi vendos në favor të përdoruesit, platforma duhet të përballojë tarifat dhe t’i rimbursojë shpenzimet e arsyeshme. Nëse vendimi është në favor të platformës, përdoruesi nuk detyrohet të paguajë kostot e saj, përveç rasteve kur konstatohet se ka vepruar dukshëm me keqbesim.
Gjoba deri në 6% të xhiros botërore
Koordinatori i Shërbimeve Digjitale (AKEP) do të vendosë sanksione për shkeljet e ligjit, të cilat duhet të jenë efektive, proporcionale dhe parandaluese. Gjoba për mosrespektimin e detyrimeve mund të arrijë deri në 6% të xhiros vjetore botërore të ofruesit. Për informacion të pasaktë, të paplotë ose mashtrues, mosdhënie përgjigjeje apo pengim të inspektimit, gjoba mund të jetë deri në 1% të të ardhurave vjetore ose të xhiros globale.
Ndërkohë, pagesat periodike penalizuese mund të arrijnë në 5% të xhiros ose të të ardhurave mesatare ditore botërore për çdo ditë vonesë./ekofin.al

